13 drejtues mjetesh janë arrestuar gjatë 48 orëve të fundit, për shkak të moszbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor duke u bërë shkak për aksidente. Nga 13 të arrestuarit, 6 janë për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Gjatë monitorimit me radarë dhe kamera, policia ka hequr 54 patenta, nga të cilat 33 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, ndërsa janë gjobitur 2679 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Mes tyre është ndaluar edhe një makinë Ferrari pasi ecte me 147 km në rrugë në aksion Tiranë-Durrës.
Gjatë kontrolleve parandaluese, krahas sanksioneve administrative të vendosurave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, Policia Rrugore, përgjatë 48 orëve të fundit ka goditur dy raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore kanë konstatuar shtetasin A. O., 37 vjeç, i cili drejtonte mjetin mbi normat e shpejtësisë së lejuar. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, 37-vjeçari A. O. i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedha me vlerë 50 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Po gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “5 Maji”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë konstatuar shtetasin F. B., i cili po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi F. B., 62 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, dy kartëmonedha me vlerë 1000 lekë, me qëllim shmangien e testimit për alkoolin.