Kristo Krisiko: Pasioni im për skulpturën në qeramikë, boshti i artit tim është frymëzimi femëror

I mërguar nga Shqipëria pas viteve ’90, kur ishte në kulmin e karrierës së tij dhe sapo kishte marrë titullin “Artisti i Merituar”, skulptori shqiptar  Kristo Krisiko shumë shpejt u bë pjesë e jetës artistike greke. Skulpturat e tij zunë vend në disa parqe në Athinë, në Kretë e madje duke kapërcyer kufijtë, deri në  Zvicër. Ndërsa realizon vepra të dimensioneve të ndryshme në skulpturë, sidomos në qeramikë, për të cilën në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, i pëlqen të thotë se është materiali i parë i historisë së njerëzimit, Krisiko e ndan jetën dhe veprën e tij mes dy vendeve; Shqipërisë dhe Greqisë.

“Unë si pedagog i Akademisë së Arteve nuk kisha asnjë arsye të largohesha nga vendi, por fakti është që vajza ime fitoi konkursin në Akademinë e Athinës dhe u detyruam të shkojmë, dhe kur fitoi dhe djali konkursin për të studiuar në Akademinë e Arteve të Athinës, u detyruam të emigrojmë si familje nga vendi ynë. Për sa i përket artit, nuk është fushë me lule të krijosh në emigracion, por unë kisha krijuar një farë shoqërie me rrethet artistike të Athinës, meqë kisha qenë në një ekspozitë të artit shqiptar në Athinë të viteve ’80. Kështu gjeta si fillim një farë mbështetje”, thotë Kristo Krisiko  në një intervistë ekskluzivisht për Report TV.

Skulptori Krisiko nuk harron edhe kolegët, me të cilët ka ekspozuar në vitet ’80 si skulptorin e shquar Sofokli Koçi dhe Fatmir Haxhinë, për të cilët sytë e tij përloten.

Deri në 93-shin Kristo Krisko ishte një profesor në Akademinë e Arteve dhe bënte një jetë aktive artistike.

Edhe pse në Shqipëri ka lënë pas gjysmën e krijimtarisë, madje me disa vepra në Fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Kristo Krisiko do të ishte harruar nga publiku shqiptar, sikur pas plot 25 vjetësh të mos ishte kthyer me një ekspozitë në Galerinë e Universitetit të Arteve, në Tiranë.

... do të ishte harruar nga publiku, por jo nga kolegët....

Ardian Isufi dhe Sadik Spahija ishin ata që ideuan dhe kuruan një nga ekspozitat më të bukura, siç ishte ajo e Kristo Krisikos në dhjetorin e vitit të kaluar.  

Ishte një projekt i retrospektivës së tij, që u prezantua për herë të parë në ekspozitën me titull “Prolog –Epilog.”

Bëhej fjalë për një skulpturë të veçantë të krijuar në vitet ’80-‘85 në qeramikë, dedikuar për Bankën e Shqipërisë, por ky projekt për shumë arsye nuk u çua kurrë deri në fund....

“Ardian Isufi dhe Sadik Spahija ndërtuan një ekspozitë që nuk ishte krejtësisht retrospektive, por një ekspozitë që tregonte pikat kyçe të krijimtarisë sime”, -thotë Krisiko, ndërsa më tej rrëfen historinë e relievit.

Detajet e kësaj vepre ishin aq të qëndrueshme, sa do të rimerrnin një tjetër vlerësim për vizionin postmodern.

Falë këtyre detajeve që rrëmbyen zemrën e artdashësve shqiptarë, pak ditë më parë Kristo Krisiko u vlerësua edhe me Çmimin “Kult 2019”

“Ç’është e vërteta, duke qenë një njohës i sferës së qeramikës dhe i teknologjisë, që i takon kësaj sfere, unë mora përsipër që t’u përshtatem pak atyre koncepteve dhe sidomos natyrës që ka e gjithë godina e Bankës Kombëtare me relievet që ka përpara për të mos ta prishur atë unitet shumë fisnik që i ka dhënë arkitekti asaj godine. Por ndodhën ndryshimet politike dhe askush nuk pati ndërmend më të merret me këtë vepër, por falë Zotit unë e kompozova dhe unë e kam në studio këtë vepër, dhe më kënaq po aq shumë sikur të ishte në vendin saj”, -thotë Krisiko. 

Krisiko bën thirrje për mungesën e respektimit të skulpturës në parqet publike në vendin tonë.

“Artistët shqiptarë, kudo kanë shkuar nëpër botë kanë treguar se kanë një art me vlera. Artet shqiptare janë bërë tashmë pjesë e bashkimit të arteve europiane. Artet me kohë janë bërë anëtare evropiane, por do t’u flas edhe për skulpturën publike. Unë kam vendosur skulptura në sheshet publike të Greqisë. Ndërsa në Shqipëri për vendosjen e veprave të tilla nuk po bëhet asgjë. Ndaj për skulpturën e parkut dhe ambientit duhet të merret parasysh hapësira e ambientit, dhe të kalohet përmes një filtri të komisionit për t’i vendosur ato në parqet e përcaktuara, kundrejt një shijeje më të sofistikuar.”, -thotë Krisiko, duke shtuar se:

 “Tani që janë shtuar ndërtimet e Tiranës, ka ardhur koha që edhe skulptura e parkut të përshtatet më mënyrë të tillë që të krijojë lëvizje në jetën e njerëzve.”

Abstraktimet e  skulptorit Krisiko gjatë procesit të punës, kanë një qasje të ngrohtë dhe poetike, për të cilën ndihmon edhe vetë materiali i qeramikës.

Magjia dhe misteri i lëndës së parë e bën artistin që të mishërojë objektin human plot tharm jete. 

Nuk druhet aspak që të thotë se është i magjepsur pas botës femërore. Në kohët moderne skulpturat e Kristo Kriskos duket sikur kanë për mision të rizgjojnë nga gjumi muzat femërore të lashtësisë. 

 “Në vitet ‘60 u hap Uzina e Porcelanit dhe menjëherë pas liceut dhe ne nisëm të punojmë pikërisht me këtë material, qeramikën, që është materiali i parë i punuar nga njerëzimi. Prandaj edhe unë e pëlqej. Balta e pjekur ka një magji të veçantë.”, thotë Krisiko

E kujtojmë skulptorin se pasioni për qeramikën nuk u ka munguar mjeshtërve ilirë dhe arbërve më vonë. Muzetë janë plot me to.

Ndërsa për punët e tij në Greqi, Krisiko rrëfen se “Boshti i krijimtarisë time në të gjithë periudhën është frymëzimi femëror, asaj ia kam kushtuar të gjithë krijimtarinë, këtë për arsye se që në fillimet artistike u jam shmangur temave të mëdha, që ishin të domosdoshme për artin e kohës. Dhe kjo më ka bërë që të ndjejë më shumë atë mision hyjnor që i ka dhënë natyra femrës për krijimin e jetës. Sepse në atë labirinth të errët të gjinisë femërore lind jeta. Dhe aty nis e zhvillohet jeta në rrugëtimin e saj të gjatë në pafundësi.”

Unë duke mbaruar Akademinë e Arteve në ‘73-shin kam marrë pjesë në të gjitha ekspozita e Galerisë së Arteve në Tiranë dhe në fondin e Galerisë së Arteve ndodhen pothuajse dhjetë vepra të miat. Janë skulptura të dedikuara femrës, sigurisht nga më të preferuarat që kam në Galerinë Kombëtare të Arteve. Më të preferuarat e mia janë: “Kultura Ilire”, “Riviera”, “Flautistja”, “Myzeqe” dhe “Dora Distria”.

Ndërsa në rrugëtimin jashtë atdheut kam tri vepra në sheshet e Athinës dhe një vepër një hotel në Kretë, një reliev në madhësinë tetë metra me dy metra sipërfaqe. Përveç këtyre, në një simpozium që mora pjesë në Zvicër kam lënë një vepër, por jo më në qeramikë. Ajo ishte në dru.”, rrëfen Krisiko.

Skulptori rrëfen edhe për personazhet që e frymëzojnë në jetën e tij.

“Ndërsa periudhën e fundit të këtij dhjetëvjeçari krijimtaria ime ka vetëm një shtytës, një frymëzues. Është një vajzë e vogël Danaji, 12-vjeçare. Është e afërmja ime. Unë meqë mora vesh që jam nominuar për “Çmimin Kult”, kam ardhur në datën 25 nëntor në orën 11.00 të natës, dhe u zgjova nga tërmeti i datës 26 nëntor, dhe Danaj ishte me mua dhe ndjeju atë tronditje që unë e quaj fatkeqësi për kombin. I kisha thënë asaj se unë që unë do ta dedikoj ty këtë çmim nëse e fitoj, por pas asaj që ndodhi ajo më tha: “Çmimin është më mirë t’ua japin atyre që kanë nevojë, sesa ta mbajmë ne.”, rrëfen Kristo Krisko për Report TV. 

 Kristo Krisiko jeton tashmë në Greqi dhe atje është anëtar i Shoqatës së Skulptorëve edhe Qeramikës.

Veprat e tij kanë një dimension ndryshe në kërkimin artistik, duke evidentuar më shumë procesin e formave në lëvizje sesa aspektin figurativ të një metamorfoze formash të abstraktuara.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen