Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të shtunën në orën 11:00.

Njoftimi i Kuvendit ka nxitur reagime të menjëhershme. Deputetët e partive opozitare nuk kanë arritur të futen në sallën e Kuvendit në përpjekjen e tyre për të qëndruar aty, në minutat e fundit të afatit kushtetues për vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të. 

Sipas Besnik Tahirit të AAK, veprimet e Kurtit po krijojnë precedent të rrezikshëm për vendin.

Në të njëjtën logjikë, ka kundërshtuar edhe PDK, por kryeministri në detyrë i ka dërguar një letër ku i ka propozuar që të marrë postin e kryeparlamentarit dhe që VV të presidentit.

“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar Kurti.

Ndërkohë deputetët e PDK janë mbledhur në Kuvend.

Më herët, kreu i LDK Lumir Abdixhiku tha pas takimit me kreun e Vetëvendosjes se i kishte kërkuar atij të konstituojë sa më parë parlamentin si një detyrim që i takon partisë fituese të zgjedhjeve.

Për Abdixhikun Kosova është në një rrugë pa zgjidhje tashmë.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive”, tha Abdixhiku.

Me numrat që ndoshta ia sigurojnë ngritjen e parlamentit dhe votëbesimin e qeverisë Kurti, urgjencën e zgjidhjes së krizës e sheh vetëm tek marrëveshja për Presidentin. Këtu thotë se me numrat zgjedhore të LDK-së me pritshmëritë nuk përputhen.

“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Kurti.

Në mungesë të konstituimit të parlamentit do të pamundësohej edhe një votim i mundshëm për presidentin e ri. Ndërkohë, mesnata e kësaj të premteje sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese të Kosovës vitin e kaluar, është afati i fundit kur kryeparlamentari dhe nënkryetarët duhet të jenë zgjedhur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:07
Kosovë/ Deputetët e PDK mblidhen në Kuvend, LDK dhe AAK thirrje Kurtit që të thërrasë sonte seancën konstituive

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë mbledhur në Kuvend, vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të.

Dy partitë e tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që ta thërrasë sonte vazhdimin e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e saj, LDK-ja ka shprehur shqetësimin për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, duke paralajmëruar se një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Kosovën në një fazë të paqartësisë kushtetuese dhe mungesës së legjitimitetit institucional.

Deputeti i AAK, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rendit kushtetues, duke thënë se veprimet e saj po krijojnë një precedent të rrezikshëm për vendin.

Ora 20:01
Zgjedhja e presidentit, Kurti i ofron PDK postin e kryetarit të Kuvendit, i kërkon mbështetje për zgjedhjen e presidentit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.

Në letrën drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Kurti ka shprehur keqardhje për refuzimin e takimit nga ana e kësaj partie, duke theksuar se komunikimi mes tyre duhet të zhvillohet përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm me shkresa zyrtare.

Ai ka thënë se e respekton vendimin e PDK-së për të mbetur në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.

Sipas Kurtit, kontributi real i PDK-së nuk është vetëm propozimi i emrit për nënkryetar të Kuvendit, por edhe pjesëmarrja në zgjedhjen e presidentit, gjë që, sipas tij, do ta shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar Kurti.

Në fund të letrës, ai i propozoi PDK-së që kjo parti të marrë postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të mbështetjes për presidentin. 

“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për president/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ora 17:54
Kuvendi i Kosovës vijon të shtunën seancën për konstituimin

1785850521_kuvendiikosoves.JPG

Edhe pse afati kushtetues për seancën konstituive të Kuvendit përfundon sonte, vazhdimi i saj është caktuar për të shtunën e 8 gushtit.

Në një njoftim publik, Kuvendi ka treguar se seanca do të vazhdojë me fillim nga ora 11 të shtunën.

Ora 15:56
Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg marrëveshjes, propozimi për presidentin duhet të vijë nga ne

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë shumë larg marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje. 

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me  Albin Kurtin.

Ai theksuoi se qëllimi i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja, derisa ka shprehur keqardhje, duke thënë se janë në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate. 

“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjatë”, është shprehur Abdixhiku.

Abdixhiku shtoi se LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin për president. 

“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zv.kryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është dinjitoze as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar. Sapo të pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër.  Nuk po flas ‘na jepni mbështetje dhe vijmë me dy emra’. Jo jo, flasim, sepse po flasim për presidentin”, ka shtuar ai.