Kryetari i gjykatës së Korçës Admir Belishta, probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës  

Kryetari i gjykatës së Korçës Admir Belishta, probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës  

Kryetari i gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korcë, Admir Belishta

Kryetari i gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korcë, Admir Belishta doli dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues ishte Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa.

ILDKPKI i raportoi KPK-së se Belishta kishte bërë deklarim të pasaktë, s’kishte burime të ligjshme financiare, ka kryer fshehje të pasurisë dhe ka bërë deklarim të rremë. KPK ka bërë një hetim të thelluar, duke dalë në konfuzionin se Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm për blerjen dhe mobilimin e një apartamenti 107 metra në Korçë në vitin 2009 me vlerë 6 milion lekë. Po ashtu u vu në dukje se kishte mospërputhje në deklarime në lidhje me shpenzimet mbi këtë pasuri.

Sipas relacionit Belishta nuk kishte të ardhura të ligjshme për të justifikuar këtë shpenzim në vitin 2009. Belishta tha se burimi i krijimit të pasurisë ishte i ligjshëm. “Deklaroj me sinqeritet se burimi i pasurisë është nga të ardhurat e mia, duke filluar nga shkëputja prej trungut familjar në vitin 2004”, tha gjyqtari. Ai i tha KPK-së se kishte qenë beqar dhe për këtë arsye nuk “i është dashur mobilim i plotë” dhe se e kishte deklaruar vit pas viti në ILDKPKI shpenzime shtesë që sipas tij ishin shpenzimet e mobilimit. Ai tha se ishte ndihmuar në fillimet e tij nga dhurimi prej 1.2 milion lekësh nga familja. Belishta tha se kjo ishte pasuria e prindërve të tij e ndarë për dy fëmijët.

Ndërkohë sipas KPK-së, probleme të ngjashme për Belishtën kishin dalë nga hetimi rreth një shtëpie 62 metra katrorë në një fshat të Maliqit. Sipas relacionit edhe në këtë rast Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm të 2.6 milion lekëve që ishin përdorur për ndërtim e mobilim të shtëpisë. Po ashtu në këtë rast relatorja vuri në dukje se gjyqtari kishte bërë “deklarim të rremë” sa i përket mënyrës së përfitimit të tokës. Gjyqtari kishte mungesë të ardhurash edhe sa i përket blerjes së një makine për 600 mijë lekë për të cilën KPK kishte dyshime edhe mbi fiktivitet të vlerës dhe për mosdeklarim prej vitit 2013 e në vijim të tokës bujqësore që i takonte bashkëshortes. KPK tha se Belishta e kishte justifikuar mosdeklarimin me harresë, por sipas relatores bashkëshortja kishte hequr dorë nga kjo pronë vetëm 5 ditë para plotësimit të deklaratës.

Pastërtia e figurës  

DSIK ka përcjellë dy raporte të ndryshme për Belishtën, ku gjyqtari është cilësuar “i papërshtatshëm”. Belishta nuk u ndal specifikisht të përgënjeshtronte këtë akuzë. Në fjalën e tij ai iu referua një kolegu të cilin nuk donte ta përmendte duke theksuar se kishte raporte të mira me të afërmit e tij, ndërsa tha se kishte kryer detyrën me integritet dhe se kishte drejtuar “një gjykatë model”, e cila ishte përfshirë në një sërë projektesh pilot nga partnerë ndërkombëtarë. Ai po ashtu ritheksoi faktin se nuk e njihte personin të cilit i kishte blerë makinën dhe se i vetmi kontakt me të kishte qenë momenti i blerjes. Këmbënguljes së relatores gjatë pyetjeve se si e kishte rigjetur këtë person pas shumë vitesh për t’i marrë një deklaratë noteriale në lidhje me vlerën e mjetit, Belishta iu përgjigj se kishte përdorur ndërmjetësin që i kishte prezantuar për shitjen e makinës.  Ai tha se nuk e kishte takuar personin as në këtë rast dhe kishte marrë deklaratën noteriale te noteri pa pasur kontakt me lëshuesin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër