PRISHTINË - Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë edhe sot debatin parlamentar për punën 100 ditore të Kryeministrit Isa Mustafa dhe programin qeverisës, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë.
Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, rekomandimin për transferimin e mjeteve nga Buxheti i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës në Buxhetin e Komunës së Gjakovës për vitin 2015, rekomandimin e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike, si dhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Ditën e djeshme njëqind ditët e para të qeverisjes aktuale janë vlerësuar të pa shpresë nga deputetët opozitarë, për qytetarët e vendit, derisa pozita kishte vlerësime kryesisht pozitive për punën e koalicionit qeverisës në këto njëqind ditë. /ATSH/