"Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të sigurohemi që e ardhmja të mos përcaktohet nga e kaluara e hidhur", u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në premierën e filmit "Tri dritare dhe një varje".

Filmi i regjisorit të mirënjohur Isa Qosja, tha ajo, rrëfen historinë më të rëndë të periudhës së luftës, të mijëra grave e vajzave të Kosovës, përjetimet e të cilave kërkojnë ndërgjegjësimin jo vetëm kolektiv, por edhe përgjegjësinë që kemi ndaj njëri-tjetrit, si qytetarë të këtij vendi.

"Rrëfimet e rënda të luftës nuk janë të lehta të dëgjohen dhe shumë më pak të pranohen. Rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, deri më sot kanë qenë heshtja më e madhe e pasluftës dhe përjashtimi i padrejtë i tyre nga shoqëria jonë. Ikja prej tyre është ikje prej të vërtetës së rëndë, prej njohjes së padrejtësisë së madhe të ushtruar mbi më të dashurit tanë, padrejtësi që i thyente ato dhe përmes tyre na thyente të gjithë ne", theksoi Jahjaga

Përballja me të vërtetën, vijoi ajo, dhe mbi të gjitha vënia në vend e drejtësisë për ato që kanë vuajtur dyfish pasojat e luftës, dhunën mbi to dhe një periudhë të gjatë prej 15 vjetësh të stigmatizimit do të arrijë t'iu kthejë atyre dhe gjithë shoqërisë sonë qetësinë dhe paqen që lufta padrejtësisht ua mori.

"Filmi që sonte së bashku do ta shikojmë i jep zë, përmes aktorëve të tij, në regjinë e jashtëzakonshme të Isa Qosjes, shumë zërave të heshtur të vajzave, grave, motrave e nënave tona. I jep zë atyre që kanë kaluar një jetë të tërë të dhimbjes dhe na kujton, si shoqëri, se vendi i tyre është këtu së bashku me ne", tha mbrëmë Presidentja e Kosovës në premierën e filimit për rrëfimin tronditës të një gruaje që fatkeqësinë e saj e ka kthyer në forcë.

Në Kosovë, gjatë korrikut të kësaj vere, Peticioni "Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë" është nënshkruar nga 115,759 qytetarë, brenda pesë ditëve.
"Qëllimi i këtij peticioni është arritja e drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë", u tha me atë rast. U theksua se, "krimi gjenocidal që ka prekur mbi 20,000 gra në Kosovë, ka mbetur ende i pandëshkuar 15 vjet nga përfundimi i luftës"./ATSH/