Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me fermerët ka vijuar akuzat kundër kryeministrit Edi Rama. Kryemadhi ka theksuar se LSI-ja ka një program konkret për të qeverisur vendin.

Si jargavitet dhe djersitet nga sikleti kur bën ligj antikushtetues për shembjen e teatrit dhe na del me orë të tëra për t’i shpjeguar sa pa vlerë është teatri, një nga krenaritë e shqiptarëve. Ndaj sot si nënë, si grua, si shqiptare dua t’ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve; konsumoni produktet tona të mrekullueshme, të mbjella e kultivuara nga vëllezërit tanë. Djersa e tyre, e jona, duhet respektuar e trajtuar me dashuri. LSI së shpejti do të paraqesë një program të qartë për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve.

Subvencionimi do të jetë për çdo kokë bagëti, për çdo koshere blete, çdo dynym të mbjellë, për çdo serë të ndërtuar, direkt te fermeri duke hequr hallkat dhe burokracitë e deritanishme ku fermerët më shumë kohë dhe para harxhonin për aplikime, se sa përfitonin nga subvencionet. LSI do heqë akcizën e naftës për fermerët, ashtu siç e hoqi për peshkimin kur drejtonte Ministrinë e Bujqësisë. Duhet të ndihmojmë dhe të çlirojmë fermerët nga këto taksa te larta që po i marrin frymën.

Gjithashtu do paraqesin një paketë ligjore ne mbrojtje të prodhimeve të fermerëve dhe blegtorëve shqiptar, që asnjë spekulator të mos guxojë më të nëpërkëmbë emrin, sakrificën, punën e mijëra fermerëve për “fitime” aspak të ligjshme. Forca e shtetit do veprojë mbi këta spekulatorë, jo si sot ndaj qytetarëve të lirë.

LSI nuk ka bërë ndonjëherë propagandë me fjalë boshe, por edhe si më parë fjala e LSI, është fjalë e mbajtur”, shprehet Kryemadhi. Opozita ka djegur mandatet duke dalë nga Kuvendi, ndërsa vijon protestat dhe mosbindjen civile.

Ditën e enjte opozita ka paralajmëruar bllokim të rrugëve si një javë më parë, ndërsa në 11 maj protestë kombëtare para parlamentit për të kërkuar sërish largimin e qeverisë Rama. Opozita ka deklaruar se do të bllokojë zgjedhjet në 30 qershor, ndërsa Rama ka paralajmëruar se do të zbatohet ligji dhe se atë që do të tentojë i pret burgu.