Votimi u mbyll pa incidente në Kosovë, morën pjesë rreth 46% e qytetarëve! KQZ numëron mbi 450 mijë vota, kryeson bindshëm Albin Kurti (Numërimi live)

Në Kosovë vijon numërimi i votave që pasi është mbyllur procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare për qeverinë e re dhe kryeministrin.

Deri më tani KQZ ka numëruar mbi 450 mijë vota dhe kryeson bindshëm Albin Kurti. Vetëvendosja është e para me 48.28% të votave, ndërkohë që ndiqet në vend të dytë nga PDK me 18.07% të votave dhe në vend të tretë vjen LDK me 13.60% të votave. Ndërkohë që vijon numërimi përditësimin e rezultateve mund ta shihni live KËTU.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 46.90%. Menjëherë pas përfundimit të votimit 3 Exit Pollet e para nxorën fitues Albin Kurtin. Njëri Exit poll, i pari pas mbylljes së votimeve, i realizuar nga “Albanian Post” në të cilin nuk janë të përfshira votat e minoriteteve, shpall fituese Vetëvendosjen. Sipas këtij Exit Polli, se partia e parë është Vetëvendosja me 53 %. Edhe në Exit Pollin RTV Dukagjin, VV-ja del e para me 47.9%! Partia e dytë është PDK me 20 % kurse partia e tretë është LDK me 17 %.  Ndërkaq edhe Exit Polli i mediumit Koha nxjerr fitues Kurtin.

Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 dhe në 38 komunat e Kosovës, qytetarët mundën të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotimet. Ndonëse në total ka pasur një pjesëmarje të ulët të votuesve për shkak dhe të pandemisë e motit të keq, në këto zgjedhje është vënë re se në komunat me shumicë serbe ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe.

Kosova votoi për të zgjedhur 120 deputetë, ndërsa në të gjithë vendin ishin 888 qendra zgjedhore, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime. Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare morën pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.  Zgjedhjet parlamentare në Kosovës u zhvilluan në të gjithë territorin e vendit dhe këtë vit, ndryshe nga çdo herë tjetër u mbajtën pa ndihmën e OSBE-së e cila ka qenë e pranishme në zgjedhjet lokale që prej vitit 2013, por për shkak të pandemisë, ato u organizuan plotësisht nga KQZ-ja.

Por përse erdhën këto zgjedhjet e parakohshme në Kosovë? Pas një kërkese-padie, nga kreu i partisë Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me votën e deputetit, Etem Aridi e cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, Gjykata Kushtetuese e Republikë së Kosovës, e shpalli atë të pavlefshme. Kjo u bazua në argumentin se nuk kishte legjitimitet për të votuar pasi ai është dënuar më parë me vendim të formës së prerë nga Gjykata dhe një gjë e tillë në bazë të Kushtetues Kosovare është e ndaluar. Si pasojë presidentja në detyrë Vjosa Osmani, pas vendimit të formës së prerë shpërndau parlamentin dhe caktoi datën e re të zgjedhjeve, e cila është 14 shkurti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:28
KQZ numëron mbi 450 mijë vota, kryeson bindshëm Albin Kurti! Ndiqet nga PDK dhe LDK

KQZ në Kosovë ka numëruar mbi 450 mijë vota tashmë dhe kryeson bindshëm Albin Kurti.

Vetëvendosje është e para me 48.28% të votave. Ndërkohë që ndiqet në vend të dytë nga PDK me 18.07% të votave dhe e treta vjen LDK me 13.60% të votave. 

 

Ora 21:18
Numërohen 440 mijë vota në Kosovë, kryeson Kurti

1613333970_Screenshot77600x360.png

KQZ ka numëruar 440 mijë vota tashmë. Vetëvendosje po prin e para me 45.65% të votave. Ndërkohë e dyta është PDK me 19.14% të votave dhe e treta vjen LDK me 13.37% të votave.  Aktualisht AAK ka 9% të votave. Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit AAK kishte dalë 11.5%. Nisma aktualisht ka 2.85% të votave, pamjaftueshëm për ta kaluar pragun. Rezultatet mund t’i shihni këtu.

Ora 21:03
Rezultatet e para të zgjedhjeve, Haradinaj: S'kemi vija të kuqe për asnjë parti, as për Vetëvendosjen! Exit poll-et kanë një shpërputhje

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve dhe fillimit të numërimit të votave nga KQZ-ja.

Ai ka thënë se ka një shpërputhje në rezultatet e Exit-poll’eve që janë publikuar, derisa thotë që AAK është tek 10 përqindëshi.

“Mirë është që të presim rezultatin, që të gjithë të ndihen të respektuar në këtë proces. U pa që exit poll-et kanë një shpërputhje. Ne jemi tek 10 %. S’kemi vija të kuqe as për Vetëvendosjen e as për ndonjë subjekt politik”, ka thënë Haradinaj.

Ora 20:54
Rezultatet e para nxjerrin fitues Kurtin, Vetëvendosja nis festën në Prishtinë

Pasi Exit Pollet e para nxorrën fitues Albin Kurtin me përfundmin e votimit në Kosovë, Vetëvendosja ka nisur festën në Prishtinë.

Para selisë së VV-së në Prishtinë, kanë nisur brohorimat dhe hedhja efishekzjarreve.

Ora 20:31
Nis numërimi i votave në KQZ, ja kush parti kryeson (Rezultatet drejtpërdrejt)

KQZ ka numëruar 168 mijë vota tashmë. Vetëvendosje kryeson me 44.06% të votave. Ndërkohë e dyta është PDK me 18.66% të votave dhe e treta vjen LDK me 14.33% të votave. Rezultatet mund t’i shihni live këtu.

Kujtojmë se KQZ’ja pak më parë ka konfirmuar se mbi 46 për qind e votuesve kanë dalë në zgjedhje.

Ora 19:59
Zgjedhjet në Kosovë, mes pandemisë e motit të keq! Qytetarët serbë në Gracanicë të rezervuar për komente: Këtu s'ka patur probleme

Qytetarët e Kosovës votuan sot nga ora 07-19:00 për Kuvendin e ri të Kosovës. Tashmë është mbyllur procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja ishte mbi 46%. 

Pavarësisht motit të keq dhe pandemisë, qytetarët janë treguar të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje, sidomos sërbët.

Qytetarët serbë që janë pyetur në Gracanicë ishin indiferentë për të dhënë një mendim mbi situatën e zgjedhjeve, ndonëse kaloi pa incidente.

"Unë spo dal me votu, për kë me votu".

"Situata deri në këto momente është e qetë, pjesëmarrja është e ulët mbase për shkak të situatës së covid 19, po respektohen rregullat e pandemisë. Këtu ska patur probleme", ishte ky një qytetar serb i pyetur, i vetmi që dha një prononcim.

Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare  morën pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Ora 19:48
Mbyllja e votimit, reagon Ambasada Amerikane në Kosovë: Inkurajuese që morën pjesë kaq shumë qutetarë pavarësisht motit dhe pandemisë

1613328742_AmbasadaeSHBAPrishtin600x360.jpg

Ambasada e Amerikës në Kosovë ka reaguar pas mbylljes së votimit në Kosovë. Në reagim thuhet se është inkurajuese kur shihet një numër i madh i qytetarëve që votojnë sot, duke pasur parasysh motin e keq dhe pandeminë.

Gjithashtu, Ambasada bëri thirrje që t’i jepet kohë KQZ’së dhe institucioneve të tjera, që të numërohen votat dhe ta bëjnë punën e tyre

"Inkurajuese për të pare që kaq shumë qytetarë dolën të votojnë paqësisht sot, pavarësisht nga moti dhe pandemia. Tash është e rëndësishme që KQZ’së dhe Institucioneve tjera në Kosovë t’iu japim kohë dhe hapësirë për t’i numëruar votat dhe për të bërë punën e tyre", thotë ambasada.

Kujtojmë se KQZ’ja pak më parë ka konfirmuar se mbi 46 për qind e votuesve kanë dalë në zgjedhje.

Ora 19:35
Përfundimi i votimit për Zgjedhjet në Kosovë, Exit Pollet nxjerrin fitues Albin Kurtin

Në Kosovë ka përfunduar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare për qeverinë e re dhe kryeministrin dhe menjëhjerë më pas Exit Pollet e para kanë nxjerrë fitues partinë Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin. 

Njëri Exit poll, i pari pas mbylljes së votimeve në Kosovë, i realizuar nga “Albanian Post” në të cilin nuk janë të përfshira votat e minoriteteve, shpall fituese Vetëvendosjen. Sipas këtij Exit Polli, se partia e parë është Vetëvendosja me 53 %. 

Kanë dalë edhe 2 Exit Polle të tjera për zgjedhjet të cilat po ashtu shpallin fituese Vetëvendosjen. Edhe në Exit Pollin RTV Dukagjin, VV’ja del e para me 47.9%! Partia e dytë është : PDK me 20 %; Partia e tretë është: LDK me 17 %; Partia e katërt është: AAK 7 %; Partia e pestë: NISMA 2 %. Ndërkaq edhe Exit Polli i mediumit Koha nxjerr fitues Kurtin.

Instituti PIPOS ka publikuar rezultatin e Exit Poll-it.

Këto janë rezultatet e zgjedhjeve për partitë shqiptare.

Sipas këtij EXIT POLL-i, që nuk paraqet rezultatet zyrtare, partitë politike në vend në këto zgjedhje janë renditur kështu:

1: Vetëvendosje me 41.8 %

2: PDK me 16.5 %

3: LDK me 15.2 %

4: AAK me 7.2 %

5: Nisma me 2.6 %

6: Komunitetet pakicë me 16.7 %

Në Exit Pollin e UBO Consulting publikuar menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, në orën 19, më RTV Dukagjini dhe të transmetuar edhe në faqen e Facebookut të Ballkani.info, Sipas UBO Consulting del se VV ka marrë 47.9 për qind, PDK, 17.7, LDK 14.6, AAK 6.6 dhe Nisma 2.5 për qind.del se VV ka marrë 55 deputetë, PDK, 20, LDK 17, AAK 8 deputetë dhe NISMA 0 deputet.Exit Polli i  krijuar nga Albanian Post dhe Baton Haxkiu ka renditur Lëvizjen Vetëvendosje të parën në këto zgjedhje me 53% të votave,shkruan Gazeta Sinjali.

E dyta renditet PDK me 20%  kurse e treta LDK me 17

Ky është Exit Polli i mediumit Koha:

Mediumi Koha.net ka publikuar një exit poll me renditjen e partive.

Sipas këtij Exit Poll-i, Vetëvendosja renditet e para me 50.7 % të votave

E dyta renditet PDK’ja me 15.4 %

E treta LDK me 15.1%

E katërta AAk me 6.8%

E pesta Lista Serbe me 5.8%

E gjashta Nisma me 2.9 %

Ora 19:22
KQZ për zgjedhjet në Kosovë: Morën pjesë mbi 46% e votuesve

Në Kosovë ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte mbi 46 për qind.

Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe u mbyllën në ora 19:00. Qytetarët që ishin brenda qendrave të votimit u lejuan që të votojnë edhe pas orës 19:00.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kishin 1.794.862 qytetarë.

Në 38 komunat e Kosovës, qytetarët mundën të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotimet.

Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Ora 19:15
Përfundon votimi në Kosovë/ Del Exit Polli i parë, pa votat e minoriteteve fiton Vetëvendosja

Exit polli i parë pas mbylljes së votimeve në Kosovë, i realizuar nga “Albanian Post” në të cilin nuk janë të përfshira votat e minoriteteve, shpall fituese Vetëvendosjen.

Sipas këtij Exit Polli, partia e parë është Vetëvendosja me 53 %.

Edhe ne Exit Pollin RTV Dukagjin, VV’ja del e para me 47.9%

Partia e dytë është : PDK me 20 %

Partia e tretë është: LDK me 17 %

Partia e katërt është: AAK 7 %

Partia e pestë: NISMA 2 %

Baton Haxhiu ka treguar se janë përfshirë 2 mijë e 500 persona.

Ora 19:09
Përfundon orari zyrtar i votimit në Kosovë

Tashmë është mbyllur procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë dhe pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me rezultatet e zgjedhjeve.

Ora 17:47
Zgjedhjet në Kosovë/ 81-vjeçarit i bie të fikët në qendër të votimit, vdes në spital

1613321335_8d5583969aa04d1286e9f8f9c82eb524.jpg

Një 81-vjeçar ka ndërruar jetë në spital pasi i kishte rënë të fikët brenda qendrës së votimit në Kacanik, të Kosovës.

81-vjeçari është dërguar urgjentisht në spital, por aty ka ndërruar jetë.

Detaje për këtë rast kanë dhënë nga zyra e KQZ-së në këtë komunë.

Ora 17:41
Zgjedhjet në Kosovë/ Serbët votojnë masivisht

Vijon votimi në Kosovë për zgjedhjet parlamentare pa incidente.

Gazetarja e Report Tv Suada Mehmetaj në një raportim nga Grashanica, thotë se në komunat me shumicë Serbe ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe.

Serbët në veri të Kosovës dhe këtë vit kanë shkuar të votojnë në mënyrë të organizuar. Mirëpo ndërsa janë pyetur, qytetarët nuk kanë dashur të shprehin mendimin e tyre për atë se çfarë po ndodh në këto zgjedhje.

Këto janë zgjedhjet e para në veri që nuk organizohen me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

 

Ora 16:45
Zgjedhjet në Kosovë/ Lejohet votimi edhe me dokumente me afat të skaduar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të lejojë të votojnë qytetarët, të cilët kanë letërnjoftim të Kosovës me afat të skaduar.

“Sapo i kemi njoftuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve se KQZ ka marrë vendim për lejimin e votuesve që të votojnë me letërnjoftime me afat të skaduar dhe të cilët figurojnë në listat përfundimtare të votuesve”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kanë kanë 1.794.862 qytetarë.

Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut.Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Sipas koalicionit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), deri në orën 13:00 në zgjedhjet parlamentare kanë votuar 19.8 për qind e qytetarëve.

Ora 15:25
Zgjedhjet, flasin për Report TV qytetarët: Shpresojmë që në Kosovë do të udhëheqin njerëzit e fitores dhe jo të fitimit!

 

Qytetarët e Kosovës vendosin sot për qeverinë e re dhe kryeministrin.

Në një prononcim për Report TV, qytetarët që kanë votuar në Kosovë shprehen se shpresojnë, që të kenë një qeveri të re dhe të qëndrueshme.

‘Po kam votuar. Mendojmë se pas shumë përpjekjesh do të ketë një qeveri. Shpresojmë që të gjithë të dalin në zgjedhje. Shpresojmë që të kemi një qeveri të re. Shpresat i kemi tek ato parti që ende nuk kanë qenë në qeveri dhe një prej tyre është LVV.’- tha një qytetar.

‘Po shpresat nuk duhet ti humbim kurrë, në këtë rast shpresojmë që Kosovën do të udhëheqin njerëzit e llojit të fitores dhe jo të llojit të fitimit. Shpresojmë mendja e shëndoshë në trupin e shëndoshe dhe këtë e ka rinia.’- tha një tjetër votues.

Ora 15:06
Zgjedhjet në Kosovë, 32 % e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00

Sipas të dhënave që ka publikuar KQZ e Kosovës, qendrave të votimit u janë drejtuar 32 % e qytetarëve për ët hedhur votën e tyre.

Ora 14:07
Zgjedhjet në Kosovë, qytetarët për Report TV: Shpresojmë të bëhet mirë, votën e kemi obligim (VIDEO)

Kosova vendos sot për qeverinë e re për të zgjedhur 120 deputetë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Report Tv me gazetaren Suada Mehmetaj është prezente në qendrat e votimit për të ndjekur këtë proces nga afër. Kanë qenë të shumtë qytetarët që i janë drejtuar qendrave të votimi, dhe për mikrofonin e Report Tv shprehen se shpresojnë që të krijojnë një qeveri të drejtë dhe të mirë për vendin.

"Ka me qenë mjaft sfiduese, por si gjithmonë ne nuk jemi dorëzuar dhe as këtë herë nuk do e bëjmë. Shpresojmë të kemi një arritje të mirë", tha një qytetar

"Shpresojmë të kemi një arritje të mirë", tha një tjetër

"Shpresat i kemi të arrijmë më të mirën", tha qytetari.

 "Nuk na pengon as koha e keq e as COVID, votën e kem obligim, ishalla bëhet mirë" tha një tjetër.

Ora 13:36
E moshuara 103-vjeçare voton në Kosovë: Ndihem sikur jam 15-vjeçe

1613306335_kooo.jpg

E moshuara 103 vjeçare nga Vërbani i Vitisë, së Kosovës ka ushtruar të drejtën e votës. Ajo ishte shoqëruar nga një familjar i cili e ndihmonte gjatë procesit të votimit.

E moshuara tha se ndjehet si me qenë e re dhe ka dëshirë të ecë vetë.

“S’ni bile, sikur mi pas 15 vjet. Kush për krahi skam qef mem rrok, vet kam qef me ec”, tha ajo.

Ora 12:53
Fotografoi votën në qendrën e votimit, shoqërohet në polici qytetari në Prizren

Një votues ka fotografuar votën në një qendre votimi në Prizren, ndërsa më pas është shoqëruar në polici.

Rasti ka ndodhur saktësisht në qendrën e votimit në shkollën “Nazim Kokollari” në Prizren.

Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 10:03.

Belkize Hoxha menaxhere në këtë qendër tha se në këtë qendër një përfaqësuesi i KDI-së ka vërejtur se një votues ka fotografuar votën.

Më pas tha ajo në bazë të procedurave rastin e kanë njoftuar në Polici.

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DnV), gjatë tha se   raste të fotografimit të votës janë hasur në 2% të vendvotimeve ne Kosove, Deri tani jane shenuar 4 rate te fotografimit te votes.

Ora 12:42
Kosova voton, Valdete Daka për Report Tv: Nuk ka incidente, materialet  zgjedhore shkuan në kohë! Rezultatet e para të votimin në orën 21:00 (VIDEO)

Kryetarja e KQZ-së në Kosovës, Valdete Daka gjatë një interviste të Report Tv tha se deri tani procesi është duke vijuar pa incidente dhe se qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe nuk ka pasur vonesa të dorëzimit të materialeve zgjedhore.

"Procesi po ecën normalisht dhe siç është planifikuar dhe nuk kemi raportime për incidente që mund të dëmtojnë imazhin e ditës së sotme. Edhe pse sot kemi një mot jashtëzakonisht të ftohtë, pothuajse në të gjithë Kosovës janë hapur në kohë qendrat e votimin, përveç dy apo tre fshatrave në thellësi janë hapur pak më vonë për shkak të bllokimit nga dëbora" tha Daka.

Në lidhje me numrin e votuesve, ku deri në orën 11:00 kanë votuar 8.3 % e qytetarëve, Daka tha se ka zvogëlim të numrit të përgjithshëm të votuesve krahasuar me zgjedhjeve të kaluara, ndërsa tha  së në orën 21:00 pritet ët dalin rezultatet e para të zgjedhjeve,

 "Lista e votuesve është zvogëluar dhe numri i votuesve është thuajse e njëjtë dhe dalja është thuajse e njëjta krahasuar me zgjedhjet  e kaluara. Edhe në komunat me shumicë serbe procesi vijon normalisht. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00 dhe më pas fillon numërimi i votave dhe shpresoj që pas orës 21:00 të jepen rezultatet e para. Vota e emigrantëve me postë do  të vonojë disa ditë të numërohet", tha Daka.

Qytetarët e Kosovës vendosin sot për qeverinë e re dhe kryeministrin. Qendrat e votimit që janë hapur prej orës 07:00 pritet t'u drejtohen  1,794,862 qytetarë me të drejtë vote.

Ora 11:48
Zgjedhjet në Kosovë, deri në orën 11:00 votojnë 8.3 % e votuesve, nuk ka incidente

Zgjedhjet në Kosovë vijojnë të mbahen pa incidente dhe deri në orën 11:00 kanë marrë pjesë 8.3 % të votuesve ose 145 mijë e 650 nga 1 milion e 794 mije e 862 votues.

"Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale te Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar normalisht. Po ashtu, nga dhoma operative e KQZ-së ju njoftoj se nuk ka raportime për incidente të cilat mund ta dëmtojnë integritetin e ditës së zgjedhjeve.

Duke u mbështetur në të dhënat nga qendrat e votimit, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.30% e votusve apo 145 mijë e 650 nga 1 milion e 794 mije e 862 votues.

Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019, kishin votuar 9.64% apo 174 mije e 669 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues", njofton KQZ e Kosovës

 

Ora 10:35
Zgjedhjet në Kosovë, ambasada amerikane: Votoni, tregoni dashurinë për vendin tuaj dhe familjen

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasada shkruan se qytetarët duhet reagojnë dashurinë e tyre për shtetin dhe familjen.

“Këtë ditë të Shën Valentinit tregoni dashurinë për shtetin dhe familjen tuaj. Votoni! E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është duke u zhvilluar me rregull dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“KQZ njofton se sipas planifikimeve në orët hershme, dhe në kohë është shpërndarë materiali i ndjeshëm në të gjitha qendrat e votimit. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orarin e paraparë. Procesi i votimit është duke vijuar normalisht”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

Qendrat e votimit u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Ora 10:22
E shoqëruar nga vajzat dhe bashkëshorti, voton Vjosa Osmani: Sot është një ditë e bardhë për Kosovën (VIDEO)

Të drejtën e saj kushtetuese për të votuar këtë të diel e ka ushtruar edhe Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani ka votuar në fakultetin Teknik, ku ishte e shoqëruar me bashkëshortin e saj dhe dy vajzat

“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe individual. Është një ditë e ftohtë por ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, ftesë e veçantë për të gjitha vajzat dhe gratë.

Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë mërgatën tonë, që kanë bërë një sakrificë të madhe duke ardhë e duke marrë pjesë në votime përmes postës”- ka thënë Osmani pas votimit.

1613294682_vjosaa.png 

Ora 10:05
Voton kreu i LVV-së Albin Kurti: Sot vendos populli (VIDEO)

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kandidat i këtij subjekti për kryeministër, Albin Kurti, ka hedhur votën e tij në Fakultetin Ekonomik në kryeqytet.

Pas hedhjes së votës, Kurti tha se sot është ditë e bardhë si e ardhmja e vendit.

“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë e ardhmja jonë. Sot kjo nevojë është edhe e drejtë e cila më tej paraqet mundësi dhe rast që duhet përdorur. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet si sigurim i sovranitetit. Fushatat zgjedhore kanë përfunduar. Sot vendos populli”,tha Kurti.

Ora 09:54
Voton Hoti, apelon te qytetarët që të dalin në votime

Avdullah Hoti ka votuar në qendrën e votimit të Fakultetit të Filologjisë. Pas hedhjes së votës së tij Hoti ka ftuar qytetarët të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Sot është dita e tyre. Falënderoj krejt stafin duke filluar nga KQZ-ja, pres që të kemi një proces të rregullt zgjedhor”, tha Hoti.

Ora 09:38
Zgjedhjet në Kosovë, voton Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj

Të dy kandidatë për kryeministër, Ramush Haradinaj kryetar i AAK-së dhe Enver Hoxhaj nga PDK-ja kanë votuar sot në Kosovë. 

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit te Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Ali Sokoli” i shoqëruar nga gruaja e tij, Anita Muçaj.

Ai tha se këto zgjedhje janë më rëndësi dhe ka apeluar te qytetarët që të dalin të votojnë.

“I lus qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën që të votojnë. Ju lutem votoni të gjithë”, tha Haradinaj.

Ora 09:30
Zgjedhjet në Kosovë, Xhaçka: Kjo është një kohë vendimtare, urojmë për një garë të qetë e qytetare

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar që qytetarët e Kosovës të krijojnë ditën e sotme një proces të qetë votimi, ndërsa thekson se kjo është një kohë vendimtare për ta.

"Një ditë e madhe për Kosovën! Urojmë për një garë të qetë e qytetare siç e meritojnë qytetarët kosovarë. Kjo është një kohë vendimtare për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e kudo. Një kohë për t’i treguar Europës e botës maturi e mençuri", shkruan Xhaçka.

Kosova voton sot për të zgjedhur 120 deputetët që do të formojnë qeverinë e re.

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • gomari: 14/02/2021 20:09

    Bravo kosovaret qe votuat vellane tim Albin....

    Përgjigju
  • Lon: 14/02/2021 13:54

    Mos mu gezo moj sbpata se e paske prehur shum shpaten se kta koqevaret nuk e din vet se ku jan, do vij ky gaz helmuesi te shpetoj bythen tate. Ty meqense e preske shpetimin nga keta (pasi nuk e di nga kush je zaptuar)shko e rri ke kta se do bosh pall nuk do punosh fare vetem do hash me lug wc.

    Përgjigju
  • Shpata: 14/02/2021 13:38

    Voto Kosove, voto! Nga ty e presim shpetimin edhe ne Shqiperi!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë