SPECIALE/ Kruja e turistëve të shtuar dhe e monumenteve 'të harruar'! Viti 2024 surprizon drejtuesit e muzeve, por lë pas dore mirëmbajtjen e Albanapolit antik

Në Zgërdhesh duket se ka vdekur një qytet i tërë i antikitetit, që shtrihej në një hapësirë prej afro 10 hektarësh. Për studiues të fushave të ndryshme, sot Albanapoli është një rrënojë monumentale që dhemb. 

Kruja shtrihet në Shqipërinë qendër-veriore, mes malit të Sari Salltikut dhe lumit Ishëm, vetëm 20 km në veri të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Emri i qytetit është i ndërlidhur me fjalën shqipe kroi, krua.

Vendbanimi përmendet për herë të parë me emrin Kroai ndër dokumente bizantine të fillimit të shekullit të 7. Në latinishten mesjetare njihej si Croia, Croya dhe Croarum. Ndërsa gjatë periudhës osmane iu vu emrin Ak Hisar ose Akçahisar, nga turqishtja osmane me domethënien "kështjellë e bardhë".

Teksa kthehemi pas në Ilirinë e lashtë, historiku për këtë zonë duhet të nisë portën hyrëse për në Krujë.

ALBANAPOLI

Në Zgërdhesh duket se ka vdekur një qytet i tërë i antikitetit, që shtrihej në një hapësirë prej afro 10 hektarësh.

Në vitin 1871 albanologu i shquar austriak Han ,vizitoi kalanë ilire të Zgërdheshit dhe hodhi idenë se ky ishte ALBANOPOLI antik , kryeqendra e fisit të Albanëve, prej të cilit ka marrë emrin edhe Albania.

Në Zgërdhesh, gjatë verës së vitit 1969 zhvilloi punimet një ekspeditë e Institutit të monumenteve të kulturës. Përbëhej nga arkeologë, restauratorë e topografë.

Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dukje nga mbetjet e këtij qyteti një pjesë të mureve rrethuese (2400 m), punishte artizanale, etj.

Nga terrakotat e zbuluara në Zgërdhesh vlen të përmendet një shtatore e vogël mermeri e perëndeshës Artemis.

Albanopoli, nga shekulli i 4-t para erës së re e deri në shekullin e parë të erës sonë, besohet të ketë qenë ndër qytetet kryesore të Ilirisë, qendër e fisit të Albanëve. Përmendet për herë të parë në mesin e shekullit të dyte nga Ptolemeu. Mendohet se ai ngrihej aty ku janë sot rrënojat e qytetit ilir të Zgërdheshit. Emri i tij do të thotë qytet i Albanëve. Gërmimet dëshmojnë se është zhvilluar mbi bazën e një vendbanimi protourban. Sipas studimeve të dijetarit të shquar shqiptar, prof. Selim Islamit, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit IV deri në shekullin I para erës së re.

Në qershor të vitit 2018, për afro një muaj, një grup arkeologësh shqiptarë e gjermanë bënë kërkime e gërmime në kalanë  e Albanopolisit. Aty u zbuluan disa varre që i përkasin periudhës romake të vonë.
Në këtë kala kishte  më  shumë se 30 vite  që nuk ishte gërmuar.

Dy vite më pas, në qytetin ilir të Albanopolit, nisi pastrimi nga vegjetacioni, për të nxjerrë në pah madhështinë e një vendbanimi, i cili daton që prej shek. IV p.e.s”.

Haki Hoxha në janar të vitit 1990 kryente detyrën e krye kujdestarit të monumenteve të kulturës të rrethit Krujë. Ai tregon se ka kërkuar nga Instituti i Monumenteve Tiranë që kujdesi dhe mirëmbajtja e këtij monumenti kulture të kategorisë së parë të mos varet vetëm nga një person siç ishte caktuar atëherë.

Për të neglizhenca ka vazhduar deri në ditët e sotme sepse mungojnë kërkimet e thelluara dhe shndërrimi i tij në një pikë turistike historike.

Për studiues të fushave të ndryshme, sot qyteza e Zgërdheshit në Krujë është një rrënojë monumentale që dhemb. 

"MONUMENTI I ZIDOLLIT ( OBELISKU )"

Obelisku i Betejës së Zidollit i vitit 24 prill 1467, periudhë kjo ndërmjet rrethimit të II dhe të III të Krujës është ndërtuar në nder të Skënderbeut për fitoret kundër ushtrisë së Ballaban Pashës që mbante të rrethuar Krujën dhe ushtrive që vinin në ndihmë të tij. Ndodhet në anë te rrugës nacionale Krujë- Fushë-Kruje, 7 km nga qyteti i Krujës. Ky monument u ngrit në vitin 1968 në jubileun e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Ky monument i është kushtuar betejës së famshme të zidollit ndermjet ushtrisë osmane dhe forcave të udhëhequra nga Skënderbeu. Për shkak të disfatës që pësoi ushtria osmane në këtë grykë, Sulltan Mehmeti II e quajti “jezit doll” që në Shqip do të thotë “gryka e djallit”. Legjenda thotë se në këtë grykë nuk kaloi këmbë turku. Ende sot e kesaj dite, kjo grykë njihet me emrin gryka e Zidollit. Në vitin 2012 obeliksu u rikonstruktua nga arkitekt Enea Papa.

Sot është pothuajse i panjohur nga turistët që kalojnë këtyre anëve pasi mungon edhe një ciceron që t’u shpjegojë këtë pjesë të historisë së Krujës.

Për Haki Hoxhën çdo gur i kalasë është i rëndësishëm. Vetë ai është kujdesur që të ruhet guri simbolik i kësaj kalaje.

Dikur rrethi Krujë numëronte 29 monumente të kategorive dhe gjinive të ndryshme tregon Haki Hoxha, përfshi këtu rrugë, ura, kala, banesa etj. etj.

Vëmendjen më të madhe e ka marrë kalaja e Krujës, monument kulture i kategorisë së parë brenda së cilës ndodhen mjaft monumente të rëndësishëm.

Ndonëse Kruja u bë në vitin 1190 qendra e të parës njësi politike të dheut të Arbërit, triumfin e drejtimit e mori në vitet 1437-1438 kur e udhëhoqi Skënderbeu.

Është kjo periudhë që e identifikon si kryeqendra e rezistencës ndaj pushtuesve osmanë. 

Për t’i dhënë vlerë kësaj pjese të historisë, u ndërtua edhe muzeu që sot është ndër më të vizituarit në vend.

Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha (e bija e Enver Hoxhës). Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Çdo vit më shumë turistë e vizitojnë këtë sit historik.

Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi , pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.

Muzeu kombëtar ka vizitorë gjatë gjithë vitit, po ata janë të privuar të njohin një prej monumenteve të kulturës së kategorisë së parë, ndër më të rëndësishmit për ta që hyjnë në kështjellën e Krujës.

KULLA E SAHATIT

Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës mendohet të jetë ndërtuar rreth shekujve XI-XII, fillimisht si kullë vrojtimi dhe sinjalizimi, e cila ishte e pajisur edhe me një zile. Në pjesën e poshtme të saj dallohet teknika e periudhës bizantine, ku muratura kombinohet me gurë dhe radhë tullash. Sot është një nga objektet e trashëgimisë më të vizituara të Shqipërisë dhe renditet si monument i kategorisë së parë.

Tërmeti i vitit 1617 shkaktoi dëmtime në pjesën e sipërme të kullës. Ndërhyrjet pas tërmetit ndryshuan formën e trungut piramidale në majë. Tërmeti i vitit 2019 që goditi Shqipërinë qendrore shkaktoi dëme të mëdha në muret e Kullës së Sahatit, duke e kërcënuar atë me shembje.

Në përgjigje të këtij rreziku dhe duke marrë parasysh vlerën kulturore dhe historike të këtij vendi, “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, me financim të Fondit të Ambasadorëve, Fondit të Princ Klausit dhe Ambasadës Suedeze, filloi të kryejë në mars 2021 punimet e konsolidimit emergjent për të reduktuar në afat të shkurtër rrezikun.

Qëllimi i projektit është sigurimi i kullës së sahatit dhe parandalimi i degradimit të mëtejshëm edhe nën aktivitet sizmik. Në vitin 2022 ministrja e kulturës tha se

“Struktura ka rishikuar projektin e parë, pasi në momentin që ishim në kontakt me objekti bëmë dhe ndryshime teknike.”

Sot kjo kullë nuk është bërë ende e vizitueshme. Procesi i restaurimit po vijon, por ende nuk ka të dhëna sa sapo kushton restaurimi i dy objekteve historike që u dëmtuan nga tërmeti, Kullës së Sahatit dhe Teqesë së Dollmës.

Pas viteve ’90 mirëmbajtja e monumenteve të kulturës në Krujë nuk është në lartësinë e duhur sipas Haki Hoxhës. Ai ka qenë punonjës dhe specialist I ndërtimit të Muzeut Etnografik, i ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, me emër të madh, në Krujë, Tiranë dhe në Shqipëri.

Sot ai është restauruar dhe përmirësuar me teknologjinë më të fundit nga programi i Bashkimit Evropian “EU4Culture”, udhëhequr nga ekspertët e UNOPS.

Muzeu ka 1200 objekte origjinale, të cilat janë dëshmi e gjallë e mënyrës së vjetër të jetesës dhe traditave të shqiptarëve. Në të pasqyrohet historia e Krujës dhe Shqipërisë të atyre viteve.

Por jo të gjitha banesat, monument kulture i kategorisë së parë kanë pasur fatin të restaurohen.

Kulla 200-vjeçare, e njohur si “Shtëpia e Gani Kuqit” është një nga të paktat shtëpi në qytetin e Krujës me statusin monument kulture dhe ndër të rrallat në Shqipëri të stilit me qoshk, që i ka mbijetuar zhvillimit kaotik të këtyre viteve. Ka vlera të veçanta arkitekturore dhe është domosdoshmëri për t’u restauruar në mënyrë që t’i pasqyrojë brezave të ardhshëm dhe vizitorëve, etapat e zhvillimit arkitekturor të qytetit.

Shembull konkret i vlerësimit të kësaj pasurie të trashëgimisë është Pazari i Vjetër i Krujës, ndryshe i njohur edhe si Pazari i Derexhikut, shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë së Krujës.

Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Gjergj Kastriot Skëndërbeut në shek e XV, kur dyqanet e tij arrinin deri pranë hyrjes së kalasë. Dyqanet i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri.

Këtu turistët kanë rast për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qylyma etj. Pazari i ka rezistuar sundimit 500-vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Për ish krye kujdestarin e monumenteve të Krujës mirëmbajtja është thelbësore nëse nuk duhet të shpëtojmë nga zhbërja e historisë.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 28/07/2024 00:45

    E kam vizituar Krujen perpara demokracise,vizitova muzeun,pazarin,por jo kullen e sahatit,pasi shtegu qe na duhej te kalonim ishte nje shteg dhie buze humneres (nese ka patur ndonje shteg tjeter,nuk e di,por ai qe hasem dukej i rrezikshem).Me pelqeu pamja qe shpalosej ne ballkonin/tarracen e muzeut.Me pelqeu shume dhe pazari i vjeter dhe cfare antikuaresh qe kishte atje,mbeta e mahnitur!!Kjo ishte koha perpara hapjes se vendit,dyndjes se turisteve dhe permbytjes me mall kinez.Shpresoj qe duke qene pazari komplet prej druri,shteti te kete marre masa kunder zjarrit,se ne ato lloj ndertesash zjarri perhapet shume shpejt.Sa per restaurimin e kulles se sahatit,mire do te ishte qe financuesit t'u kerkojne faturat per cdo lloj shpenzimi qe kane bere ketyre taneve,se nuk u kihet besim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kreu i Burgjeve dhe kryebashkiaku i Vlorës firmosin marrëveshje: Ndihmë të dënuarve që të riintegrohen në shoqëri dhe për një fillim të ri

Kreu i Burgjeve dhe kryebashkiaku i Vlorës firmosin marrëveshje: Ndihmë të dënuarve që të riintegrohen në shoqëri dhe për një fillim të ri