Veliaj voton për delegatët në PS: Parti që promovon më të mirët, sot qesh me ata që dje shanin stadiumin, e sot kërkojnë bileta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së PS-së,  votoi sot pranë Njësisë 2 në kryeqytet për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit të kësaj force politike. Pas votimit, përmes parimit “një anëtar, një votë”, Veliaj dha një prononcim për mediat, ku theksoi se ky proces tregoi edhe njëherë se PS është një organizëm aktiv, që lejon garën brenda vetes dhe që promovon më të mirët.

“PS është një organizëm aktiv, që rigjenerohet, që lejon garën brenda vetes dhe që promovon më të mirët. Sot kemi lajme fantastike për PS-në e Tiranës: Jo vetëm një pjesëmarrje mbi 50% para mesditës, por nëse në shtëpi burri dhe gruaja ndajnë peshë të barabartë në vendimmarrje dhe menaxhimin e asaj familje, ashtu edhe në familjen tonë politike, kemi burrat dhe gratë që do të kenë peshë të barabartë. Pra, është një ide fantastike e kryeministrit Rama, e votuar në kryesinë e PS, që i jep mundësi të shkëlqyer të gjitha zonjave e zonjushave të partisë sonë që të afirmohen dhe të marrin realisht 50% të kontrollit të PS-së”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se është pikërisht gara e brendshme që e bën PS një forcë politike gjithmonë fituese. “Arsyeja pse PS fiton non-stop në këtë qytet, por edhe në të gjithë Shqipërinë, është se stërvitet dhe garon me veten. Ne nuk i bëjmë kurrë llogaritë mbi një kundërshtar të zvetënuar, por i bëjmë me çfarë ishte dita jonë më e mirë dhe sesi e nesërmja mund të jetë më e mirë se e djeshmja për PS”, tha Veliaj, teksa shprehu bindjen se mbas zgjedhjeve për delegatët dhe krijimit të strukturave të reja, PS do të shkojë për herë të tretë në krye të punëve të vendit për të çuar përpara të gjitha projektet për Tiranën dhe Shqipërinë.

“Gjërat ndryshojnë kur je në arenë, kur je pjesë e një ekipi që transformon qytetin dhe jo duke komentuar nga tribuna. Mbas këtyre zgjedhjeve për delegatë, do të krijojmë Kongresin e ri, Asamblenë e strukturat e reja drejtuese të PS-së, dhe do të kemi fillimin e garës së radhës për ta bërë Edi Ramën kryeministër për herë të tretë dhe PS për herë të tretë në krye të punëve të vendit, për t’i çuar me marsh të pestë të gjitha projektet që kemi për Tiranën dhe Shqipërinë”, theksoi ai.

Ndërkaq, kreu i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të bëhen nesër pjesë e aktiviteteve të ndryshme festive për 75-vjetorin e çlirimit. Ai deklaroi se PS është një parti krenare që i ka rrënjët në idealet e antifashizmit dhe se Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën Lindore që u çlirua me forcat e veta. “Nesër kemi Ditën e Çlirimit të Tiranës. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, nëse do të vijnë për ceremonitë e përkujtimit tek “Partizani i Panjohur” apo nëse do të vizitojnë një familje dëshmorësh. PS është një parti krenare, që i ka rrënjët në ato ideale, në antifashizmin e atyre viteve. Nuk kemi asnjë kompleks për faktin se kemi qenë antifashistë dhe besoj se Tirana ka një krenari akoma më të madhe. Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën lindore që është çliruar pa ndihmën e ushtrive sovjetike në territorin e saj. Për të gjithë këto arsye, shumë krenari për të qenë tirons në këtë 17 nëntor”, tha Veliaj.

Por, qershia mbi tortë në këtë datë jubilare të 75-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit është inaugurimi i stadiumit të ri, që rikthen Kombëtaren në shtëpinë e saj. Kryebashkiaku theksoi se ndërtimi i tij është treguesi më i mirë i fuqisë transformuese që ka vota. “Unë e mbaj mend ditën e parë kur kryeministri pati idenë gjeniale që të mos e transferojmë stadiumin në periferi, por të jetë një hapësirë ku njerëzit të ecin, të mos marrin makinat e të shkaktojnë më shumë ndotje. Stadiumi është tek njësia jonë, tek njësia 2, ndaj jemi edhe njësia e stadiumit dhe arsyeja pse e përmend këtë është se të gjitha këto që folëm kanë lidhje me votën. Ne votojmë që një parti të bëhet më e mirë, që delegatët e delegatet më të mira t’i çojmë në drejtim të partisë, që kjo parti më pas të marrë drejtimin e shtetit e vendit, që pastaj kur një parti e mirë merr vendimet për drejtimin e vendit, qofshin këto si infrastruktura e stadiumit, do të përfaqësojnë shumicën e interesit publik”, deklaroi Veliaj.

Mandej, ai nënvizoi se koha tregoi se edhe ata të cilët në fillim ishin skeptikë dhe tentuan të bllokonin zhvillimin, nesër do të ndjekin Kombëtaren në stadiumin e ri. “Kur kujtoj sesa sherr, shamata, stërkëmbësha, teori konspiracioni dhe histeri pati stadiumi, dhe kur shoh sesi shumë nga ata që e shanë, sot janë duke kërkuar bileta, që është normale për një ndeshje të parë inauguruese, nuk mund të shkojnë të 1 milion qytetarët e Tiranës, më bën të vë buzën në gaz dhe të kujtoj se gjithmonë duhet ta kemi fokusin tek shumica e heshtur e atyre njerëzve që votojnë, ndihmojnë demokracinë, jo tek një minorancë e zhurmshme që as nuk i ka votuar njeri, as nuk pranojnë të vijnë në ndonjë garë dhe vetëm duan të bllokojnë historitë e suksesit të këtij qyteti”, përfundoi Veliaj.


Lajmi kryesor:

Votimi elektronik për herë të parë në zgjedhjet brenda PS, 76 068 socialistë votojnë për delegatët e Kongresit


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen