Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve hedh një hap të rëndësishëm për të ndihmuar të dënuarit që të riintegrohen në shoqëri, duke i mbështetur për të gjetur punë dhe për të kontribuar si për familjet e tyre, ashtu edhe për komunitetin.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, nënshkruan sot (24 Dhjetor) një marrëveshje bashkëpunimi që synon ‘krijimin e mundësive për punësim dhe minimizimin e rikthimit në krim’.
Marrëveshja përfshin angazhimin për të përfshirë të dënuarit në programe lokale, duke i ndihmuar ata të ndërtojnë aftësi të reja dhe të sigurojnë një burim të qëndrueshëm të ardhurash.
“Qëllimi kryesor është që ata të bëhen pjesë aktive e shoqërisë, të ndihmojnë familjet e tyre dhe të shmangin rikthimin në veprime të paligjshme. Ky bashkëpunim mes institucioneve synon të krijojë një sistem mbështetjeje efektiv, duke i dhënë të dënuarve një mundësi reale për një fillim të ri dhe për një jetë të qëndrueshme në komunitet”, theksohet në njoftimin zyrtar.