Kur në Shqipëri u vendos moratoriumi për gjuetinë, këtu e 10 vite më parë, shpendët dhe kafshët e gjora që kishin mbijetuar në vendin tonë të sfilitur, morën frymë thellë. Kështu, në Karavasta, Nartë, Prespë, Ohër, Butrint, Nartë, Bunë e nëpër male e pyje i pamë të kthehen “në shtëpi”.
Kishin kaluar vite e vite të vështira, kur gjuetarë të pajisur me mbështetje politike dhe babëzi korrupsioni autorizoheshin t’i vrisnin në foletë e tyre, në Zonat e Mbrojtura me ligj, aty ku shpendët e kafshët e gjora ishin mësuar të rrinin të qetë. Si në shtëpi! U masakruan jo vetëm nga shqiptarë, por edhe nga gjuetarë-turistë që silleshin tufa-tufa me tragetë dhe përfitonin imunitet politik ndërsa vrisnin kafshë e shpendë në Shqipëri në periudhën e ndalimit në vendet e tyre. 10 vite moratorium u dhanë shpendëve dhe kafshëve në vendin tonë, gëzim, jetë.
Sot, pas heqjes së moratoriumit, kërcënohen edhe nga një tjetër problem: Betonizimi i zonave të mbrojtura. Nuk e dimë a do të ndërtohen apo jo përbindëshat shumëkatësh në zonën e mbrojtur në Pogradec, por nëse po, e sigurtë që trembin dhe largojnë shpendët e kafshët aty. Nuk e dimë se ç’po ndodh në Lumin e Bunës dhe Velipojë, por Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, është tepër e shqetësuar me sa po ndodh.
Kur flamingot e pelikanët u rikthyen e folezuan në vendin tonë, ky ishte një ogur i mirë pasi të dy këto shpendë personifikojnë një simbolikë fatndjellëse për njerëzimin.
Flamingot – Në Egjiptin e lashtë ishin të shenjtë dhe simbolizonin hyjninë Ra, Mbreti i Diellit, ndërsa për hindutë janë një guidë shpirtërore në botën e përtejme. Veç ekuilibrit dhe harmonisë, mbartin kuptimin e fortë të rilindjes dhe të transformimit, tamam si feniksi që rilind nga hiri i tij për t’u rikthyer në ciklin e jetës.
Pelikanët – Në botën e krishterë Pelikani simbolizon Krishtin eukaristik. Zemërgjerësia e tij, ushqimi i të vegjëlve nga sqepi i madh, është admiruar nga Shën Tommaso d’Aquino duke e cilësuar si “sakrifica e vetvetes për jetën e të vegjëlve”. Në dhomën e Darkës së Fundit në Jeruzalem gjendet një nga pikturat e para të një pelikani që ushqen të vegjëlit e tij. Dashuria, mirësia, sakrifica, janë disa nga simbolet që ky shpend i rrallë dhe i bukur i përcjell njerëzimit. Tamam si një baba i mirë familjeje që kujdeset dhe ushqen fëmijët e tij.
Është e qartë që Shqipëria do të zhvillohet, është e qartë dhe e domosdoshme të kemi edhe ne si vënde të tjera të zhvilluara të gjitha shërbimet dhe komoditetet që një shoqëri moderne meriton të ketë. Por ajo që duhet të na udhëheqë (edhe pse e kemi luksin të mësojmë nga gabimet e të tjerëve) janë respekti, mbrojtja, kujdesi për natyrën, kafshët dhe shpendët që janë mesazherë dhe pikëlidhje mes njeriut dhe njerëzores që duhet të mbizotërojë përherë e me çdo kusht mes nesh.
Komente











