Korrespodencë me Rozi Theohari:
Rusët në SHBA,ç’mendojnë për shqiptarët

Korrespodencë me Rozi Theohari:<br />Rusët në SHBA,ç’mendojnë për shqiptarët<br>
Filmi “Skënderbeu” jepej në Moskë çdo të shtunë dhe të diel. Një fragment nga korespodenca e Rozit:“E ftuar në klubin e grave emigrante ruse, në periferi të Bostonit, u takova fillimisht me dy “babushka” faqefryra ulur në kolltukun kryesor të sallonit të xhamtë. Gjatë prezantimit, njëra prej tyre, më e moshuara, më vështroi pjertazi dhe pa lëvizur nga vendi tha: “Enver Hodzha”. Gruaja e dytë, më e reja e më simpatikja u ngrit në këmbë e duke buzëqeshur përmendi emrin “Skënderbeu”.

Ajo quhej Ludmilla e më propozoi të shkonim tek samovari për një gotë çaj e për të provuar biskotat që i kishte gatuar vetë. “Është e çuditshme sa shpejt shoqërohemi ne ruset me ju shqiptarët!” - foli ajo në mirëbesim. “Mbase ju kujtohet “Lidhja e miqësisë shqiptaro-sovjetike”

- e ngacmova unë. “Jo, - tha ajo, - më kujtohet filmi
shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”. Çdo të shtunë e të diel filmi juaj jepej në një nga kinematë e Leningradit. Ndoshta nuk do ta besoni, por çdo fundjavë unë me fëmijët e mi shkonim për ta parë Skënderbeun dhe ishte fat i madh të gjeje bileta. Por më e bukura ishte se fëmijët e mi mbanin mend me hollësi të gjitha episodet dhe, kur ktheheshim në shtëpi, fillonte një “film” i dytë…, më kupton…, me tenxhere e kusi, masha e perusti…”
Ludmilla ishte e bindur se Gjergj Kastrioti ynë kishte
ndikuar mjaft në edukimin e fëmijëve të saj, në kurajën e
guximin për të çarë rrugët e jetës dhe për këtë i ishte
mirënjohëse “allbanskij narod” (popullit shqiptar)”.

Vërtetoje me shkrim që babanë emigrant në Amerikë nuk e ke kapitalist, por proletar!

Autore e katërmbëdhjetë librave dhe e një skenari filmi, në vitin 1994 emigruar bashkë me familjen e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rozi Theohari botimin e saj të fundit, 2014, “Potpuri dardhare”, do ta kish një vepër shumë të bukur, pse jo për gjininë e kujtimeve, edhe ndër më cilësorët në Shqipëri.

Në faqen e parë të këtij libri Rozi Theohari ka shkruar: “Ia kushtoj nipit tim, gjysmëshqiptarit të vogël Jan Sommer..., me dëshirën, shpresën dhe urimin që ta mësojë e ta dojë shqipen dhe vendin e origjinës së gjyshes shqiptare”.

Për ta afruar sadopak lexuesin me talentin e rrëfimit të Theoharit, po përcjellim një pjesë nga “Potpuri dardhare”: “Shtator 1953. Krahas gëzimit që filluam klasën e dytë të gjimnazit, na gërryente edhe një merak: kush do të pranohej në organizatën e rinisë? Jo të gjithë nxënësit, sidomos ata me biografi jo të mirë. Të mos bëje pjesë në organizatën e rinisë, atëherë ishte njëlloj si të ishe i dënuar e të gjithë të vështronin shtrembër, duke filluar që nga shitësja e bukës.

Ne rrinim në korridor duke u dridhur dhe prisnim rradhën të hynim në dhomën e komitetit të rinisë së shkollës ku, në krye, të një tavoline të gjatë ishin ulur tre sekretarët dhe përkarshi, në një karrige ulej nxënësi që kishte bërë lutjen për t’u pranuar në organizatë. Unë e dija se të vetmen kleçkë kisha problemin e babait. Përveç lutjes dhe autobiografisë, duheshin edhe tre deklarata nga tre anëtarë partie që të mos kishe asnjë lidhje familjare dhe lidhje gjaku me ta. Kjo ishte pak e vështirë, sepse të gjithë ish-partizanët  që njihnim, ndodheshin në Tiranë ose gjetkë dhe nuk kishim si t’i gjenim. Kishte edhe nxënës që kishin arritur të siguronin tri firma komunistësh dhe nuk ishin pranuar, si fëmijë nga shtresat e ish-të pasurve.

Një nxënës para meje doli nga zyra me lot në sy. Nuk e kishin pranuar duke i kujtuar babanë që e kishte pasur tregtar. “Dhe as mos merr mundimin të bësh kërkesë të dytë...Po të ankohesh do t’i rrëzojmë gurët e do të të zbulojmë tërë biografinë e keqe!” - i kishin thënë. Ndërkaq, unë po përsërisja emrat e të gjithë sekretarëve të parë të partive komuniste motra, sepse thoshin që të bënin edhe kësi pyetjesh. Por kur hyra brenda, m’u bënë pyetje të tjera që më rënqethën. Nuk i njihja që të tre drejtuesit, sepse ishin nxënës në klasat e katërta dhe ishin më të rritur se sa mosha e gjimnazit. Ai i mesit u përkul pak përpara, m’i drejtoi dy gishtat e zverdhura nga pirja e duhanit e m’i nguli sytë fort. Mbi ballë pulsonte damari i kërcyer.

“Ku e ke babanë, ti shoqe?” - m’u hakërrua ai sikur kisha bërë ndonjë krim.
“Në Amerikë, është emigrant ekonomik, si gjithë të tjerët”.
“Ato mos na i shit neve...babanë e ke kapitalist dhe pikë”.
“Babai im është punëtor, proletariat”.
Unë u përlota, desha të flisja edhe më, të mbrohesha, por fjala më mbeti në fyt.

“E sheh? - u hodh dhe tha ai i pari – edhe vetë po e kupton se sa gabim bëre që na erdhe në këtë zyrë dhe kërkon të futesh në rini...Shkruaji babait një letër të dërgojë një dokument ku të vërtetohet se është me të vërtetë punëtor që shfrytëzohet nga kapitalistët... Atëherë, po, mund ta marrim në shqyrtim lutjen tënde”. 

“Flama e kuqe”

Viti 2014, kur Rozi Theohari botoi këtë libër dukej si një mot që i shndërriste para vetëm dritë botimesh të tjera të saj, kur fare papritur ndërroi jetë në një të shtunë, më 13 dhjetor.

Ndërkohë ne kishim kohë që patëm shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e shqiptarëve me rusët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo, duke ditur gjuhën
e tyre, frekuentonte kohë pas kohe klubin rus të poetëve në Revere, MA, si dhe ishte anëtare e korit rus “Fargenign” të Veriut të Bostonit.

Sipas Rozi Theoharit, rusët e parë në Amerikë janë banorët rusë të Alaskës. Duket kjo ka qenë udha më e shkurtër e tyre për të kapërcyer Oqeanin Paqësor dhe mbërritur në kontinentin tjetër. Disa prej këtyre të mërguarve, në vite, zbritën poshtë, në shtetet e tjera të Amerikës. Ndërkohë rusë të tjerë erdhën në SHBA, por duke kaluar nëpër Evropë dhe Oqeanin Atllantik. Këtë herë masës së tyre iu bashkuan hebrenj.

Kjo popullsi emigruese ishte e viteve 1917-1920, prandaj edhe bashkë me çifutët pati shumë rusë të bardhë, që të dy palët të konsideruar në vendin ku pati shpërthyer revolucioni “proletar”, si armiq.

Më ka shkruar Rozi atëherë: “Në 1994 kam takuar në Boston shqiptaro-amerikanin e moshuar me origjinë dardhare z. Çesta Kojnari, patriot, atdhedashës, dashamirës i Fan Nolit, aktivist i komunitetit të Bostonit. Gjatë bisedës i tregova Çestës se  isha njohur e miqësuar me disa gra ruse të posaardhura nga Rusia. Çesta u kujtua e më tregoi çfarë dinte ai nga i ati, Spiro Kojnari dhe dardharët e tjerë. Rreth viteve 1920, në Amerikë erdhi vala e emigrantëve rusë: rusët e bardhë dhe ruso-çifutët që kishin ikur nga Rusia  nga frika e revolucionit të Tetorit. Ndër amerikanët, që ishin kundër bolshevizmit, disa i quajtën “ardhësit nga bota e djallit të kuq!”

Emigrantët dardharë këtë cilësim e  përkthyen dhe  e përshtatën në shqip, duke i quajtur këta ardhës “Flama e kuqe”.

Sipas z. Çesta, emigrantët shqiptarë qëndronin larg rusëve kur rastiste të punonin së bashku, duke përdorur nofkën e mësipërme. Për ironi të fatit emigrantët rusë, me atë gjysmë anglishte që dinin, mundoheshin të shpjegonin se ata e urrenin “rendin e kuq”, prandaj dhe
kishin marrë rrugën “nga sytë këmbët”. Zoti Çesta përfundon: “Nuk e dinim, as na e priste mendja, se kjo “flamë e kuqe” do të na futej pranë buxhakut të vatrës edhe në vatanin tonë, duke pasur më pranë Amerikën, mu në pragun e derës…sepse dera e Amerikës ishim dhe jemi ne, shqiptaro-amerikanët”.

Këmbëngul shkrimtarja Theohari: “Sigurisht, me kalimin e viteve u fashit edhe kjo nofkë, sot nuk përmendet. Nuk përmendet as “djalli i kuq” nga amerikanët. Një veteran amerikan më tregonte se në votimet e vitit 1952 ishte djalë i ri në Bruklin, Nju Jork, dhe qenë pesë parti për të cilat votohej: Partia Demokratike, Republikane, Liberale, Socialiste dhe Komuniste. Fitoi Partia Republikane me president Ajzenaurin. Ai më vizatoi edhe emblemat e të pesë partive. Kur e pyeta për emigrantët rusë ai më tha se Bruklini ishte plot rusë. Pyetjes sime të dytë, se mos emigrantët rusë kishin lidhje me Partinë Komuniste, ai u përgjegj negativisht. Ai pohoi se rusët e asaj kohe në Amerikë e urrenin komunizmin”.

Prej emigrantëve rusë të kësaj kohe Rozi Theohari na përshkroi për një rast të tillë: “Në vitin 1994 njërin prej tyre, një inxhinier plak rus, e kam takuar në shtetin e Nju-Emsher-it, në një fabrikë të vjetër, kthyer në muze, ku, punonjësit pensionistë shisnin punime dore, piktura, libra etj. Nga rusi plak bleva një libër të vjetër, rusisht, botuar më 1909 mbi jetën dhe veprat e Gogolit. Kur e mësoi se isha shqiptare rusi u mallëngjye e më tha se, për këtë libër diskutonin gjithnjë me një shqiptar, mikun e tij të fabrikës. Ai ishte i lumtur që ky libër kaloi në duart e një shqiptareje”.

Car Zogu
Vala e dytë e rusëve në SHBA i përket formalisht vitit 1941, kur BRSS u sulmua nga Hitleri, por dallgë e madhe e kësaj diaspore u vu re mbas motit 1945. Qenë sërish rusë autentikë dhe hebrenj. “Pikërisht me këta emigrantë, na kumton në korespodencën e saj të atëhershme shkrimtarja Rozi Theohari, kam pasur kontakte të vazhdueshme.  Në vitin 1995, në Boston kam takuar një grup rusësh petrogradas, nostalgjikë të mbretit të tyre, të cilin e përmendnin vazhdimisht. Kur u prezantova si shqiptare ata thanë me një gojë: “The King Zog!”

Ose rusisht “Car Zogu”. Kjo e pati habitur Rozin.
“Gjithashtu, vazhdon ajo, kam takuar një plak rus, hero i Bashkimit Sovjetik, i cili bënte pjesë në grupin e parë të ushtarëve rusë të Berlinit dhe që u ngjitën mbi ndërtesën e Raishtagut. Ai jetonte akoma me nostalgjinë e fitores së Luftës së Dytë Botërore…”

Shkrimtarja Theohari më tej e plotësonte këtë informacion me hollësinë se këta nostalgjikë “pëlqejnë të lexojnë libra rusë, të recitojnë poezi ose të shohin filma me ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore. Shumë prej tyre i kanë sjellë medaljet e fituara dhe xhaketat ushtarake me dekorata (nuk e di në i veshin ndonjëherë, por në një koncert me korin tonë rus, tenori që këndonte këngën e një piloti hero rus, veshi një uniformë të tillë ushtarake).

Në një mesazh tjetër Rozi na vë në dukje: “Gjatë kësaj periudhe, si anëtare e Klubit të Poetëve Rusë dhe anëtare e Korit Ruso-Çifut të Veriut të Bostonit, jam takuar me emigrantët rusë në klubet e tyre, nëpër koncerte dhe në mitingje. Më kanë bërë përshtypje disa këngë ruse ku akoma përmenden emrat e qyteteve “Leningrad” dhe “Stalingrad”.

Kur ia bëra këtë vërejtje drejtueses sonë të Korit, ajo më tha: “Nuk ka asgjë të keqe, sepse ne që këndojmë jemi rusë, po ashtu edhe ata që na dëgjojnë
janë rusë!”

Rozi Theohari vë në dukje se si emigrantët rusë të valës së pas Revolucionit të Tetorit ashtu edhe ata të pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj shqiptarëve janë indiferentë. Përjashtim, thotë ajo, janë rastet kur “shqiptarët
ortodoksë ftoheshin nga të njohurit e tyre rusë të merrnin pjesë në shërbesat fetare të kishave ruse”.

Siç dihet Fan Nolin në vitet e para të emigracionit në SHBA, kur nisi protagonizmin e tij patriotik për të krijuar Kishën Shqiptare Ortodokse Autoqefale, e ndihmoi dukshëm një hierark i lartë i Kishës Ortodokse Ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Enver Hodzha
Vala e tretë e rusëve në SHBA filloi që nga viti 1992, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Ajo vazhdon edhe në ditët e sotme. “Kur i pyes këta rusë për shqiptarët, më ka shkruar Rozi Theohari, më përgjigjen pa asnjë vëmendje: “Ne nuk i njohim shqiptarët. Ne njohim vetëm Enver Hodzhën, madje edhe këtë e dimë vetëm si emër”.

Ndërkohë, shkruan shkrimtarja Theohari, kam vënë re se shqiptarët nuk afrohen te komuniteti  rus. Kjo mbase është reciproke, mbasi edhe rusët nuk afrohen me etnitë e tjera. Por në rastet kur rusët e shqiptarët punojnë së bashku, kanë marrëdhënie të mira”.

“Gjithsesi një ditë, shkruan ajo në një mesazh tjetër që më ka dërguar, disa nga miqtë e mi shqiptaro-amerikanë më thanë: “Nuk u ngopët me kohën e rusëve në Shqipëri?”

“Rusët i kam inat, se na sollën komunizmin!”, i është shprehur Rozi Theoharit një botues shqiptar i lindur në Amerikë.    

“Si?...Kur?..- e pyeta unë.

“Na e sollën në prag të derës...nëpërmjet Kubës!...” - tha ai. Ky ishte opinioni i tij”, i mbyll shënimet e saj shkrimtarja Theohari.

Po ashtu, në vijim të krijimit të një tabloje se si qenë raportet e emigrantëve tanë në SHBA me ato të Rusisë, Rozi Theohari paraqet bindjen se “ Rusë të tjerë, më të rinj në moshë, të shkolluar e të përshtatur tashmë në shoqërinë dhe kulturën amerikane, kur i pyet për shqiptarët të përgjigjen me indiferentizëm: “Ne nuk njohim asnjë popull etnik në Amerikë. Ne i konsiderojmë të gjithë amerikanë, pavarësisht se nga kanë ardhur.” 

“Nuk mund të lë pa përmendur dhe ditën kur shkuam për të votuar për presidentin Klinton, spikat në një mesazh tjetër Theohari, pranë meje, në autobus, ishte ulur një çift rus, burrë e grua dhe pëshpërisnin në gjuhën e tyre: “Të kujtohet Seriozha, kur votonim në Kremlin për Stalinin, tani po votojmë për një president amerikan! Sa ka ndryshuar bota!”

I biri i Hrushovit 
Nga kjo diasporë e valës së pas Luftës së Ftohtë është edhe rusi Sergej Hrushov. Gazetat amerikane përherë, kur binte fjala për këtë emigrant rus në tokën e tyre, kanë kujtuar një episod. Në vitet gjashtëdhjetë, kur presidenti amerikan Riçard Nikson bëri një vizitë në Moskë, Nikita Hrushovi, ato çaste sekretar i parë i Partisë Komuniste të BS, politikani bolshevik që kish çelur rrugën e ngrohjes së marrëdhënieve me SHBA, i tha kolegut amerikan se nipërit e tij një ditë do të jetonin në një Amerikë, e cila do të bëhej komuniste. Por tre dekada më pas, në 1994, ndodhi një realizim përgjysëm i gjyshit Hrushov. Jo nipi, por biri i tij, Sergej, dhe e shoqja e vet, Valentina, morën “kartën jeshile”, duke u bërë tërësisht banorë në Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sergej pati emigruar në SHBA tre vite të shkuara, në 1991, për të dhënë leksione në Broën University di Providence. Në vendin e tij i biri i Nikita Hrushovit kishte punuar për projektimin e raketave. Drejt Amerikës që në çastin e parë e pati ndjekur pas Sergejin edhe e shoqja. “Amerikanizimin” e tyre si rezidencë në SHBA e pati njoftuar menjëherë më e madhja e përditshme: “Neë York Times”. Ajo nuk harroi të rikthente në kujtesë, me jo pak ironi, se Sergej pas rënies së të atit, më 1964, u kishte kërkuar autoriteve të larta sovjetikë leje për të emigruar në Perëndim, por ata nuk ia dhanë. Atëherë ai shkruajti dhe botoi librin “Hrushovi për Hrushovin”, sipas të cilit dukej se shpallte ambiciet politike për të vijuar në BRSS rrugën e të atit.

Nuk do t’i jepej kurrë kjo mundësi dhe do të priste shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik për t’i lënë, 55 vjeçar, tre fëmijtë e tij në atdhe dhe vetë vrapuar drejt SHBA.

Shtatë vite më pas nga marrja e “kartës jeshile”, shtypi amerikan bëri të ditur se me Sergej Hrushovin dhe Valentina Golenkon pati ndodhur një hap tjetër i shndërrimit të tyre: Qenë bërë qytetarë të Shteteve të Bashkuara.

Smajl Kadaré
“Në Klubin e Poetëve Rusé, më ka shkruar e paharuara shkrimtare e talentuar, shqiptaro-amerikania Rozi Theohari, kam përmëndur emrin e Ismail Kadaresë dhe një pjesë e mirë e anëtarëve e njihnin poetin shqiptar “Smail Kadare”.

E kishin lexuar dhe e vlerësonin”

Kadare, në të vërtetë, nëpërmjet veprës së tij, na ka afruar dhe miqësuar me shumë popuj të botës. Mbetet “Ambasada” më e mirë që kemi.

Letërsia e tij ngroh sadopak edhe indiferencën e përgjithshme të rusëve për shqiptarët, ndërsa, duhet theksuar posaçërisht se qeveritë e Shën Petersburgut carist dhe ato bolshevike e paskomuniste të Moskës, nuk kanë qënë e janë kaq shumë të pavëmëndshëm ndaj pozicionit gjeostrategjik të Shqipërisë, të Kosovës dhe tërë trojeve tona. Dhe herë pas here kjo bie shumë në sy. (Tiranë, më 16 mars 2018)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë!Kompania gjatë 2016-2022 fitoi 12 tendera dhe përfitoi rreth 2 mlionë euro

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë!Kompania gjatë 2016-2022 fitoi 12 tendera dhe përfitoi rreth 2 mlionë euro