KQZ si trampolinë

KQZ si trampolinë
Turpi me bukë shtyhet kollaj, sidomos i shoqëruar me ndonjë gotë verë dhe një premtim e fjalë të dhënë për salltanete, poste e rehati institucionale në të ardhmen. Shumëkush e ka ngrënë të tillë turp me bukë pa më të voglin hezitim, dhe duke shfrytëzuar kujtesën shkurtabiqe të popullit, ia kanë dalë mbanë shumë syresh të rehabilitohen brenda sistemit politiko-qeverisës, pavarësisht thagmave e paudhësive që kanë bërë në të shkuarën. Në kuadrin e sa më lart, nuk ka kaluar pa u vënë re deklarata e fundit e kreut aktual të KQZ-së Arben Ristani, bërë në emisionin “Intervista” nga Alfred Peza në Vizion+, ku Ristani le të hapur mundësinë për një përfshirje në politikë pas mbarimit të mandatit të tij në 2013.
Tingëllon shumë çuditshëm aspirata e Ristanit për t’iu avitur e ngjitur majave të politikës shqiptare; duke konsideruar këtu historikun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve prej konstituimit të tij në vitin 2000. Asnjë prej kryetarëve të mëparshëm të KQZ-së, më specifikisht Fotaq Nano, Kristaq Kume, Ilirjan Celibashi e Çlirim Gjata, nuk janë orvatur që të gjejnë strehë në ngrehinën e politikës, duke ruajtur integritetin kushtetues dhe paanësinë politike të institucionit të cilin kanë përfaqësuar. Sa më lart është e vërtetë thuajse për të gjithë anëtarët e KQZ-së ndër vite, me disa përjashtime, dhe duhet theksuar se është e logjikshme dhe e pritshme që, pavarësisht se të nominuar e mbështetur nga politika, anëtarët e një organi kushtetues që organizon e mbikqyr zgjedhjet të mos përzihen me politikë.
Pyetja e logjikshme është: Pse Arben Ristani bën përjashtim? Dhe më e rëndësishme akoma do ishte të pyesnim se ku do të zgjedhë kryetari i KQZ-së që të militojë politikisht? Eshtë pak po e sigurtë që s’ka për t’u përfshirë në rradhët e opozitës, duke marrë parasysh se ç’zullume ka kryer në administrimin e zgjedhjeve të 2009-ës e veçanërisht ato të 2011-ës. Po aq e pakonsiderueshme është mundësia që kryetari i KQZ-së të krijojë ndonjë forcë të vetën politike, apo t’i bashkohet ndonjë partie të vogël e me pak peshë në arenën politike të vendit. Duke sjellë ndër mend ‘nderet’ e mëdha që si kryetar i KQZ-së i ka bërë Partisë Demokratike dhe Kryeministrit, është afërmendsh që foleja politike ku do të strehohet Ristani të jetë partia në pushtet, e medoemos avitja tek kjo fole do të vijë me ndonjë post të sigurtë deputetllëku për zgjedhjet e ardhshme.
Në pikëvështrimin tim, Ristani nuk e ka menduar dhe aq gjatë deklaratën për një përfshirje në politikë, dhe me shumë gjasa është penduar për këtë pohim publik. Çdo njeri i arsyeshëm e që merr sadopak erë nga politika në vend, ashtu si dhe gjithë përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që e kanë mbështetur KQZ-në në këto vitet e fundit, sigurisht që e interpretojnë synimin e kryetarit të KQZ-së si një provë përfundimtare të politizimit të tejskajshëm të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nën Ristanin, i cili po e përdor këtë të fundit si trampolinë drejt politikës, dhe si një njollë serioze në besueshmërinë e proceseve zgjedhore në këto pesë vitet e fundit në Shqipëri. Nga ana tjetër, çudia e samësipërme nuk ka për të zgjatur shumë dhe sigurisht që do të davaritet nën peshën e të tjerave çudira, thagma, e zullume që pritet të ndodhin në vitin në vijim. Ristani me siguri do e gjejë vendin që i takon brenda ngrehinës së mazhorancës, vendin e tij do e trashëgojë ndonjë burokrat militant i së njëjtës specie, dhe Komisioni Qëndror i Zullumeve do vazhdojë të jetë kuzhina ku gatuhen çorbat e manipulimit zgjedhor. Çorba që detyrohemi t’i hamë e t’i pranojmë, me ndonjë gotë verë pas dhe me turpin që na ngec në fyt si komb.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar