/ATSH-B.Jashari/.- Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës pritet të votohet sot në ditën e dytë të seancës plenare, ku pas shqyrtimit të parë ditën e djeshme nuk kishte kuorum.
Gjatë debatit në punimet e seancës së Kuvendit nga paraditja e djeshme deri mbrëmë, shumë nga deputetët kanë kërkuar që 28 Nëntori, që me ligjin e tashëm është memoriale - Dita e shqiptareve, të jetë festë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, është kërkuar që të përfshihen në projektligj edhe Dita e Çlirimit të Kosovës, Dita e Dëshmorëve dhe Dita e të Pagjeturve.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, sipas prezantimit në Kuvend, kalon Ditën e Evropës nga ditë pushimi te ditët memoriale, ndërsa parasheh edhe tre festa memoriale për komunitetet: kroate, malazeze dhe egjiptiane.
Kalendari i plotë i ditëve të festave zyrtare dhe memoriale në Kosovë do përcaktohet me shqyrtimin e dytë dhe miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, në një seancë të ardhshme të Kuvendit.
Axhenda për sot e seancës së Kuvendit të Kosovës të nisur dje hapet me pikën 6: "Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë", ndërsa përfundon me të 32-tën: Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës nga radha e komunitetit serb. Ka munësi që, për shkak të pikave të shumëta në rend dite, seanca që sot mblidhet në ditën e dytë të vazhdojë edhe një ditë tjetër.
Ligji aktual, i cili është në procedurë ndryshimi, në "Neni 2 Festat zyrtare në Republikën e Kosovës", përcaktonte: " 2.1 Duke pasur parasysh respektimin e historisë, kulturës dhe të traditave, të popullit të Kosovës dhe të shtetasve të saj, festa zyrtare në Republikën e Kosovës janë: a) Viti i Ri-1 dhe 2 janari; b) Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti; c) Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli; d) Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji; e) Dita e Evropës, 9 Maji; 2 f) Bajrami i Madh, dita e parë; g) Bajrami i Vogël, dita e parë; h) Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor; i) Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar; j) Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve; k) Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve".
Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, po ashtu, përcaktonte: "5.5 "Ditët memoriale janë: a) 28 Nëntori, dita e shqiptareve; b) 12 Qershori, dita e paqes; c) 6 Marsi, dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranet; 3 d) 23 Prilli, dita e turqve; e) 8 Prilli, dita e romeve; f) 15 Shkurti, dita e ashkalinjëve; g) 28 Shtatori, dita e boshnjakeve; h) 6 Maji, dita e goranëve. Ditët tjera memoriale përcaktohen nga Qeveria e Republikës se Kosovës në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës, nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb të Kosovës".
Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës është miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari - Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 7 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëruan 1.739. 825 banorë rezidentë. Regjistrimi tregonte se në Kosovë 92.93 % e banorëve janë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë.