Është  fjala për “të vërtetat” e fragmenteve të librit të prof. Bahri Becit “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja”, në të cilat flitet për profesor Jorgo Bulon, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kemi kërkuar përgjatë leximit të këtyre fragmenteve qoftë dhe një të vërtetë të vetme, sado të vogël, por nuk e kemi gjetur. Kemi gjetur, po, një paskuilë a një fletërrufe si të qëmotit, mbushur citazi me sajesa e gënjeshtra, nga ato që vetëm mediokriteti shpirtëror është i aftë të prodhojë.

Fragmentet në fjalë janë shfaqje emblematike e asaj që mund të quhet “kulturë e përbaltjes në emër të idealeve të larta (!)”, kulturë me rrënjë të hershme e që ngulmon prej kohësh të zërë dhe rrënjë të reja në hapësirën publike shqiptare. Kjo “kulturë e antikulturës” ka në thelb parimin “Nuk e dua X-in, prandaj shpif për të.”, përmbysje kokëposhtë e maksimës së famshme të Aristotelit “E dua Platonin, por dua më shumë të vërtetën” që ka përcaktuar standardin e lartë të etikës së komunikimit në mjediset akademike tash qindra vjet.

Thjesht nuk e do, e urren profesor Bahri Beci profesor Jorgo Bulon. Prandaj, ashtu thjesht e zellshëm, shpif për të. Kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndë është e gjitha. Arsyeja? Arsyet konkrete të kësaj urrejtjeje nuk është e vështirë të zbulohen. Do të ishin fare të qarta, ta zëmë, nëse do të na vihej përpara një kronikë besnike e asaj çka ndodhi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë gjatë periudhës 1992 – 1997 (sidomos në fillimet e saj), kohë në të cilën profesor Beci ishte i emëruar drejtor i institucionit. Mund të niste kjo kronikë për shembull, me faktin e shpërthimit vandal dhe të zbrazjes me urdhër të tij – nga padurimi për të marrë detyrën - i zyrës së drejtorit të deriatëhershëm të Institutit, profesor Jorgo Bulos, kur ky ishte për fare pak ditë me shërbim jashtë shtetit. Kronika mund të vazhdonte me një mori ngjarjesh, sjelljesh e vendimesh, të cilat, për nga shëmtia, padrejtësia e frymëzimi i skajshëm politik, si dhe për nga shfytyrimi i natyrave njerëzore, do të ngjanin si dy pika uji, përqasur me ndodhi të viteve 1958-1990 në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, në mos do të dukeshin ca prej të dytave si prej purgatori, përqasur me ca prej të parave si prej zonës që vjen poshtë tij.

Kronika mund të përfshinte edhe detaje të tjera, ndoshta jo fort të rëndësishme, si p.sh. fjalët që qarkullonin se vandaku i prodhimit shkencor të një a dy prej “demokratëve” më të flaktë të Institutit ishte më i vogël se vandaku i prodhimit të tyre si ish-informatorë të Sigurimit të Shtetit. Profesor Jorgo Bulo qe ndër ata, që falë integritetit moral e kurajës intelektuale, mund ta kundërshtonin siç edhe vepruan, këtë denatyrim  të shëmtuar të tempullit të shkencës, që ndodhte për fat të keq pikërisht në kohën kur ishin të gjitha mundësitë e shërimit të tij prej njollave e gjymtimeve që pat lënë e kaluara.

U përpoqëm të ndriçojmë, fare shkurtimisht, disa prej arsyeve konkrete të urrejtjes së profesor Bahri Becit ndaj profesor Jorgo Bulos. Ndërkaq, për arsyet e urrejtjes në planin universal, profesor Beci mediton në librin e vet kështu: “Me sa duket, historia e jetës njerëzore është tepër e shkurtër dhe krejt e pamjaftueshme për ta kthyer subkoshiencën apo nënvetëdijen e trashëguar të njeriut nga kafshë në koshiencë a vetëdije të vërtetë njerëzore. Me sa duket, do të duhen edhe shumë vuajtje e jetë njerëzore që të bëhet njeriu njeri, që shtresa e koshiencës a vetëdijes njerëzore, të arrijë të dominojë tërësisht instinktet kafshore që i kanë themelet në një prehistori që arkeologët e përcaktojnë në mijëravjeçare.”

Do të kishte qenë një pasuri për mendimin letrar e mjedisin kulturor shqiptar të viteve ’70–’80 të shekullit të kaluar, nëse do të kishte pasur qoftë edhe ca pak të tjerë studiues të kalibrit profesional e të formatit shpirtëror të profesor Jorgo Bulos. E, nëse do të kishte pasur qoftë dhe ca pak të tillë më tej në këto dy dekada të fundit, turravrapi i reformave në strukturat akademike sipas parimit të lavdishëm “shkatërro-për-të-ndërtuar” e të atij po aq të lavdishëm “të dalë-ku-të-më-teket”, natyrisht në theqafje, do të ishte ndalur, të paktën, diku.

Shkencëtar i nivelit të lartë, drejtues i kërkimit shkencor në fushën e letërsisë për dekada me radhë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe sot në  Akademinë e Shkencave, mësues e udhëheqës i vyer i dhjetëra studiuesve të rinj, themelues projektesh shkencore të një rëndësie kombëtare, profesor Bulo ka bashkëpërcaktuar në komunitetin akademik shqiptar kuotën e seriozitetit, të thellësisë e të cilësisë së prodhimit shkencor si dhe të dinjitetit e të fisnikërisë në marrëdhëniet njerëzore e profesionale.
Me një emër të çmuar në botën akademike, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, te arbëreshët e Italisë  dhe në të gjitha qendrat albanologjike të huaja, ai është sot një ndër autoritetet e mendimit letrar shqiptar. Si jo të gjithë, si jo të shumtët, si fare të paktët profesor Bulo ka shprehur në vijimësi para opinionit publik gjykimet e tij për ngjarje e probleme kruciale të jetës shkencore, kulturore e shoqërore të Shqipërisë, duke dhënë me këtë një shembull të  kurajës e të përgjegjësisë intelektuale ndaj fateve të vendit. Por, natyrisht, nuk ka menduar e nuk mendon kështu zoti Beci.

 “Androklirëra, Janëra, Emilëra, Jorgjëra, Gjovalinëra, Anastasëra, Enverëra, Minellëra, e kompani” – përcaktime këto të tijat. (Bëhet fjalë – qartësimi ynë – për profesor Androkli Kostallarin, profesor Jani Thomain, profesor Emil Lafen, profesor Jorgji Gjinarin, profesor Gjovalin Shkurtajn, profesor Anastas Dodin, profesor Enver Hysën, profesor Minella Totonin). Është kjo etika e komunikimit të “kalorësit të përbaltjes në emër të idealeve të larta”, i cili me lehtësinë e papërballueshme të fyerjes e me atunë e “shpalimit të së vërtetës së një kohe” në dorë, ka kurajën të përgojojë me një të rënë lapsi një varg të gjatë personalitetesh, të vdekur e të gjallë, të cilët i kanë dhënë e vijojnë t’i japin ndihmesa të dorës së parë shkencës e kulturës shqiptare, edukatorë të brezave të shumtë të mësuesve e të studiuesve të fushave albanologjike, të çmuar e të nderuar përgjithmonë prej tyre.

“Enigma”  janë për zotin Bahri Beci   ngjarjet që kanë shënjuar karrierën profesionale të akademikut Jorgo Bulo; “enigmatik”, “njeri enigmë i kulturës shqiptare” është për të ai vetë si person. Dorën në zemër: zoti Beci ka plotësisht të drejtë! Integriteti moral, koherenca intelektuale e fisnikëria njerëzore krah profesionalizmit, tok me prestigjin e autoritetin që i shoqëron, janë vërtet “enigma”, ashtu si personalitetet tek të cilët këto vlera mishërohen më fort janë vërtet “enigmatikë” për individë që kanë fatin të jenë të mbrujtur ndryshe.
 
*Autori mban titullin Profesor i asociuar, doktor, dhe jep mësim në Universitetin e Tiranës


Shkrimi u publikua sot(12.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)