/ATSH/.- Fqinjësia e mirë dhe bashkëjetesa janë dëshmi e arritjeve tona në rrugën euroatlantike, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një takim sot me zëvendëskryeministrin e qeverisë së Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i mirë fqinjësor është vlerë e përcaktimit në rrugën e përbashkët euroatlantike.

"Kosova dhe institucionet e saj janë të vendosura të zhvillojnë fqinjësinë e mirë ndërshtetërore në rajon dhe më gjerë, duke respektuar dhe konsideruar pakicat si vlera dhe ura lidhëse në mes të shteteve, ndërsa të drejtat e minoriteteve si vlera universale", theksoi Veseli dhe vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimet në rajon, në veçanti bashkëpunimin ekonomik.

Markoviq shprehu respekt për punën dhe bashkëpunimin ndërshtetëror, duke theksuar se "axhenda e zhvillimit ekonomik mbetet prioritet për rajonin dhe përkushtimin në rrugën e përbashkët të integrimeve rajonale dhe globale".

Zëvendëskryeministri malazez konfirmoi përkrahjen e shtetit të tij për rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian të saj, duke ofruar edhe përvojën e Podgoricës zyrtare në këtë drejtim.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për demarkacionin e kufirit, evidentimin e malazesëve si kategori kushtetuese në Republikën e Kosovës, si dhe bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

Kryetari Veseli në takim me zëvendëskryeministrin Markoviq ka theksuar se Kosova dhe populli i saj çmon vlerat e fqinjëve të vet dhe ka dëshmuar se është e vendosur për respektimin dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, ashtu siç është i përkushtuar edhe Mali i Zi.