PRISHTINË, 9 Mars/ATSH/.- Ministri i Diasporës, Valon Murati, gjatë vizitës dyditore në Austri, u takua me drejtorin e përgjithshëm për integrime në Ministrinë për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme në Austri, Stefan Stainer.
Gjatë takimit ministri Murati u interesua për mundësinë e heqjes së pagesave të semestrit për studentët nga Kosova, që studiojnë në Austri ose thjeshtësimin e procedurave të punës për këta studentë, ashtu siç u mundësohet studentëve nga Bashkimi Evropian
Ministri Murati e njohu Stainer me objektivat e Ministrisë së Diasporës, në veçanti për punën që është bërë për krijimin e rrjeteve në diasporë, konkretisht krijimin e Rrjetit të bizneseve dhe atij të studentëve dhe shoqatave shqiptare në Austri. Ministri Murati kërkoi nga Stainer që të intensifikohet bashkëpunimi me këto rrjete. Po ashtu, sa i përket diasporës, u bisedua edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, aktiviteteve kulturore dhe investimeve. Ndërsa ministri austriak Stainer e njohu ministrin Murati për integrimin e komuniteteve në shtetin austriak, në veçanti atij shqiptar. /KosovaPress/k.s/