/ATSH/.- Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, po qëndron sot në Vjenë, ku po merr pjesë në Konferencën me temë "Luftimi i përbashkët i ekstremizmit të dhunshëm", të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Austrisë.
Në këtë konferencë ku po marrin pjesë ministra të punëve të Jashtme dhe të Brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ministri Hyseni ka folur për masat që ka marrë Kosova për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm.
Ministri Hyseni shprehu përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera të Kosovës për të luftuar këtë dukuri prej së cilës asnjë vend nuk është imun.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi përkrahjen e përfaqësuesve pjesëmarrës për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë policorë, në veçanti INTERPOL dhe EUROPOL, që do t'i mundësonte asaj shkëmbim edhe më efikas të informacioneve me vendet e tjera.
Njoftimi i dërguar nga Vjena i Ministrisë së Brendshme të Kosovës thekson se, Konferenca e sotme është një prej iniciativave që dalin nga përkushtimi i shumë vendeve të botës i bërë në Samitin e Uashingtonit që u mbajt në shkurt të këtij viti. Qëllimi primar ishte forcimi i bashkëpunimit midis vendeve të rajonit në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.