Ku po mbetemi ne?

Ku po mbetemi ne?
Gjendja ekonomike dhe ajo e sigurisë vazhdojnë të mbeten të brishta.

As 2015-a nuk po duket të jetë më optimist se viti që po e lëmë pas.

Asnjëri nga liderët aktualë nuk po ka guxim të marrë përgjegjësi, duke përdorur autoritetin e tyre sikur që bënin në të kaluarën, tash çdo gjë ia kanë lënë fatit.

Të zhytur thellë në afera korruptive, me moral të ulët sidomos pas fushatës të stërzgjatur dhe lakmisë për pushtet, atyre më nuk po u beson askush.

Duke e ndjerë dita-ditës se rrethi i tyre po ngushtohet, të pashpresë e parrugëdalje, në pritje se kush nga ta do të shpëtojë e kush jo, Kosova më nuk është e para, tani për tani ajo mbetet në rend të dytë.

Edhe pse pa ide dhe energji për të ecur përpara, të gjithë po e presim mrekullinë, mrekulli që do ta shënojë fundin e kësaj epoke dhe një fillim të ri.

Lideri, që i duhet Kosovës, sot do të trokiste në dyert e Departamentit të shtetit amerikan, ku do të kërkonte urgjentisht që Kosovës t’i ndihmohet me krijimin e ushtrisë, duke kërkuar sqarime se pse kosovarët nuk paskan të drejtë të mbrohen nga terrorizmi?

I njëjti në Bruksel do të kërkonte që Bashkimi Evropian urgjentisht t’i hapë rrugën studentëve dhe të rinjve kosovarë që të shkollohen në shtetet e EU-së, duke pasur të drejtë pune sezonale, e sa për liberalizim të vizave shyqyr e kemi Durrësin.

Po i njëjti do t'ju kumtonte shteteve arabe se jemi ngopur me xhamia dhe hurma të ramazanit, është koha që të thithim investime nga shtetet naftëtare, ashtu sikur vendet e rajonit.

Jo lëmoshë, por bashkëpunim. 

Lobimi për njohje të shtetit të Kosovës duhet të jetë i fokusuar në Azi, atje ku jeton gjysma e popullsisë së globit.

Gjysmën e ndërtesave të ministrive do t’i shndërronte në hapësira për çerdhe të fëmijëve, duke e reformuar Administratën e stërmadhe që po e ngufatë buxhetin, edhe ashtu me suficit të bartur prej vitesh, që doli të jetë deficit.

Tash kur u bindëm se prokurorët e EULEX-it nuk arritën që të vënë rend dhe ligj, është koha e fundit që nga vetë ne të burojë një ekip prokurorësh që do ta luftojnë krimin dhe korrupsionin.

Një shtet i keqmenaxhuar edhe mund të refuzohet nga bota e civilizuar dhe fatin e shteteve të dështuara tani më të gjithë e dimë.

E nëse refuzohemi pse si kemi kryer detyrat e shtëpisë, atëherë lirisht mund të konstatojmë se fuqitë e mëdha po na llogarisin si mish për top, sikur në të kaluarën, ku në shpinën tonë do të thyhen kryqëzatat e Lindjes me ato të Perëndimit dhe të përçarë si gjithmonë do të ndëshkohemi nga fqinjët tanë sllavë, si të rreshtuar në anën e gabuar të historisë, duke përfunduar të vetmuar kundër të gjithëve.

Ora e historisë po bie, por ne sikur nuk duam të dëgjojmë.

Armiqtë na janë shfaqur, por ne nuk po duam t’i shohim.

Në këtë situatë, ku shumica po ndihemi të harruar nga Zoti, e vetmja zgjidhje për mijëra të rinj mbetet braktisja e kësaj anije, që po fundoset.

Kosovarët i kanë humbur shpresat se ata mund të ndërrojnë diçka, duke protestuar shesheve të Prishtinës.

Të dëshpëruar ata preferojnë të jetojnë përfundi urave të Francës apo në kampet e Hungarisë.

Dhe për ne që po mbetemi këtu, uroj që ky vit të paktën të na gjejë të bashkuar.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë