8 autobusë të linjës Bajram Curri- Kosovë- Tiranë nuk janë lejuar nga autoritetet e doganës së Kosovës që ta kalojnë pikën doganore të Morinës, duke qëndruar të bllokuar në kufi për më shumë se pesë orë. Pasagjerët, në mesin e tyre dhe fëmijë , kanë pritur me orë të tëra në diell dhe temperatura të larta për të kaluar në Morinë.

Sipas Rifat Hajdinit, kryetar i Shoqatës së Transportit Publik të linjave Bajram Curri- Kosovë-Tiranë, autobusët janë bllokuar për shkak të një urdhri të Ministrisë së Transportit të Kosovës, pasi sipas kësaj ministrie autobusët nuk plotësojnë kushtet teknike. Hajdini shprehet se nuk janë lajmëruar për këtë urdhër të ri ndërsa u bënë apel dy qeverive për zgjidhjen e situatës.

Në një reagim,Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se ka lejuar qarkullimin e autobusëve, transit përmes Kosovës, të ndaluar në pikën kufitare Morinë, të shtunën. Ky vendim vjen pas kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës së Shqipërisë, përmes ambasadës së tyre në Kosovë.

“Me qëllim të evitimit të problemeve që mund t’u shkaktohen qytetarëve, të cilët e kanë më të lehtë të udhëtojnë përmes Kosovës, nga Tirana për në Bajram Curr dhe anasjelltas, MIT ka pezulluar vendimin për ndalim të dy operatorëve nga Shqipëria, deri të mërkurën. Ne presim nga autoritetet e Shqipërisë, por edhe nga këto kompani, që t’i përmbahen lejes së tyre vetëm për udhëtim transit nëpër Kosovë, dhe jo ndalesë nëpër stacione për të marrë udhëtarë”, thuhet në njoftimin e MIT-së.

Më tej u tha se për këto shkelje të vazhdueshme, janë pranuar ankesa nga operatorët vendas, të cilëve u janë shkaktuar dëme dhe të njëjtat janë prezantuar para institucioneve relevante të Shqipërisë.

Për të këtë çështje, do të diskutohet në një takim mes komisioneve teknike të të dyja vendeve, të mërkurën.​