Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, është diskutuar mbrëmjen e sotme për hetimet e SPAK ndaj drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet për bashkëpunim me Ergys Agasin, i arrestuar më herët për dosjen e AKSHI-t.
Gazetari Kujtim Topuzi tha gjatë fjalës së tij tha se SPAK e ka bazuar hetimin e tij në marrëdhënien që dyshohet të kishte krijuar Vlora Hyseni me Ergys Agasin.
Topuzi theksoi se nga dosja e SPAK rezulton se bisedat mes Hysenit dhe Agasit kanë vijuar edhe gjatë kohës që Agasi ka qenë në kërkim, madje edhe ditën që ai është arrestuar.
Sipas Topuzit, SHISH mund të jetë përjashtuar nga operacioni i zhvilluar pak javë më parë për arrestimin e Ergys Agasit.
“Informacionet konsistojnë për marrëdhënien që Vlora Hyseni kishte krijuar me një person shumë të kërkuar në Shqipëri, gjatë periudhës që ai ishte në kërkim, deri në ditën e arrestimit. Edhe ditën e arrestimit ka pasur komunikime. Operacioni është bërë me ndihmën e agjentëve të BKH-së. SHISH besohet të jetë përjashtuar nga operacioni. Zonja Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK në 18 shtator. Masa e sigurisë ndaj saj është konfirmuar në Gjykatë në 21 shtator. Pra SPAK nuk ka pritur më shumë se 48 orë për të kërkuar në gjykatë masën e sigurisë ndaj saj. Kanë qenë disa dokumente sekrete, disa diagrama, që ndodheshin në makinën e Agasit, të gjetur në një resort ku Agasi kishte edhe banesë atje. Agasi i ka pranuar në gjykatë që ishin të tijat dhe kishte thënë ‘i kisha lënë qëllimisht t’i gjenit ju’”, tha mes të tjerash Topuzi.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha se masa ‘pezullim detyre’ e vendosur nga SPAK për Vlora Hysenin, tregon sesa shumë ishte ‘mbushur kupa’ dhe sipas tij, ajo duhet të largohej menjëherë nga detyra e drejtueses së SHISH.
Alibeaj theksoi se nuk besonte se Vlora Hyseni nuk kishte vepruar nën impulset erotike, teksa shtoi se dëmi i shkaktuar ‘godet të gjithë’ Shërbimin Informativ Shtetëror.
Sipas Alibeajt, mund të ketë pasur impulse nga vendet partnere të NATO-s dhe BE-së, që kanë çuar SPAK në vendosjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe ‘pezullim nga detyra’ për Hysenin.
“Të marrësh një masë për drejtuesin e lartë të Shërbimit Informativ, të tipit ‘pezullim nga detyra’, këtu duhet të fillojmë e mendojmë. Kjo do të thotë që aq shumë ishte mbushur kupa, sa do të duhej të largohej një orë e më parë nga ajo detyrë, sepse mesa duket aktiviteti i saj në kundërshtim me ligjin paska vijuar gjatë gjithë kohës. Duke qenë se është një institucion, ndryshe nga të gjithë institucionet e tjera, që ka një lidhje të drejtëpërdrejtë me agjencitë e tjera homologe në BE, por sidomos ato të NATO-s, një lloj impulsi duhet të ketë ardhur edhe nga andej, pra nga partnerët. Kjo nuk është çështje thjeshtë e vetëm e Vlorës. Pra një drejtuese e SHISH që mund të ketë vepruar në impulse erotike. Jo. Këtu duhet të jemi edhe serioz me veten dhe shtetin. Edhe në qoftë kështu, dëmi i shkaktuar nuk është thjeshtë imazhi i një zyrtari të lartë, por i të gjithë agjencisë”, tha mes të tjerash Alibeaj.
Drejtoresha e SHISH u mor në pyetje nga SPAK 4 ditë para se të lëshohej urdhërarresti. Ajo ka pretenduar se Ergys Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH, por SPAK thotë se ka prova që vërtetojnë se ai merrte dhe diktonte informacionin që i duhej. Komunikimet Agasi-Hyseni bëheshin në Signal.
Ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni dhe avokati Leonard Karaj kanë diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, lidhur me hetimin e SPAK ndaj drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të dosjes AKSHI.
Gjoni tha gjatë fjalës së tij se ky rast do të çojë në ‘lëvizje tektonike’ politike dhe sipas tij, kryeministri Edi Rama ka marrë një ‘goditje’ shumë të madhe.
Më tej Gjoni ngriti pikëpyetje nëse Vlora Hyseni ka dhënë informacione jo vetëm për grupet kriminale, por edhe për shërbimet e huaja armiqësore ndaj Shqipërisë.
Sipas Gjonit, nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë reputacioni i Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, ka rënë përballë Aleancës.
“Ne do të duhet të pranojmë se SPAK pavarësisht se është një organ prokurorie, i drejtësisë, nuk mund të përjashtojmë edhe elementin politik. Kur flasim për arrestimin, ndalimin e kreut të SHISH, mesa flitet edhe në media qenka rast unikal. Magnituda e kësaj ngjarje është shumë e madhe, shumë e fortë. Mund të çojë në lëvizje tektonike. Kjo mazhorancë, ky kryeministër, dje ka marrë një goditje shumë të madhe dhe një mesazh shumë të qartë. Ne që kemi punuar në shtet e dimë shumë mirë që Kreu i SHISH nuk mund të lëvizet nga detyra, pa një dakordësi nga partnerët tanë perëndimorë dhe sidomos amerikanët. Nuk e besoj që kjo lëvizje është bërë pa një dakordësi. Shpejtësia pastaj është shumë domethënëse. Nëse ti i jep informacione krimit të organizuar dhe bashkëpunon me të, a është e mundur që t’i i ke dhënë informacione sekrete edhe shërbimeve armiqësore ndaj Shqipërisë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë reputacioni i këtij vendi anëtar të NATO-s përballë aleancës është prekur. Pse Presidenti nuk ka mbledhur Këshillin e Sigurimit? Pse një shtetase nga Kosovë në krye të SHISH? Ajo mund të ketë qenë edhe e kompromentuar nga shërbimet serbe”, tha mes të tjerash Gjoni.
Referuar informacionit të rrjedhur nga SPAK, avokati Leonard Karaj tha se çështja nuk duhej parë si një histori rozë mes Hysenit dhe Agasit.
Sipas avokatit Karaj çështja duhet parë në një spektër më të gjerë, duke analizuar me kujdes të gjithë rrjedhjen e informacionit nga drejtoresha e shkarkuar e SHISH drejt grupeve kriminale
“Këtu është koncepti shtet. Nëse ne do e marrim në shkallë hierarkie, përtej SHISH unë nuk mendoj se ka një shtet tjetër. Nëse duhet ta shikojmë këtë histori rozë, i vëmë pullën e kuqe dhe jemi në rregull pastaj. Nga SPAK kanë rrjedhur pikërisht këto lloj mesazhesh, për t’i dhënë një adresim tjetër historisë. Unë nuk mendoj se është një histori rozë, shpirti, zemra, apo puç njëri, puç tjetri. Edhe sikur të kenë pasur një marrëdhënie intime, kujt i intereson kjo? Duhet parë përtej perdes, se çfarë ka bërë kjo zonja. Sepse kur kjo ka folur në këtë mënyrë me një person të prezumuar si të dashur, imagjino se çfarë ka bërë pastaj me azganë të kriminalitetit”, tha mes të tjerash avokati Karaj.










Komente
Komento