/ATSH-B.Jashari/.- "Papunësia në Kosovë: 3 metoda për krijimin e afro 20,000 vendeve të punës në sektorin publik", është analiza me rekomandime e Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) së bashku me Fondacionin Friedrich Ebert (FES), e prezantuar në Prishtinë.
Në konferencën për shtyp u tha se, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, niveli i papunësisë në vend për vitin 2014 shënon 35.1%. Rreth 49% e popullsisë së Kosovës janë nën moshën 25 vjeçare dhe niveli i papunësisë për këtë shtresë të shoqërise arrinë në 55.3%. Duke parë nevojën për veprim të menjëhershëm nga ana e qeverisë së Kosovës, INDEP propozon tre masa, të cilat do të kontribuonin në drejtim të krijimt të përafërsisht 20,000 vendeve të punës, me fokus në angazhimin e brezeve të reja në tregun e punës.
Rekomandimi i parë kërkon që të ulet mosha e pensionit nga 65 në 60 vjeç për sektorin publik, për të krijuar mundësi e hapësirë punësimi për afërsisht 17,000 persona. Sipas Trustit Pensional të Kosovës, në vitin 2014 ishin 17,479 punëtorë në institucionet publike mbi moshën 60 vjeçare.
Rekomandimi i dytë kërkon që të ndalohet punësimi i shumëfishtë në sektorin publik, që të hapeshin përafërsisht 2,000 vende pune. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, në vitin 2014 ishin 1,555 persona të angazhuar në dy vende pune, 312 në tre, 31 persona mbajnë katër pozita zyrtare, 10 persona kishin 5 vende pune dhe një është i punësuar në 6 vende pune në sektorin publik.
Rekomandimi i tretë është ideja për krijimin e kredive tatimore. INDEP sugjeron që secili biznes që arrin të hapë tre vende të reja të punës brenda një viti fiskal, qofshin ato kompani kosovare apo të huaja, të kenë mundësi të zbresin detyrimet tatimore vjetore deri në shumën e rrogave të paguara për punëtorët e angazhuar.
INDEP thekson që tre masat e prezentuara përveç që do të kenë impakt pozitiv në krijimin e mundësive të reja për punë, detyrimisht do të kenë edhe implikime buxhetore. Mirëpo, për të kompenzuar shpenzimet që do të lindnin si pasojë e fuqizimit të tyre, INDEP propozon që: Të rritet tatimi në të ardhura për punën e dytë; të prezantohen tavane të reja për tatimin në të ardhurat mujore nga paga; të bëhet riorganizim i orarit të punës në institucionet zyrtare; të reduktohen dhe të menaxhohen në mënyrë më transparente mëditjet për udhëtimet zyrtare dhe të bëhet nivelizimi i rrogave në sektorin publik; të anulohet fondi i kuadrove.
Masat e rekomanduara i adresohen qeverisë së Kosovës dhe të gjithë akterëve që kanë rol vendimtar në përpilimin e politikave për të luftuar papunësinë në vend. Kjo analizë është realizuar nga Instituti për Politika Zvhillimore (INDEP) me përkhrahje të Fondacionit Friedrich Ebert, zyra në Prishtinë.