Pjesa e dytë
Luan Myftiu lindi në Berat në vitin 1933 dhe që në moshë të vogël mbeti jetim, pasi i ati, patriot i nderuar dhe mbështetës i “Ballit Kombëtar”, dënohet me pushkatim në vitin 1945, por më pas, i falet jeta dhe vdiq pas pak vitesh në burgun e Burrelit ku vuante dënimin. E ëma e Luanit, dhe ajo nuk arriti të dilte gjallë prej psikiatrisë, ku u flak pa mëshirë. Mes vuajtjesh që e ndoqën dita ditës, me shumë përpjekje, Luani arriti të vazhdonte shkollën Pedagogjike në Berat dhe filloi punën si mësues. Por gjatë gjithë kësaj kohe ai ishte nën survejimin e vazhdueshëm të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1975, ai arrestohet dhe dërgohet në hetuesi. “Ç’kam bërë”? – do të pyeste Luani hetuesin…! “…Je mish i therur që ne mbajmë në frigorifer, kur na duhet të marrim, të dënojmë që të shohin ata të rinjtë që këndojnë kanconeta”, – i’u përgjigj hetuesi. E dënojnë 10 vjet dhe dërgohet në Spaç, ku ai vuan të gjithë dënimin. Mbas vitit 1990, vjen në Tiranë ku merr pjesë aktive në proceset demokratike dhe angazhohet me shkrime të ndryshme kryesisht në gazetën “Liria”, organ i Shoqatës së ish-të Dënuarve dhe Përndjekurve Politik të Shqipërisë. Luan Myftiu është marrë dhe me letërsi, duke lëvruar gjininë e tregimit, të cilin e kishte me shumë pasion. Ka botuar një ese me titull “Nën territorin komunist”, si dhe ka përkthyer “Aforizma të pa përshkruara ndonjëherë”, të Oscar Wilde si dhe “Net të bardha”, të Dostojevskit.
GJYQI I DOSTOJEVSKIT
I mbetur jetim nga të dy prindërit qysh në fëmijërinë time të hershme, asnjëherë gjatë jetës nuk dita si t’i ndërtoj tamam marrëdhëniet e mia me të tjerët. Mbeta, si të thuash, njëlloj lypsari i dashurisë njerëzore, sepse jetimi, pa e kuptuar, do të kërkojë tërë kohën të mbushë në shpirt atë mungesë, që i ka krijuar humbja e prindit. Dhe sa më shumë rritesha, aq më tepër e ndieja veten si një barkë në një det me tallaz. Nuk e di se si më ra në dorë një libër i F.M. Dostojevskit dhe që nga ajo ditë, unë jo vetëm mbeta rob i tij, por më dukej sikur nuk kisha më atë etjen e parë për të rrëmbyer ndonjë këshillë nga të tjerët.
Madje sikur një zë i fshehtë më thosh që të tjerët duhej të këshilloheshin me mua. E ku mund ta merrja dot unë me mend se sa shtrenjtë do ta paguaja ndikimin e tij, sidomos duke e lexuar atë kolos në një moshë, ku përvoja të pengon të ndash ëndrrën nga realiteti. Se gjenitë janë të dobishëm, aq sa jemi ne të aftë të ushqejmë shpirtrat tanë me nektarin e tyre.
Megjithatë unë s’jam i penduar që e lexova me pasion këtë autor, kur mendoj se pa të kushedi ku do të kishte përfunduar anija ime, në kushtet e një diktature që shkatërronte edhe bijtë e saj. A nuk i dëmtojnë ndonjëherë edhe vetë prindërit fëmijët e tyre, duke u plotësuar çdo tekë e duke i bindur se si ata nuk ka të tjerë në botë?
E ç’faj t’i vë unë Dostojevskit pse s’pata njeri të më mësonte që s’duhej ta lexoja në atë moshë dhe në kushtet e një sistemi shoqëror, që të dënonte edhe po t’i doje e po të të donin njerëzit pa lejen e partisë? Në fillim po çuditesha edhe me veten time. Si është e mundur që nuk u zemërohesha atyre që më ironizonin, apo atyre që më shihnin me mospërfillje, ngaqë u dukej se qëndroja më poshtë se ata?
Si më vinte keq edhe për ata që i përbuzte gjithë njerëzia, madje kur për këtë keqardhje pësoja fyerje nga ca njerëz krenarë? Të gjithë më dukeshin të mirë, aq sa edhe të liq. Rrija natën pa gjumë për të gjetur se cili ishte më shumë i mirë se sa i lig.
Dhe, duke i parë të tjerët me këtë sy, u bëra i mirë për të gjithë, ndonëse e ndieja se asnjëri nuk më donte e çmonte, siç mendoja unë. Me një fjalë, Dostojevski më kishte futur në një hall të madh, të cilin asnjë s’e ka zgjidhur dot deri më sot në botë; si t’ia bësh që të të duan të gjithë? Po a ka mundësi të të duan të gjithë? E pse u dashka që të të duan të gjithë, nëse ke forca që t’i duash ata?
Më ishte fiksuar ideja që në botë mund të arrihet gjithçka me anë të forcës së dashurisë. Bile, me anë të saj mund të detyrosh edhe ata që të kanë bërë keq të pendohen dhe të të adhurojnë që i shpëtove nga kthetrat e urrejtjes. Por, kur përfytyroja tim atë të pushkatuar pa faj prej komunistëve dhe nënën e gjorë që vari veten me shallin e nusërisë së saj kur ia vdiqën në tortura të vëllanë dhe nipin, më shembej e gjithë kalaja e ngritur dhe jetoja me javë të tëra i heshtur, duke parë çdo njeri si bartës të së keqes e ligësisë, aq sa edhe Dostojevski më dukej si një sabotator i madh, që synon të justifikojë djallin për të akuzuar engjëjt.
Dhe përpiqesha pa mundur dot të hyja në universin e veprës së tij, në atë botë të pafund yjesh, që ka ligjet e gravitacionit të saj. Dhe në atë errësirë bëhesha i zakonshëm, shkëputesha prej tiranisë së Dostojevskit dhe nisja t’i doja dhe t’i urreja njerëzit siç bënin të gjithë.
Por me kalimin e kohës e ndieja se më duhej të sillesha me të tjerët si hipokrit. Sepse në diktaturë as mund të duash as mund të urresh kënd siç dëshiron nëse kjo bie në kundërshtim me peshoren që ka vënë shteti për t’i dashur, a për t’i urryer njerëzit. Ndaj m’u desh të largohem prej njerëzve, me qëllim që t’i doja apo t’i justifikoja, duke i soditur.
Mirëpo përsëri s’më linte të qetë një pyetje: po ata që meritojnë të urrehen? Duke u përpjekur të zgjidh këtë çështje më ndihmoi Dostojevski, duke më këshilluar të mos merresha me ta, për sa kohë nuk kisha mundësi t’i ndreqja. Kështu të paktën nuk u armiqësova me ata që nuk më kishin faj për mjerimin tim, ndonëse silleshin me mua siç donte shteti.
Dikur pata edhe një lloj iluzioni sidomos kur komunistët e zbusnin egërsinë e tyre, por me kalimin e kohës, u binda se kjo ishte vetëm një taktikë e tyre, mbasi këtë zbutje ata e bënin jo nga zemërgjerësia, por nga frika që kanë të gjithë tiranët kur u vete skllevërve thika në kockë sa të thonë për atë që vdes: “Shpëtoi”.
Nga kjo klimë përfitonin edhe ata që ishin caktuar si “kurban” të cilët e pranonin këtë lloj amnistie të përkohshme, ndonëse e dinin që do të “thereshin” më vonë. Por është për t’u çuditur me mjerinë, i cili edhe kur e di ç’e pret nuk e pranon të keqen për vete! Kështu hodhëm vallen në gojë të ujkut, ashtu siç thoshte komunizmi edhe për veten e tij. Të gjithë kurban që shpresonin se nuk do të na vinte kurrë radha për t’u sakrifikuar.
Kështu ndodhi që në një nga këto periudha të zbutjes hileqare, të caktohesha mësues në një fshat të largët, meqë sapo kisha mbaruar shkollën Pedagogjike, të vetmen shkollë të mesme që kishte në atë kohë qyteti ynë. Ishte vërtet një lumturi të kishe ku të ndërtoje atë botë me bukuri mahnitëse që të frymëzonin konstruktorët e mëdhenj të shpirtrave njerëzore, siç ishte në rastin tim F. M. Dostojevski.
Tani unë i eturi për një grimë dashuri prindërore do të bëhesha prindi i dytë për krijesa të pafajshme që vegjetonin në një shkëmb të ashpër siç ishte diktatura komuniste. Tani askush nuk mund të më ndalonte që brenda atij programi sakatues të ngrija kosheren e dashurisë njerëzore ku fëmijët të ndienin se sa e madhe është bota e mirësisë.
Dhe çudi! Sa shumë e ndien shpirti njerëzor sinqeritetin dhe fisnikërinë! Por komunizmi, i cili ngrihet mbi urrejtjen nuk mund të durojë që njerëzit ta duan njëri-tjetrin. Sepse dashuria njerëzore ngrihet mbi lirinë, prandaj komunizmin e tmerron dhembshuria, keqardhja, vëllazërimi, prandaj ai dënonte çdo predikator të mirësisë dhe bujarisë. Pikërisht kur kisha arritur apogjeun e mendimit të mirë të të tjerëve ndaj meje, madje dhe të atyre që nuk e kuptonin pse duhej të të shihnin me sy të keq, vjen befas një urdhër i prerë që të më vihen “hekurat” në duar.
Duke mos dashur ta lodhim lexuesin me historitë e frikshme të rrëmbimit që më bëri Sigurimi i shtetit, si u përpoq ai të më detyronte të pranoja fajësi, që as e kisha imagjinuar nuk mund të rri pa treguar shkurt një nga episodet e hetuesisë sime tragjike, por që edhe mua sot se si më bën gati për të qeshur.
Ishte një natë e errët kur më thirrën, si zakonisht, për të më pyetur për fajësitë e mia të pakryera ndonjëherë. Veç kryetarit të Degës, ndodheshin në dhomë dhe disa oficerë të Sigurimit. Dukeshin sikur kishin një etje të veçantë për të shqyer dikë ndaj e kuptova që do ta kisha të vështirë t’i përbuzja duke heshtur.
– Fol! – klithi kryetari që kish hipur majë tavolinës për të më ngritur peshë nga flokët.
– Përse më keni marrë? Unë s’kam bërë gjë! – belbëzova.
– Si? – ulëriti si bishë. – S’ke bërë gjë? Pse ç’kujton ti kur të bësh do të të arrestojmë ne…?!
– Po si, pa bërë gjë?!- desha të ngul këmbë unë.
– Ta pret mendja! Pse quhemi Sigurimi i Shtetit që të presim sa të bësh ti ndonjë proçkë, pastaj të të vëmë hekurat. Dhe iu kthye shokëve:
– Ne na kanë thënë se është burrë i zgjuar, ky po na del kërriç gomari!
– Kur s’kam bërë faj, për ç’ju hyn në punë arrestimi im? – pyeta jo me zemërim.
– Po si thua zotëronte të arrestojmë djemtë tanë që këndojnë kanconeta italiane nëpër pikniqe…?! Dhe më kapi prej mjekre duke më ngulur sytë.
– Pa shikomë pak në sy? Dhe përgjigju shkurt: Na do ti ne…?!
– Si? – më doli nga gryka papritur.
Kryetari u ngrit dhe nisi të lëvizë nëpër dhomë.
– Të pyeta: Ti na do ne…?!
– Po ju… më doni… mua? – belbëzova.
– Si…?! Ne të duam ty…?! ulëriti, pastaj lëshoi një grusht mbi mua i cili pasi më rrëzoi për tokë u përsërit dhe atje disa herë. Ndjeva dorën të lagur. Duket hekurat gjermane më kishin çarë ndonjë venë.
Më ngritën dhe më vunë në karrige si ndonjë lodër fëmijësh dhe ndërsa njëri prej tyre më ndali gjakun me diçka ngjitëse, kryetari vijoi i qetë.
– Mos na kujton se jemi ai princi Meshkin i Dostojevskit tënd?
– E di që s’mund të jeni ai zotëri!
– Po si guxon të na thuash nëse të duam?
– Desha të them që meqenëse nuk jam marrë fare me ju.
– Si s’je marrë fare me ne? – klithi përsëri. Çdo të thuash? Që ke pasur të drejtë të merreshe, por s’ke dashur? Pse s’je marrë dhe pse s’ke dashur? Pse s’je marrë dhe pse s’ke dashur të merresh me ne?
– E dija se ç’më gjente! Por arsye kam pasur…!
– Si? Si? Ke pasur arsye për të na urryer?
Dhe kur unë i binda se sa të drejtë do të kisha pasur të merresha me ta, kryetari thirri:
– Dëgjo këtu. Bëj shyqyr që ke në krye të shtetit ca largpamës se për ideal të Partisë, unë ta hap kafkën me bisturi dhe t’i ha trutë me me lugën e kafesë! Dhe i’u drejtua shokëve të tij: “Kurse ju më thoni mua ta dënojmë këtë vetëm dhjetë vjet burg? Ky po na mbush mendjen neve se qenkemi burra të poshtër! Dhe klithi: “Hiqmani sysh”!
Pas dy muajsh më nxorën në gjyq. Kur të gjithë prisnin të dëgjonin se ç’krime kisha bërë, u dëgjua zëri i prokurorit:
– E ke lexuar Dostojevskin?!
– Po! – gjegja shkurt.
– Pse e ke lexuar? – vijoi i parapërgatitur njeriu i drejtësisë.
– Si mësuese letërsie, duhet të dija diçka për të! – thashë.
– Që të ruaje nxënësit nga ndikimi i tij? – pyeti me ironi prokurori.
– Ndoshta! Po! – thashë. Dhe për këtë! Fëmijët duhet të dine…!
– Po ti vetë, ç’ndikim ke pasur prej tij? Ç’ke kuptuar në veten tënde?
– Këtë po pres të ma thoni ju! – thashë jo pa ironi.
– Kurse ne e presim prej teje. Ç’ndikim ke pasur prej atij maskarai?
Dikush qeshi nën zë në sallë. Unë ndërhyra menjëherë.
– Kam kuptuar që nën ndikimin e tij i dua njerëzit thjesht vetëm si njerëz!
– Po ne si i duam? – ia priti prokurori. Mos vallë i duam si kafshë?
– Jo zotëri nuk thashë ashtu! Ju i doni njerëzit, por jo njëlloj. Ju s’mund të doni komunistin njëlloj me kulakun apo armikun e klasës! Dhe më erdhi ndërmend një sentencë e Dostojevskit: “O Zot! Na shpëto nga vetja jonë”.
Dënimi për dhjetë vjet burg m’u dha mbas dite. Memorie.al
Llogje kavaje. Lexoj shume tregime tè denuarve ca politike, ca estrade, ca teatri, ca cirku e me radhè. Lexova shkrimet e tij, qenka arrestuar nè vitin 75 ka bèrè 10 vjet burg dhe u kthye nè tiranè ne vitin 90. Babai kryeballist, u denua me vdekje e u fal, vdiq nè burg. Djali vashdon shkollen pedagogjike e del mèsues. Nè vitin 1952 ai ka qènè mesues. Nga viti 1952 deri nè vitin 1975 rreth 23 vjet ka punuar mèsues. Dhe nè vitin 1975 e arrestuan. Motivi? qè eshte genjeshter e madhe qè kryetari i deges hipi nè tavoline. Nè vitin 1975 Hetuesia ishte istitucion i pavarur nga ministria e brendshme. Keshtu Kryetari i deges brendshme nuk ka qènè. eshte mè dinjitoze tè shkruhet ishte ky e ky. jo llogje kavaje.
PërgjigjuDrame e dhimbshme, por me nje personazh, vete autori; Gjithe personazhet e tjere, kryetari i deges oficeret e sigurimit, deshmitaret, e keqja jane anonime, pa emra. Tek te gjithe, gati, ndiqet e njejta linje; thjeshte autoportrete.
Përgjigju