Kreditë, ekspertët pro e kundër
Shtyhet votimi në Kuvend

Kreditë, ekspertët pro e kundër<br />Shtyhet votimi në Kuvend
TIRANE - Propozimet e bankave, mbështetur edhe nga BSH, për lehtësimin e kreditimit, parashikojnë një shpejtësi më të madhe për ekzekutimet e kolateralit dhe fshirjen e kredive të humbura nga bilancet. Jo të gjithë ekspertët janë dakord me to.

Kërkesa e bankave të nivelit të dytë për të fshirë nga bilancet e tyre kreditë e pakthyeshme, që konsiderohen si “të humbura”, duke i njohur ato si shpenzime të zbritshme, është një nismë ligjore, që gjetur, veç përkrahjes, edhe disa kundërshti tek kontabilistët.

Sipas tyre, kjo është kostoja që bankat duhet të marrin përsipër për ato kredi, që kanë dhënë pa u siguruar mirë për kthimin e tyre. Bankat kërkojnë që këto shpenzime t’u zbriten nga taksat dhe tatimet dhe, në rast fshirjeje, sipas ekspertëve, barrën e humbjes do ta mbante edhe buxheti i shtetit.

Në të njëjtën linjë është edhe deputeti i PD dhe ekspert i ekonomisë Selami Xhepa. Ai thotë se pastrimi i bilanceve nga këto zëra është një proces normal, por bankat duhet t’i përballojnë vetë kostot.

Nëse një nismë e tillë do të kalonte në Kuvend, niveli i kredive me probleme, që aktualisht është afro 24% të totalit të dhënë, do të reduktohej ndjeshëm. Dhe, bankat do të kishin një nxitje për të shtuar sasinë e kredisë së re që do të jepnin për biznesin dhe qytetarët. Ndaj kjo kërkesë është mbështetur edhe nga Banka e Shqipërisë.

EKZEKUTIMI

Ndërkohë, Kuvendi ndryshoi javën e kaluar qëndrim rreth propozimit të Shoqatës së Bankave për nenin e Kodit të Procedurës Civile për lehtësimin e ekzekutimit të kolateralit për një kredi të dhënë.

Pas tërheqjes së propozimit nga Komisioni parlamentar i Ligjeve pak ditë më parë, ky i fundit pritet të rimblidhet për të rishqyrtuar nenin që është parashikuar të votohet në seancën e ardhshme, ditën e hënë. Ky ndryshim qëndrimi solli edhe shtyrjen e votimit për Kodin Civil, që tashmë do të votohet si paketë bashkë me kodin e Procedurës Civile.

"Në paketën e propozimeve dy janë më kryesoret. Së pari, ndërhyrja në Kodin Penal dhe në Kodin Civil të Shqipërisë për të krijuar mundësi që vendimi i gjykatës të ekzekutohet shpejt, të zvogëlohet distanca në kohë nga njëri proces në tjetrin dhe, në rastin e ankandit të tretë, vlera e kolateralit mund të bjerë 50% në krahasim me ankandin e parë.

Kjo do të ndikojë në uljen e kredive të këqija, sepse një pjesë e tyre vazhdojnë prej vitesh të ngelen peng i mosekzekutimit të kolateralit", deklaroi për median Ardian Civici, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së BSH.

Megjithatë, forcat politike në Kuvend duket se e kanë gjetur konsensusin për Kodin e Procedurës Civile, duke pranuar pjesërisht propozimin e Shoqatës së Bankave për lehtësimin e procedurave të kolateralit. Ndryshe nga sa ishte propozuar më parë, palët parlamentare kanë rënë dakord që vlera e aseteve në ankandet e dyta të ulet me 30 për qind dhe jo me 50 për qind.

Pak ditë më parë, komisioni parlamentar i Ligjeve nuk arriti të gjente konsensus për nenin që parashikonte se në rastet kur ankandet e para nuk rezultojnë të suksesshme për shitjen e aseteve, atëhere ankandet e dyta mund të zhvilloheshin 15 ditë më vonë dhe çmimi i pasurisë në shitje ulej me 50 për qind.

Ky ndryshim, sipas anëtarëve të Partisë Socialiste në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, krijonte paqartësi dhe mund të zhvlerësonte asetet, duke ndikuar edhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Këto kundërshti, në kushtet e nevojës së konsensusit politik për draftin, detyruan kreun e Komisionit parlamentar të Ligjeve Ilir Rusmali që të tërhiqte propozimin dhe të linte në fuqi nenin ekzistues.

Referuar këtij neni, që për sistemin bankar nuk ka rezultuar efikas, në rastet kur prona e sekuestruar nuk shitet në ankandin e parë, ankandi i dytë mund të zhvillohet vetëm pasi të kenë kaluar tre muaj dhe çmimi i ri mund të jetë 20% më i ulët.

Por pavarësisht mungesës së konsensusit në komisionin parlamentar të Ligjeve, komisioni i Ekonomisë u përfshi në negociata me Bankën Botërore për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Pas një jave negociatash, anëtarët socialist të Komisionit të Ekonomisë ranë dakord me propozimin që ankandet e dyta të zhvillohen me çmime 30 për qind më të ulëta.

Por votimi i amendimeve duket se është shtyrë në kohë, pasi Kuvendi është marrë dje me problemet që lidhen me ndryshimin e propozuar të përbërjes në KQZ.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë