'Kufiri i incidenteve' mes Kosovës dhe Serbisë

'Kufiri i incidenteve' mes Kosovës dhe Serbisë

Pikëkalimi kufitar në Merdare që lidh Kosovën dhe Serbinë

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra.

Në 24 vjet pas përfundimit të luftës, në këtë vijë kufitare që për Kosovën është kufi e për Serbinë vijë administrative, kanë ndodhur disa incidente.Një ka ndodhur në vitin 2012, kur njësitet speciale të Serbisë kanë arrestuar dy policë kufitarë të Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur edhe më 14 qershor të këtij viti, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.Kosova thotë se ata janë arrestuar në territorin e saj, Serbia pretendon në të sajin, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se "mbetet e paqartë" se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit.

Në fakt, në të dyja rastet, Serbia ka pretenduar se policët kosovarë kanë hyrë në territorin e saj dhe se ata nuk kanë të drejtë të shkelin në atë që njihet si “zonë neutrale”.

Sipas palës serbe, në zonën neutrale në mes të Kosovës dhe Serbisë, të drejtë patrullimi kanë vetëm pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar Serbinë për, siç ka thënë, “rrëmbimin” e tre policëve në territorin e Kosovës.

Si kontrollohet vija kufitare Kosovë - Serbi?

Kosova dhe Serbia zyrtarisht nuk e kanë të kryer procesin e demarkacionit të kufirit.

Megjithatë, kur është bërë demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2018 - me gjithë kundërshtimet politike në Prishtinë - si referencë është marrë Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, që është miratuar më 28 shkurt të vitit 1974 - asokohe nga ana e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Kuvendit të Jugosllavisë.

Më këtë dokument, Kosova ka pasur kufijtë e saj territorialë që kanë pasur cilësinë e kufijve shtetërorë.

Për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës, nga viti 1999 kur ka përfunduar lufta, është përgjegjës misioni i KFOR-it.

Ky mision e ka këtë përgjegjësi bazuar në atë që njihet si Marrëveshje Ushtarako-Teknike e Kumanovës, e cila i ka dhënë fund luftës në Kosovë. Serbia e ka nënshkruar këtë marrëveshje me NATO-n në vitin 1999, duke i tërhequr më pas të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

As KFOR-i e as autoritetet kosovare nuk kanë folur për REL-in lidhur me mënyrën e menaxhimit të zonës neutrale mes Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë thotë Marrëveshja e Kumanovës?

Për të vendosur një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive, në asnjë rrethanë, asnjë Forcë e RFJ-së [Republikës Federative të Jugosllavisë] dhe Republikës së Serbisë nuk do të hyjë, rihyjë ose mbetet brenda territorit të Kosovës ose Zonës së Sigurisë Tokësore dhe Zonës së Sigurisë Ajrore.

Më 2012 dhe 2023, kur Serbia ka arrestuar policë të Kosovës, ajo ka thënë se ata kanë shkelur Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës, e cila, sipas Beogradit zyrtar, u mundëson patrullim të armatosur në “zonën e neutrale” vetëm forcave të KFOR-it dhe forcave të Serbisë.

Por, të njëjtën gjë e ka thënë vazhdimisht edhe Prishtina zyrtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës që e ndalon çdo forcë policore e ushtarake serbe të futet në territorin e Kosovës.

Policia e Kosovës kryen patrullime në vijën kufitare Kosovë - Serbi që nga themelimi i saj, më 1999.

Në vitet e para të pasluftës, patrullimet janë kryer në bashkëpunim me KFOR-in, misionin e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e më vonë edhe me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, institucionet ndërkombëtare, si KFOR-i dhe EULEX-i, i kanë transferuar gradualisht përgjegjësitë për kontrollin e zonës neutrale Kosovë-Serbi - që është rreth 5 kilometra - te Policia e Kosovës.

Tani, policia kryen patrullime të rregullta në vijën kufitare me Serbinë njëjtë si me shtetet e tjera.

Incidentet kryesore në vijën kufitare Kosovë – Serbi

14 qershor 2023

Incidenti i fundit është arrestimi i tre policëve kufitarë të Kosovës - sipas autoriteteve të vendit - në Tresave/Bare në Leposaviq, pjesa veriore e Kosovës.

Kosova ka paraqitur harta të vendit ku, siç është thënë, kanë qenë policët - rreth 1.5 kilometra brenda territorit të Kosovës, ndërkohë që, sipas Serbisë, ata janë arrestuar “thellë” në territorin e saj.

Tre zyrtarë policorë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe në veri

KFOR-i, si përgjegjësi kryesor për sigurinë e territorit të Kosovës, ka thënë më 16 qershor se "bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit".

Po atë ditë, Prokuroria e Lartë në Kralevë - qytet në jug të Serbisë - ka dhënë urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës dhe u ka shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditësh.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Derisa kanë qenë duke patrulluar në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, më 31 mars të vitit 2012, dy policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga xhandarmëria serbe në fshatin Dumnicë të Podujevës.

Serbia, edhe asokohe, ka thënë se policët e Kosovës kanë hyrë ilegalisht në “zonën neutrale”, ku, sipas institucioneve atje, është e ndaluar me Marrëveshjen e Kumanovës.

Policët janë liruar pas kalimit të masës së ndalimit prej 48 orësh.

Incidenti i vitit 2011 për kontrollin e pikave kufitare

Rasti i Karaçevës

Banorët e fshatit Karaçevë në Komunën e Kamenicës - pjesa lindore e Kosovës - që nga përfundimi i luftës kanë reaguar vazhdimisht për, siç kanë thënë, futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Hera e fundit kur janë publikuar fotografi të forcave serbe në atë që është thënë se është brenda territorit të Kosovës, ka qenë më 20 mars 2020.

“Terrorizimi i banorëve të Karaçevës nga forcat serbe është i papranueshëm dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi edhe forcat e KFOR-it. Ajo zonë është përcaktuar si zonë neutrale (edhe pse gabimisht) dhe e vetmja forcë që ka të drejtë hyrjeje në atë zonë, është KFOR-i”, ka thënë Qëndron Kastrati, asokohe kryetar i Kamenicës.

Përgjatë viteve ka pasur dhjetëra incidente të natyrave të ngjashme.

Për demarkacionin e kufirit s’është folur asnjëherë

Kosova dhe Serbia janë në bisedime, herë për çështje teknike e herë për politike, që nga viti 2011. Megjithatë, çështja e demarkacionit të kufirit nuk është diskutuar drejtpërsëdrejti asnjëherë.

Dy vendet kanë arritur Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, më 2 dhjetor 2011.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të krijojnë pika të përbashkëta kufitare në vendkalimet kufitare: Merdarë, Bërnjak, Mutivodë, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.

Një fije shprese në këtë drejtim e ofron Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt, e përmes së cilës palët, mes tjerash, obligohen të njohin dhe respektojnë tërësinë territoriale të njëra-tjetrës./REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut