/ATSH/.- "Do të punoj që sundimi i ligjit dhe vënia e drejtësisë të bëhet pa kompromisë", deklaroi sot kryeprokurori i ri i shtetit Alekdandër Lumezi, gjatë marrjes së detyrës, një ditë pas dekretimit nga presidentja Atifete Jahjaga.
Kryeprokurori Lumezi, tha se do ta ndërtojë një sistem i cili do të bazohet në ligj, ndërsa paralajmëroi të gjithë ata që vepruan në mënyrë të paligjshme, që mos të ndihen mirë sepse do të veprojë me forcën e ligjit.
"Gjatë ushtrimit të funksionit tim do të sigurohem që të gjitha ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin mos të ndihen mirë dhe të qetë, pasi forca e ligjit dhe shtetit do të zbatohet kundër tyre pa kompromis. Sundimi i ligjit dhe vënia e drejtësisë do të jenë udhërrëfyes për mua gjatë shtatë viteve të ardhshme", tha Lumazi.
Ai tha se synimi i tij do të jetë ndërtimi i mëtejshëm i një sistemi prokurorial të qëndrueshëm dhe efikas i bazuar në vlera dhe standarde ndërkombëtare, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin.
Ushtruesi i deritanishëm i kryeprokurorit Sylë Hoxha tha se kryeprokurorin e ri Aleksandër Lumezin e presin shumë sfida, të cilat kërkojnë përkrahje dhe mbështetje që të realizohen ato.
Lumezi u zgjodh për herë dytë kryeprokuror i shtetit, meqë herën e parë vendimin e Këshillit Prokurorial për zgjedhjen e tij si kryeprokuror e kishte anuluar Gjykata Kushtetuese, pasi kishte konstatuar se ka pasur shkelje ligjore në procedurat gjatë zgjedhjes së tij. /KosovaPress/