Kristo Frashëri, jeta e një historiani

Kristo Frashëri, jeta e një historiani
TIRANE- Profesor Kristo Frashëri, ky personalitet i papërsëritshëm i historiografisë shqiptare, ndonëse po i afrohet 100-vjetorit të jetës, nuk e ka ulur as pasionin e as ritmin e botimit të librave.
Ja, në panairin e 17-të të Librit në Tiranë ka sjellë dy botime interesante “Principata e Arbërisë (1190 - 1215), botimet M&B, dhe “Jeta e një historiani” botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Libri Kristo Frashëri “Jeta një historiani” do të promovohet sot në shtëpinë e akademikut të njohur me pjesëmarrjen e kolegëve dhe kryesisë së ASHSH-së dhe medias, njoftojnë nga akademia.

Libri përmban nota autobiografike, duke ruajtur në këtë autobiografi fijen lidhëse me familjen e Frashërllinjve të Rilindjes Kombëtare, nga rrjedh edhe akademiku Kristo Frashëri. Në promovimin e librit, që do të mbetet si epilogu i një historiani të lavdishëm shqiptar, pritet një takim mbresëlënës me kolegët dhe gazetarët. Tërë jetën akademik Kristo Frashëri shkroi libra historike, artikuj, ese, dha intervista për çështjet më të debatueshme kombëtare, pa e vënë re asnjëherë lodhjen dhe së fundi as stërmundimin, ndërsa është në një gjendje shëndetësore ku i duhet asistencë mjekësore. Ai e sfidon edhe sëmundjen. Brenda tij gjendet një energji e jashtëzakonshme e mendjes.

Të mos mendojmë sot se profesor Kristo Frashëri do të përfundojë së botuari, duke e mbyllur me “jeta e një historiani”. Kemi mësuar se dhjetëra vëllime presin ende dritën e botimit. “Jeta e një historiani”, ky libër i shkruar nga dora e Kristo Frashërit nuk është se flet për veten. Jeta e një historiani si Kristo Frashëri është një betejë për historinë e vendit të tij, një beteje për t’i dhënë ringjallje, për të ndriçuar të vërtetat historike.

Jeta e një historiani si Kristo Frashëri ka qenë dhe është një luftë akoma më e ashpër me mediokrit dhe çbërësit e historisë kombëtare, por edhe një luftë që, jo rrallëherë kalon përtej kufijve me denigrimin që duan t’i bëjnë historisë kombëtare shpeshherë disa studiues të huaj; është jeta e një historiani që ka kaluar kthesa të mëdha në historinë e kombit, që pritet të na zbulojë shumë të panjohura. Jeta e një historiani që i kaluar të nëntëdhjetat “me pendë” në dorë do të vazhdojë edhe pas botimit të këtij libri, sepse Kristo Frashëri ka në duar ende thesare historike të zbuluara me durim nga arkivat. Ai ka në shtëpinë e tij vëllime të ardhshme librash që presin dritën e botimit. Dhe kujtimet, historiani energjik e aktiv Kristo Frashëri i lidh, jo vetëm me punën  e tij, por edhe të kolegëve të tij.

Në fakt, jetën e një historiani si Krito Frashëri nuk mund ta ndajmë nga “shqetësimet e një historiani”. A nuk është akademik Kristo Frashëri ai që shqetësohet për historinë e deformuar të Skënderbeut, të Arbërit, të Pavarësisë, të Rilindjes, të aktualitetit, etj. A nuk është ai që shqetësohet për Tiranën ku jeton, për Frashërin nga i ka rrënjët. A nuk është ai që shqetësohet për Epirin gjatë shekujve, për Historinë e Çamërisë, për historinë e Kosovës.

A nuk është ai që shqetësohet për dokumentet e vyera historike, që duke ndezur “llambën” e talentit të tij nis t’i ndriçojë. Lista e botimeve të Kristo Frashërit është tepër e gjatë, saqë nuk ka çështje dhe problematikë tw historisë kombëtare shekullore dhe aktuale që të mos e ketë trajtuar në botimet e tij. Profesor Emil Lafe thotë për të se “Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër.

Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se ç’është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë”. Ja kështu mund të përmblidhet me pak fjalë jeta e një historiani mendjendritur, para se të nisim të shfletojmë librin Kristo Frashëri “Jeta e një historiani”...
 
 
Kristo Frashëri, “Principata e Arbërisë (1190 - 1215)”
 
Një tjetër studim i akademikut Kristo Frashëri ka dalë në dritën e botimit në kuadër të panairit të 17-të të librit nga
Botimet M&B. Botuesi njofton se libri i akademikut të shquar Kristo Frashëri është një vështrim historik në përmbajtjen e të cilit gjejmë këto kapituj: Hyrja; Emri i Principatës; Procesi i formimit të shtetësisë; Të dhënat e Kulturës së Komanit; Arkondia autonome e Arbërisë; Principata Mesjetare e Arbërisë; Marrëveshja tregtare me Republikën e Raguzës; Shtrirja territoriale e Principatës së Arbërisë; Rrudhja e Principatës së Arbërisë në Ndërfandë; Mbishkrimi i Ndërfandës (Gzhiqit); Nga Principata e Arbërisë në Mbretërinë e Arbërisë. Akademiku Kristo Frashëri nw hyrje të këtij botimi shpjegon se “Edhe pse Principata e Arbërisë pati jetë të shkurtër, ajo la pas dy rezultate të mëdha historike.  E para, ajo e konsolidoi ekzistencën e kombësisë shqiptare si një kombësi e veçuar në hartën etnike të Gadishullit Ballkanik. Nga ana e saj, kjo ndikoi në përhapjen dalëngadalë të emrit arbanitë në mbarë folësit e gjuhës shqipe, pavarësisht se ku banonin.

E dyta, ajo e sanksionoi aspiratën e arbanitëve për të patur një shtet të veçuar nga shtete të ndryshme tashmë të konsoliduara në hartën politike të Europës juglindore.
Principata Mesjetare e Arbërisë e viteve 1190-1215 është formacioni i parë shtetëror shqiptar. Si proces historik, formimi i tij nënkupton për vendin fillimin e një diferencimi të ri shoqëror, plasaritjen e bashkësive krahinore, zhvillimin e lidhjeve ndërkrahinore, dobësimin e ndjenjës së fisit dhe zëvendësimin e saj me ndërgjegjen e kombësisë.

Ai nënkupton krijimin e një bashkësie banorësh me gjuhë, territor, doke dhe zakone të përafërta.
Me formimin e shtetit të parë, i cili kudo në fillim ka qenë i cunguar, fillon ajo prirje e madhe që mbulon krejt Mesjetën – zgjerimi i kufijve të tij politikë deri në kufijtë linguistikë të etnisë. Është prirja që çon drejt krijimit të shtetit kombëtar, të cilin bujarët feudalë me prirjet e tyre partikulariste dhe separatiste e kanë vështirë ta realizojnë. Për këtë arsye, shtetin kombëtar e kanë realizuar forcat progresiste të borgjezisë nacionale.


Në fakt, krijimi i shtetit kombëtar çoi në përmbysjen e vetë shtetit feudal. Sidoqoftë, pa procesin që krijoi shtetin feudal nuk do të kishim procesin që formoi shtetin nacional.
Për këtë arsye, historianët objektivë e vlerësojnë formimin e shtetit të parë të një populli si një nga veprat madhore të historisë së tij mesjetare.”

kristo frasheri



































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston