PRISHTINË, 6 Mars/ATSH-B.Jashari/.- Zëvendëskryeministri kosovar Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pritur sot në takim Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Erion Veliaj, me të cilin diskutuan për thellim të bashkëpunimit në fushën e rinisë, përmes shkëmbimit të përvojave të ndërsjella dhe për hartimin e një kalendari të përbashkët edhe në fushën e rinisë.
Të dy ministrat ranë dakord në parim për shtim të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e rinisë dhe për krijimin e dy grupeve të punës për hartimin e një Kalendari të përbashkët për fushën e rinisë.
Ministri Veliaj e çmoi bashkëpunimin në fushën e kulturës, sidomos kalendarin e përbashkët të aktiviteteve dhe theksoi se është e rëndësishme dhe me interes, që një i tillë të hartohet edhe në fushën e rinisë, duke theksuar shkëmbimin e përvojave, me qëllim të edukimit dhe punësimit të të rinjve.
Zëvendëskryeministri Shala e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, me theks edhe në atë të rinisë. Ai theksoi bashkëpunimin edhe në fushën e Kulturës ku së bashku me ministren Mirela Kumbaro - Furxhi kanë nënshkruar kalendarin e përbashkët të aktiviteteve kulturore që do të organizojnë Kosova e Shqipëria gjatë vitit 2015.
Shala e informoi ministrin Veliaj për mbështetjen që jep MKRS-ja për fushën e rinisë, përmes dhënies së granteve dhe formave të tjera të përkrahjes direkte dhe për organizimin strukturor të rinisë në Kosovë.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri u shpreh se është i gatshëm që këtë përvojë të përbashkët ta avancojë më tutje duke bashkëpunuar në projekte e aktivitete konkrete dhe se është dakord për një shtim të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e rinisë. /m.m/