Dorëheqja e Christian Schmidt nga posti i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë ka hapur debat mbi arsyet reale të largimit të tij dhe të ardhmen e rolit ndërkombëtar në vend. Schmidt konsiderohej figura më e fuqishme ndërkombëtare në Bosnje, me kompetenca të gjera për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës në vend.

Edhe 24 orë pas publikimit të lajmit, arsyet e dorëheqjes mbeten të paqarta. Vetë Schmidt e ka cilësuar vendimin si “personal”, ndërsa mediat në Bosnje kanë raportuar për spekulime që e lidhin largimin e tij me çështjen e pronës shtetërore dhe projektin e gazsjellësit “Interkoneksioni Jugor”. Goran Katiq shkruan për Radio Evropa e Lirë se Departamenti amerikan i Shtetit, si edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Britanisë në Sarajevë, nuk kanë komentuar mbi dorëheqjen e Schmidtit.

Ndërkohë, BBC raportoi se emërimi i Schmidtit nuk ishte miratuar kurrë nga Rusia dhe se së fundmi ai duket se ka humbur edhe mbështetjen e SHBA-së, çka e ka bërë pozicionin e tij të vështirë. Analistja politike nga Sarajeva, Ivana Mariq, deklaroi për REL se politika amerikane ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës mbetet vendimtare.

“Ajo politikë e re, që në plan të parë vendos interesat ekonomike dhe gjeopolitike të SHBA-së, mendoj se ka ndikuar në masë të madhe në largimin e Schmidtit, i cili nuk ishte partner për një lloj të tillë bashkëpunimi”, tha Mariq.

Sipas saj, Schmidt nuk është detyruar të japë dorëheqje, por ka ndjerë mungesë mbështetjeje nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.

“Prandaj, u tërhoq vetë, sepse është e qartë që amerikanët në atë pozitë do të preferojnë dikë që i përmbush kërkesat e tyre, e jo dikë që vepron sipas ideve të veta pa konsultime”, thotë Mariq.

Edhe Vedran Xhihiq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Vjenë tha për REL se ndryshimet në administratën amerikane kanë sjellë një qasje më pragmatike ndaj rajonit.

“Këtu është mjaft e qartë se nuk ka më një politikë parimore të SHBA-së ndaj Bosnje dhe Hercegovinës dhe rajonit, por ajo është zëvendësuar me një qasje shumë pragmatike, të bazuar në interesa ekonomike dhe energjetike - pra një lloj transaksionalizmi”, thotë Xhihiq.

BBC kujton se gjatë mandatit të tij, Schmidti përdori disa herë të ashtuquajturat “fuqi të Bonit” për të bllokuar ligje separatiste të promovuara nga lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik. Sipas medias britanike, përplasja mes tyre çoi edhe në dënimin e Dodikut me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për mbajtjen e funksioneve publike. Sipas raportimit të REL, e ardhmja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) mbetet e paqartë dhe lidhet ngushtë me pozicionin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së ndaj Bosnjës.

Xhihiq vlerëson se e ardhmja e OHR-së varet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

“Sot, Evropa ndodhet në një situatë shumë të vështirë dhe nuk ka shumë hapësirë, vullnet, gatishmëri apo edhe njohuri për t’u marrë seriozisht me Bosnje dhe Hercegovinën, sidomos për shkak të Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe problemeve të brendshme”, thotë ai.

Ndërkohë, më 12 maj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pritet të prezantohet raporti i fundit i Schmidt për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. Në dokument paralajmërohet për bllokada politike, mungesë reformash dhe tensione nacionaliste në vend.

Analisti për Ballkanin Perëndimor në Iniciativën Evropiane për Stabilitet (ESI) me seli në Berlin, Adi Qerimagiq, tha për Radion Evropa e Lirë se OKB-ja, me gjasë, nuk do ta ndryshojë qëndrimin për emërimin e përfaqësuesit të lartë, pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së tashmë ka deklaruar se kjo çështje është në kompetencë të PIC-së dhe jo të OKB-së.

“Ajo që për mua personalisht do të jetë më interesante, është pozicioni i SHBA-së dhe nëse dhe në çfarë mase ka pasur ndonjë ndryshim”, tha ai.

Sipas REL, herën e fundit kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi për Bosnje dhe Hercegovinën, përfaqësuesja amerikane Dorothy Shea deklaroi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, por se nuk e ndjek më “politikën e ndërtimit të shteteve dhe ndërhyrjes ndërkombëtare”.

BBC raportoi gjithashtu se Schmidti do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet pasardhësi i tij, ndërsa Rusia vazhdon të mbështesë kërkesat për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.