Në një tjetër konferencë për mediat, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar sot se tashmë Ministria e Financave e ka pranuar atë që ajo e qaun afera e inceneratorëve dhe evazionin fiskal që është bërë nga kompani të ndryshme aty.
“Ministria dje pranoi se qenkan 500 kompani të tilla, me disa që janë dënuar dhe disa jo. Por unë kam një pyetje! A ka audituar ndonjëherë Ministria e Financave inceneratorët e Fierit, Elbasanit, apo Tiranës. Nëse që prej 2015 këto kompani janë hetuar për shkelje në deklarimin e të ardhurave”, tha Kryemadhi.
Po ashtu në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi ka vijuar denoncimet mbi atë që e quan afera e inceneratorëve, teksa i drejton qeverisë edhe disa pyetje. Po ashtu kryetarja e LSI-së, i bën thirrje SPAK që të veprojë sa më parë, kundër kësaj vjedhje të faktuar tashmë, me Kryemadhi, me 3 koncesionet e inceneratorëve.
‘Opinioni publik është qartësuar këto ditë edhe më tepër përmes fakteve konkrete, pse Edi Rama, Erion Veliaj dhe banda e tyre në qeveri, kanë realizuar dhe mbrojnë me çdo kusht aferën e inceneratorëve, krye-aferën korruptive të këtyre 30 viteve.
Të moshuar 95 vjeçarë, emigrantë shqiptar, si rasti i çobanit në Greqi që u intervistua sot nga media, e njerëz të varfër pa asnjë lidhje me sipërmarrjen/biznesin në jetën e tyre, janë përdorur pa mëshirë nga grupi i strukturual kriminal, qeveri-individë, për të realizuar vjedhjen e parave të shqiptarëve.
Qeveria thotë se i kanë hetuar kompanitë fiktive në vitin 2018, por shikoni tabelën e mëposhtme që tregon se në vitin 2019, pra 1 vit pas hetimit të tyre, kompania fiktive "Elvis 03 Group", i ka bërë fatura fiktive kompanisë ITS të Klodian Zoto, në vlerën e 3.5 milionë dollarëve.
Kompania ITS është nënkontraktore për realizimin e investimit të inceneratorit të Tiranës dhe dy inceneratorëve të tjerë.
Le të përgjigjet qeveria:
1. Si ka mundësi që pasi është zbuluar në vitin 2018, kompania “Elvis 03 Group” është lejuar të ketë aktivitet financiar?
2. A e keni hetuar ITS e Klodian Zoto për këtë aktivitet financiar 3.5 milionë dollarë me një kompani që ju vetë e konsideroni evazioniste, si “Elvis 03 Group”?
3. Nëse po, a është referuar ITS në prokurori?
4. Nëse nuk e keni hetuar, urdhri i kujt e ka bërë administratën tatimore të mbylli sytë?
Unë e di të vërtetën dhe ajo flet qartazi se kjo është skema si Klodian Zoto ka kthyer paratë mbrapsht te qeveritarët që dhanë firmat e paligjshme për inceneratorët.
Qeveria shqiptare është e mirëpritur të përgjigjet, ndërsa drejtësisë së re dhe SPAK në veçanti, nuk i falet të mos veprojë sa më parë kundër kësaj vjedhje të faktuar tashmë me 3 koncesionet e inceneratorëve.
Në çdo vend normal të botës kryeministri duhet të jepte dorëheqjen e menjëhershme pas këtij skandali tashmë të ekspozuar, por arroganca qeveritare e mbështetur tek një aleancë e errët ndër institucionale, mban gjallë iluzionin e shpëtimit nga gjykimi. Faktet do vijojnë të bëhen mal, deri sa faktet të fitojnë mbi peshën e çdo karrige drejtuesi qeverie, bashkie, apo drejtësie.’- shkruan Kryemadhi.
Të dhënat e publikuara nga Kryemadhi
Ka apo nuk ka lidhje me Inceneratorin e Tiranës, i mbetet Prokurorisë së Posaçme ta zbulojë, por denoncimi i bërë publik për herë të parë nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste, Monika Kryemadhi, nxjerr në pah një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar, bërë edhe në kurriz të disa pensionistëve shqiptarë. 24 kompani, që Kryemadhi i denoncoi me emra kanë leshuar fatura për shërbime të ndryshme, në vlera marramendëse, duke mos i paguar shtetit tatim-fitimin, TVSH dhe gjobat. Në këto kushte, janë kthyer në borxhlinj ndaj Drejtorisë së Tatimeve, 189 milionë dollarë evazion fiskal, sipas denoncimit të LSI-së.