TIRANË - Teksa vendi ndodhet në ditën e dytë në shtetrrethim me masa ekstreme kufizuese, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sanksionet ndaj personave që lëvizin me makinë pa autorizim. Në një postim në Facebook, Rama thotë se do t'u hiqet patenta me 3 vjet dhe do t'i sekuestrohet automjeti, të gjithë atyre personave që dalin gjatë kësaj periudhë të vështirë që po kalon vendi me koronavirusin, pa pasur një autorizim nga policia e Shtetit.

"Lëvizjet e paautorizuara me automjet të kujtdo që nuk ka një arsye pune, sipas kategorive të funksioneve shtetërore apo shërbimeve private të autorizuara, do të dënohen me heqje të patentës 3 vjet dhe sekuestrim të automjetit! Frikë aspak, kujdes po!", shkruan Rama.

Po ashtu, kryeministri bën të ditur se të gjitha kompanitë që vijojnë punën duhet të sigurojnë standardet e sigurisë kundër përhapjes së epidemisë në mjediset e tyre të punës. "Në të kundërt do të përballen me sanksione të rënda", thotë Rama.

Në Shqipëri, nga nesër në 06:00 të mëngjesit,. pas Tiranës edhe Durrësit, do të mbyllen lokalet, palestrat e fast-foodet në të gjithë Shqipërinë. Hapur do të rrinë vetëm farmacitë dhe supermarketet për ushqime.

Ndërkohë kushdo që kërkon informacion për të marrë autorizimin në Policinë e Shtetit për kompanitë prodhuese duhet të sigurojnë autobusët e transportit të punonjësve dhe akreditimin e tyre dhe të automjeteve private të personelit.

Adresa është policiarrugore @gmail.com. Ndërsa për çdo sqarim të nevojshëm mbi procedurën, qytetarët duhet të telefonojnë policinë e Shtetit në numrat 0694122223; 0694122224