Një ditë më parë Memli Krasniqi njoftoi dorëheqjen si kryetar i partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës.

Në lidhje me këtë situatë, gazetari Shkodran Hoti në një lidhje të drejtë përdrejtë ‘Sot Live në Shqipëri’, tha se ky vendim nuk ishte diçka i papritur, por e diskutar prej kohësh.

 “Nuk mendoj që ka qenë e papritur. Dorëheqja ka qenë një proces që e ka menduar për kohë të gjatë. Emri që mund ta pasojë është ai i Bedri Hamzës. Kjo është diçka që është diskutuar, teksa hyjmë në një proces të ri elektoral”, tha Hoti.

Hoti theksoi se Hamza është një figurë me peshë të madhe në politikë, teksa shtoi se nëse ai do të jetë në krye të PDK do të jetë një njeri i cili do të çojë më tej punën që Krasniqi ka bërë gjatë këtyre katër viteve.

“Hamza është një figurë politike që ka një përvojë të gjatë në udhëheqjen e institucioneve politike. Brenda PDK konsiderohet si figurë me peshë të madhe politike. Është një figurë që e unifikon partinë. Është një vazhdimësi cfarë ka bërë Krasniqi në këto katër vite.

PDK nuk ka pasur figurë më të rëndësishme se Hamza për t’u përballur me dy rivalët e tjerë politikë. Zgjedhjet për kryetarin e ri do të mbahen të hënën megjithatë nuk dihet nëse do të jetë ai apo një kandidat tjetër”, nënvizoi ai.

Më tej Shkodran Hoti, tha se Glauk Konjufcës i ka mbetur edhe një javë për të propozuar kabinetin e tij. Pavarësisht kësaj kohe ai tha se Konjufca nuk ka bërë asnjë përpjekje deri tani për të siguruar votat.

“Ka mbetur një javë për të propozuar kabinetin, që me shumë gjasa do të jetë ai që ka propozuar Kurti. Nuk ka ndonjë sinjal që partitë e tjera të votojnë Konjufcën. Nuk po shohim asnjë përpjekje nga ai apo LVV për ndonjë marrëveshje që shkon drejt sigurimit të votave - prandaj do të jetë e pashmangshme të shkosh drejt zgjedhjeve. Më 28 dhjetor do të kemi zgjedhje, dhe partitë mesa duket se kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në një pikë të tillë”, tha ai.

Në fund teksa u pyet se të gjitha partitë në Kosovë kanë  zhvilluar zgjedhjet për kryetar të ri dhe vetëm Kurti jo, Hoti u përgjigj se ky i fundit nuk ia beson një njeriu tjetër udhëheqjen e VV.

"Kurti e udhëheq VV që prej 2005, gjatë këtyre 20 vite, vetëm tre vite nuk ka qenë në krye të saj. Tani për tani Kurti nuk i beson dot një njeriu tjetër udhëheqjen e VV. Mendoj se nuk ka një figurë të dytë që të vijë në vend të tij përveç Konjfucës", përfundoi ai.