TIRANË - Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova gjatë një takimi me banorë të njësisë Nr 8 i është kundërpërgjigjur Ramës për deklaratat e tij në lidhje me gratë për t’iu kthyer mendjen burrave që të votojnë kandidatët e mazhorancës.

 “Cila është ajo grua, që ti t’i përdhosësh burrin dhe ti japësh dorën? S’ka mundësi kurrë, burri është shtylla e shtëpisë. Gruaja e shkretë është ajo që i mbledh brenda gabimet dhe s’ia thotë as komshies as njeriu. Si mund t'i shash burrin, kryefamiljarin, në votë kundër ka për t’u kthyer edhe kjo, ta keni të sigurt”.- është shprehur Halim Kosova.

Më tej ai u shpreh se një nga shqetësimet për të gjithë banorët e kryeqytetit është higjiena dhe pastërtia. Për këtë arsye Kosova u shpreh se do të punojë për ta kthyer Tiranën në një qytet i shëndetshëm.

Ndërsa renditi edhe ndërhyrje konkrete në njësinë 8 në infrastrukturën rrugore, arsimore por edhe në ujësjellës-kanalizime që sipas tij do të realizojë për këtë zonë. Kosova u shpreh se ka një program për realizimin e planit të tij. 

Kosova diferencoi dy premtime që sipas tij janë edhe më të rëndësishmet, ulja e taksave dhe furnizimi me ujë.

“Do të ulim 30% taksat për bizneset dhe brenda mandatit të parë do të sigurojmë furnizimin me ujë 24 orë për të gjithë qytetarët.”- tha Kosova.

Redaksia Online
(a.h/ Shqiptarja.com)