Sipas KosovaPress, Kuvendi i Kosovës do të vijojë të premten me debatin për 100-ditëshin e parë të qeverisë.
Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se, dy partitë që aktualisht qeverisin, prej vitit 2001 janë përgjegjëse për ngecjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës, lulëzimin e korrupsionit kronik nëpër institucione, degradimin e sistemit arsimor, erozionin e sovranitetit shtetëror dhe drejtësisë.
Sipas tij, bashkimi në koalicion për të satën herë, e binomit ekzistues qeveritar i ka fundosur si mos më keq shpresat e qytetarëve të Kosovës.
Konjufca tha se kur qytetarët e humbin besimin ndaj Qeverisë, kjo shfaqet në dy forma, ose si revoltë ose si dëshpërim, ku të revoltuarit protestojnë, kurse të dëshpëruarit e lëshojnë atdheun e tyre.
Pas fjalës së Konjufcës fjalën e mori kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili akuzoi deputetin Konjufca për të pavërteta në mocionin e tij, për debatin parlamentar për njëqind ditëshin e Qeverisë.
"Është e pavërtetë që unë dhe ministrat kemi përkrahur dhunën në protestë, por është e vërtetë se në protestë janë lënduar 126 policë, kryesisht me gurë, janë dëmtuar prona private dhe publike dhe janë lënduar 20 qytetarë", tha Mustafa.
Pas kësaj, kryeministri Mustafa foli për orientimin e programit të tij dhe prioritetet që ka qeverisja e tij. Ai tha se, një vend të veçantë në programin qeverisës zë lufta kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Programi qeveritar, sipas tij, përbëhet nga pesë shtylla kryesore, që do të kthejnë besimin e qytetarëve. "Programi përqendrohet në pesë fusha. Në zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor, në axhendën evropiane dhe në reformat thelbësore në arsim, si dhe në shëndetësinë bashkëkohore. Në bazamentin e programit të Qeverisë së Kosovës, dhe në filozofinë e saj vepruese janë vlerat demokratike evropiane, është respekti për traditën, për lirinë, drejtësinë, për tolerancën, është transparenca, liria e të shprehurit individuale dhe kolektive që paraqesin themelin e një shoqërie evropiane të Kosovës", theksoi ai.
Por, ndaj deklaratave të kryeministrit Mustafa, reagoi edhe një herë inicuesi i këtij debati, Glauk Konjufca i cili i vlerësoi shqetësuese deklaratat e Isa Mustafës, duke thënë se vet kryeministri ka nxitur dhunën e qytetarëve në protesta, pasi nuk e shkarkonte ministrin Jabllanoviq që fyeu nënat gjakovare.
Debatit iu bashkëngjit edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi i cili tha se programi qeverisës i dy partive, është ambicioz, konçiz dhe real për realitetin politik në Kosovë.
Kryediplomati kosovar foli shumë për politikën e jashtme, duke thënë se Kosova është konsoliduar në arenën ndërkombëtare dhe po e dëshmon subjektivitetin e vet ndërkombëtarë. Sipas tij, këtë e konfirmojnë ftesat për të nënshkruar MSA-në me BE-në në pjesën e dytë të këtij viti.
"Diplomacia ekonomike është kryefjala e politikës së jashtme. Po promovohet Kosova si destinacion i mirë dhe atraktiv për investime. Investimi në qendrën e skijimit në Brezovicë është dokument i fuqishëm për të tërhequr investitorë serioz ndërkombëtarë. Prioritet tjetër i politikës së jashtme është fuqizimi i shtetësisë. Do të kërkojmë njohjen e Kosovës, por në fokus do të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në forume dhe organizata ndërkombëtare nga ku qytetarët e saj do të përfitojnë shumë", tha ai.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se programi i Qeverisë është i përgjithësuar dhe kjo është bërë me qëllim, në mënyrë që puna e Qeverisë të jetë e pamonitorueshme.
Kritika të ashpra patën edhe liderët e partive opozitare.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i sugjeroi Qeverisë së Kosovës që të marrë seriozisht punën e kapjes së shtetit, ndalimin e korrupsionit, kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe partneritetin për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka drejtuar një varg akuzash ndaj punës njëqind ditëshe të Qeverisë, duke thënë se nuk ka bërë asgjë në sundimin e ligjit, e shumë premtime tjera që nuk po realizohen.
Ndërkohë, ministrat e kabinetit qeveritar u janë përgjigjur kritikave të deputetëve. /atsh/