Presidenti i Republikës Ilir Meta ka drekuar ditën e sotme me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Durrës. Në qendër të bisedës mes dy presidentëve ka qenë rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve, por pa dyshim edhe debati i fundit për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kreu i shtetit shqiptar përmes një postimi në Facebook thotë se me rëndësi është vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, por qëllimi kryesor është stabiliteti rajonal.

Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët.

Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë - Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme.

Ilir Meta

Nisur nga deklarata e sotme, Meta i qëndron prononcimit të para pak ditëve më parë se është kundër rishikimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Në datë 29 gusht, Meta u prononcua për herë të parë për debatin e kufijve, ndërsa theksoi se 'Do të cënonte stabilitetin e Ballkanit’’. Ndërkohë që dreka e Metës me Thaçin në Durrës, vjen një ditë pas asaj me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti në Karpen të Kavajës, i cili është kundër idesë së Presidentit të vendit të tij.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Por sot gjatë vizitës në Kosovë ai u shpreh se ‘nuk është e vërtetë se dua të ndryshoj kufijtë’.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.