Janë shumë pak në shesh. Akoma edhe më pak në një sallë në një nga ambientet e Hotel Tirana, të cilën Edviol Kulluri, i ashtuquajturi Kryendrituri, tentoi ta quajë Asamblenë që do të krijojë Kuvendin Qytetar.

“Është mbledhur sot ja ku jemi gati 400 veta, asambleja ta transformojë vetveten në kuvend kombëtar qytetar”, tha ai.

Por qartazi në këtë sallë, pjesëmarrja është shumë më e ulët se shifra imagjinare e Kryendriturit.

I vetëshpalluri nismëtar i institucioneve të reja përmes të cilave në mënyrë fare të paqartë synohet të përmbyset sistemi i vjetër 80-vjeçar, e pati të vështirë të bëjë në një mendje, këtë grup qytetarësh në sallë.

“Nëse do ketë indicie të dhunës në çfarëdolloj forme në këtë Kuvend nuk e mbështes

Për çfarë jemi këtu, kot apo për të ndërtuar një kongres.

Hajde mblidhemi në shesh, jo të ndahemi”, thanë disa prej të pranishmëve.

Ashtu si në podiumin e protestës në shesh që i është lënë në dorë qytetarëve të rastësishëm, edhe në takim, nisi beteja për mikrofonin.

Shumë filluan të kërkojnë fjalën pa i lënë radhë Kryendriturit nga Dukati i Vlorës të shpalosë platformën e tij.

Armir Shkurti: Edvioli do prezantojë platformën, dhe pastaj do ta votojmë me pro ose kundër

Një protestues: jo do dëgjohemi ne një herë

Mes planit për të krijuar institucione paralele nga Asamble, Kuvend Qytetar, dhe Këshilli Ekzekutiv, Edviol Kulluri nuk arriti të gjejë gjuhën e përbashkët mes këtij grupi, për të ardhmen e protestës të cilën synon ta kthejë në forcë të madhe, aq sa për të përmbysur një qeveri.

“Nuk kam ardhur këtu t’u dëgjoj vetëm ju…”, tha një qytetare.

Madje në krah të tij, pati shumë pak figura me të cilat thotë se e ka nisur aktivizimin qytetar prej vitit 2017. Në mbledhje u panë vetëm Armir Shkurti, Përparim Gjeka apo Sazan Guri, por nuk ishin të pranishëm asnjë nga grupi organizator i protestës, si Andi Tepelena, Edison Lika, Luçiana Kokaj e Sidorela Vatnikaj.

“I kam thënë vetes Kryendrituri, jam pjesë e rrjetit të aktivistëve atdhetar, bashkë me Arben Kolën, Ferdinand Shehaj, Andi Tepelena, me dhjetëra, që prej 2017-ës “, tha Kryendrituri.  

“Ideja ime është që pasi të kemi sukses në këtë kauzë, të japë dorëheqjen rama, të iki Berisha“, tha Kryendrituri. 

Paqartësia se si kjo platformë në letër do të sjellë largimin e kryeministrit Edi Rama, kur deri më tani artikulohet vetëm kërkesa për dorëheqje, i shtyu disa nga të pranishmit, të kërkojnë t’i ndryshojnë orar revolucionit.

“Protesta të jetë në orën 10,00. ne do e lëmë punën, si shkoni në punë kur taksat po na I vjedhin? Revolucioni të fillojë që në mëngjes”, tha një qytetare.

Ashtu siç protesta në shesh ka linçuar me dhjetëra personazhe publikë, si nga media, bota e artit, edhe brenda kësaj salle të vogël fryma e përçarjes dhe gjuha e urrejtjes nuk mungoi.

Qytetarja: Nuk është demokraci

Të tjerët i përgjigjen: Ik sorosiane

Që kjo tryezë ishte larg numrave të dëshiruar dhe larg të qenit struktura që do të përmbysë klasën e vjetër politike, u vu re në kritikat e shumta të disa folësve, se kjo mbledhje rreth një mikrofoni, nuk është përfaqësuese e protestës.

“Protesta është shumë e ndarë duhet të jemi bashkë”, tha një e re nga Anglia.

Kryendrituri synon që me Kuvendin Qytetar të “drejtohet vendi” pas protestave dhe t'i thërrasë qytetarët në shesh sa herë që sipas tij të ketë padrejtësi.

“Ky kuvend të ketë edhe një funksion tjetër, të ketë funksionin sa herë që qeveritë tona bëjnë padrejtësi, ne të kemi mundësinë të mbledhim ata 300 mijë dhe 500 mijë në shesh, kur të duam ne. Mekanizmi është Kuvendi Kombëtar Qytetar. Ky kuvend të jetë i përhershëm dhe sa herë ka padrejtësi të mblidhemi. Të ketë linjë komunikimi me të gjithë popullin protestues”, tha Kulluri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:06
Përplasjet në Kuvendin Kombëtar të protestës, ironizon Erion Braçe: Aman mos u rrihni, jeni shpresa e vetme

1784408588_sherri.png

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ironizuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar për të ‘drejtuar vendin’ pas protestave, i cili u mblodh ditën e sotme nga Edviol Kryendrituri.

Duke publikuar pamje nga përplasjet mes anëtarëve në Kuvendin e protestës, Braçe me ironi ka shkruar në rrjetet sociale ‘aman mos u rrihni, jeni shpresa e vetme’.

Ora 16:58
Tensione në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar, rojet e sigurisë nxjerrin nga salla ish-deputetin Selami Jenisheri (VIDEO)

Kuvendi Kombëtar i protestës zhvilloi këtë të shtunë ditën e parë të punimeve, e cila u shoqërua edhe me disa momente tensionesh dhe përplasjesh në sallë.

Ish-deputeti Selami Jenisheri është nxjerrë nga salla. Jenisheri hyri në sallë dhe u ul në rreshtat e parë, në zonën ku ishin pozicionuar organizatorët e aktivitetit. Prania e tij në atë pjesë të sallës solli reagimin e organizatorëve, të cilët kërkuan ndërhyrjen e rojeve të sigurisë.

Pak çaste më vonë, efektivët e sigurisë e shoqëruan Jenisherin jashtë sallës. Megjithatë, situata u qetësua shpejt dhe ish-deputeti u rikthye, duke pranuar të ulej në pjesën e pasme të sallës, ku vijoi të ndiqte punimet e Kuvendit Kombëtar të protestës.