Kujtesë për letërsinë
ruse në gjuhën shqipe

Kujtesë për letërsinë<br />ruse në gjuhën shqipe
Në vitet 30, që u karakterizuan nga një varg i gjatë përkthimesh të kësaj letërsie. Në këtë kohë u botuan jo vetëm tregime në shtyp dhe nëpër antologji me shkrime të zgjedhura, por dhe vepra të prozës së gjatë. Vendin e parë do ta zinte krijimtaria e L. Tolstoit, duke filluar nga romanet “Ana Karenina” dhe “Sonata e Krojtzerit” përkthyer nga Tajar Zavalani, për të vijuar me romanin tjetër “Ringjallja përkthyer nga L. Dilo, me romanin tjetër “Lumturia bashkëshortore” përkthyer nga O. Plumbi, “Haxhi Murati” nga Gani Zhundi, “Këmbanat e dyshimta” nga M.S. Gurra, dhe “Historia e muzikantit të vogël” nga Dh. Fallo.

Letërsia ruse në gjuhën shqipe ka një traditë mbi njëqindvjeçare. Ajo zë fill në vitet e para të shekullit të ri, kur Shqipëria përfaqësonte akoma një provincë të prapambetur të Perandorisë Osmane. Ishte koha kur Rilindja jonë kombëtare e kish drejtuar vëmendjen nga letërsia perëndimore dhe vetëm nga fundi i saj disa të pakët intelektualë të rinj, për herë të parë u drejtuan nga letërsia ruse. Kjo nisi fillimisht nga kolonitë shqiptare të diasporës e në radhë të parë nga kolonitë shqiptare të Rusisë, të përhapura nga Shën Peterburgu në Odesë dhe nga Irkucku në Vladivostok.

Por përkthimi i parë i kësaj letërsie ndodhi në vitin 1906, me shqipërimin e tregimit “Gëzimi i mbaruar” të L. Tolstoit nga shkrimtari i ri Theofan Noli, botuar në gazetën “Kombi”. Më pas Noli do të botojë dy tregime të M. Gorkit “Një gojëdhanë vllahe” dhe “Vendi i drejtë” në gazetën “Dielli” (1909). Interesante është se në këtë kohë ai bën dhe një polemikë indirekt me L. Tolstoin në mbrojtje të Shekspirit, siç shkruan me dhimbje të thellë dhe për vdekjen e tij.

Por stafetën e letërsisë ruse do ta marrë më pas shkrimtari Milto Sotir Gurra, që vinte nga kolonia shqiptare e Odesës. Ai do të përkthente tregime të Çehovit dhe do të shkruante një tregim kushtuar Tolstoit, për të vijuar pastaj në Shqipëri përsëri me proza dhe me përkthime në vitet 20 të tre dramave të Pushkinit “Moxarti dhe Salieri”, “Kalorësi dorështrënguar” dhe “Rusalka” (1924)
Kështu Fan Noli dhe M.S. Gurra u bënë pionierët e parë të shqipërimit të letërsisë ruse dhe qenë ata që i hapën asaj dyert në vendin e tyre në dekadat e ardhshme.

Kjo duket veçanërisht në vitet 30, që u karakterizuan nga një varg i gjatë përkthimesh të kësaj letërsie. Në këtë kohë u botuan jo vetëm tregime në shtyp dhe nëpër antologji me shkrime të zgjedhura, por dhe vepra të prozës së gjatë. Vendin e parë do ta zinte krijimtaria e L. Tolstoit, duke filluar nga romanet “Ana Karenina” dhe “Sonata e Krojtzerit” përkthyer nga Tajar Zavalani, për të vijuar me romanin tjetër “Ringjallja përkthyer nga L. Dilo, me romanin tjetër “Lumturia bashkëshortore” përkthyer nga O. Plumbi, “Haxhi Murati” nga Gani Zhundi, “Këmbanat e dyshimta” nga M.S. Gurra, dhe “Historia e muzikantit të vogël” nga Dh. Fallo.

Vendin e dytë të shqipërimeve të letërsisë ruse do ta zënë tregimet e A. Çehovit që u botuan në shtyp dhe në përmbledhje të ndryshme dhe që u mirëpritën nga publiku shqiptar si “Njeriu në këllëf”, “Kameleoni”, “Të munduarit”, “Uniforma e kapitenit” etj. të përkthyera nga M.S. Gurra, T. Zavalani, Dh. Fallo, K. Çekrezi etj.

Një vend të rëndësishëm nga letërsia ruse do të zinin disa nga veprat e M. Gorkit. Jehonën më të madhe e pati romani “Nëna”, vepër që i bënte jehonë lëvizjes revolucionare të kohës, duke u kthyer në një abetare të ideve komuniste, e përkthyer nga Tajar Zavalani. Po nga Gorki u përkthyen dhe romani “Në burg” nga Zef Mala dhe novela “Nëna qytetare” nga M.S. Gurra.

Por bibliografia e letërsisë ruse të përkthyer është më e gjerë në këto vite, pasi u botuan dhe vepra të tjera, si “Dashuria e parë” dhe proza poetike të I. Turgenievit përkthyer nga Xhafer Belegu, novela e Dostojevskit “Djali te bredhi i Krishtit” përkthyer nga M.S. Gurra, tregime të Leonid Andrejevit përkthyer nga Dh Fallo, “Ëndrra e Makarit” nga M.S. Gurra.

Vatra të përkthimit të letërsisë ruse u bënë Tirana dhe Korça, ku interesimi i lexuesit ishte më i madh. Veprat e saj u përkthyen nga origjinali, prej intelektualësh të njohur, ndaj u mirëpritën nga publiku e sidomos nga rinia shkollore, siç u vlerësuan dhe nga kritika për humanizmin e thellë, problematikën e rëndësishme, për nivelin e lartë artistik. Këto vepra kishin individualitet ideo artistik dhe një frymë të veçantë që i dallonte nga letërsia perëndimore, ndaj dhe do të ndikonin tek shkrimtarët shqiptarë, kryesisht në brezin e ri të tyre. Kjo përbën periudhën e parë të historikut të letërsisë ruse në gjuhën shqipe, që nis nga 1906 dhe mbyllet në vitin 1944.

Me çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe me vendosjen e pushtetit të ri, në kushtet e reja social-politike, kur marrëdhëniet e RP të Shqipërisë me BRSS njohën lidhje të gjithanshme, të bashkuar në një ideologji, duke nisur nga mesi i viteve 40 e deri në fund të viteve 60 të shekullit të kaluar, letërsia ruse në gjuhën shqipe u bë zotëruese në fushën e përkthimeve. Në këtë periudhë u përkthyen me dhjetëra vepra, nga të gjitha gjinitë, të letërsisë klasike ruse e akoma më shumë nga letërsia sovjetike, autorë të mëdhenj dhe autorë të zakonshëm.

Kjo krijimtari njohu një përhapje të gjerë në të gjitha shtresat e lexuesve për shkak të tematikës së përngjashme të jetës, por dhe të vlerave të çmuara ideoartistike. Nga ana tjetër, letërsia ruse e kësaj faze të hershme do të mbushte mangësitë dhe dobësitë e letërsisë sonë, e cila ishte e kufizuar për nga numri i veprave dhe herë-herë me nivel të diskutueshëm artistik. Ajo akoma nuk ishte pjekur e pasuruar, siç ndodhi pas viteve 60.

Në këto rrethana letërsia sovjetike dhe ajo klasike zunë vend në bibliotekat tona dhe tërhoqën lexuesin shqiptar. Për më tepër, sipas orientimit zyrtar, ajo do të përbënte një model dhe për letërsinë tonë të re për të ecur në rrugën e zbatimit të metodës së realizmit socialist. S’ka dyshim se pavarësisht nga disa arritje letërsia shqipe do të dëmtohej nga politizimi dhe ideologjizimi i saj, nga skematizmi, nga miti i heroit pozitiv etj. por këto janë probleme që i takojnë  historisë së letërsisë dhe kritikës letrare për t’u shqyrtuar më tej.

Letërsia ruse e sovjetike në vitet e para të pasçlirimit do të përfaqësohej fillimisht nga poezia e mrekullueshme e poetit klasik F. Tjutçev “Dashuria e funtme”, shqipëruar nga Fan Noli dhe proza poetike e M. Gorkit “Kënga e zgalemit”, si dhe drama e Çehovit “Kopshti i vishnjave”, përkthyer nga Sejfulla Maleshova.

Pas këtyre kontributeve të para, veprimtaria përkthimore u institucionalizua në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku u thirrën të punojnë disa nga shkrimtarët dhe intelektualët e njohur të kulturës shqiptare. Ishte fatlume që detyrën e përkthimeve letrare në gjuhën shqipe e morën përsipër këto pena të kualifikuara, poliglotë, me njohje të thelluar të gjuhës shqipe, me përvojë krijuese dhe me ndërgjegje të lartë artistike. Kështu, u krijua plejada e përkthyesve profesionistë që i kushtuan jetën, talentin dhe energjitë e tyre përkthimit shqip, duke u mbështetur në përvojat e veta, por dhe duke ndjekur shembullin e shkollës noliane të shqipërimit.

Është rasti që në këtë panoramë të shkurtër të kujtojmë me nderim e mirënjohje emrat e tyre të shquar që kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare: M. Kuteli, L. Poradeci, S. Caci, S. Luarasi, S. Papakristo V. Kokona, B. Dako, P. Zheji, H. Kokalari, K. Evangjeli, A. Koçi, J. Bllaci etj. Falë punës së tyre krijuese dhe kualifikimit të lartë profesional, ata e kthyen Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në një laborator të artit të përkthimit, ku dhanë e morën me shumë gjuhë, po në mes tyre do të dallohej, për afro pesë dekada, gjuha ruse.

Kështu u pasurua si asnjëherë biblioteka shqiptare e letërsisë botërore. Kuptohet që një vend nderi zuri në të dhe letërsia klasike dhe bashkëkohore ruse. Me gjuhën e saj të pasur e të bukur u morën kryesisht M. Kuteli, P. Zheji, V. Kokona, J. Bllaci, H. Kokalari, A. Koçi. Por ndihmesë me vlerë sollën në një rrugë tjetër dhe disa përkthime të letërsisë ruse të bëra në gjuhë të dyta, siç qe rasti i shqipërimit të poemës “Evgjeni Onjegin” e A. Pushkinit , shqipëruar nga L. Poradeci prej gjermanishtes, por që u saktësua duke u krahasuar me origjinalin. E njëjta rrugë u ndoq dhe nga S. Caci me përkthimin e romanit “Lufta dhe paqja” të Tolstoit dhe romanin “Doni i qetë” të M. Shollohovit.

Kulme të letërsisë ruse në gjuhën shqipe i arriti M. Kuteli me përkthimin nga origjinali të “”Shpirtrave të vdekur” dhe “Tregimet e Peterburgut” të Gogolit, “Zotërinjtë Gollovjov” të S. Shçedrinit, të “Kujtimeve të një gjahtari” të I. Turgenjevit, të tregimeve të M. Gorkit e të një vargu të tërë veprash të shquara të letërsisë ruse. Kulme do t’i quanim dhe shqipërimet e poezive të S Eseninit nga poeti J. Bllaci

            Në përkthimin e letërsisë ruse nuk punuan vetëm përkthyesit profesionistë të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, por dhe poetë e prozatorë, madje dhe publicistë, të cilët me dashuri dhe përkushtim dhanë shqipërime të suksesshme. Kështu poeti D. Agolli bëri një punë të lavdërueshme në përkthimin e poezisë ruse, nga e cila mund të përmendim antologjinë poetike “Shekulli i argjendtë” dhe disa vëllime të veçanta nga poetë rusë, si E. Bagrivski, K. Simonov etj.

            Poeti Vangjush Ziko, veç autorëve të veçantë, përgatiti e botoi katër antologji të poezisë ruse, me 300 poetë dhe 500 poezi, ku shquhet në mes tyre antologjia “300 vjet dashuri”. Në këtë rrugë ecën dhe poetët D. Siliqi dhe P. Kolevica që përkthyen përkatësisht poemat Lermontovit “Demoni” dhe “Mciri”, pa harruar dhe lirikat e tij. S’mund të rrimë pa përmendur Antologjinë e poezisë ruse-sovjetike, botuar në vitet 50, për të cilën punuan poetët më të mirë të kohës. Po kështu janë botuar përmbledhje gjithëpërfshirëse poetike të A. Pushkinit dhe të V. Majakovskit, me shqipërime të goditura. Një punë titanike ka përballuar poeti S. Maleshova me shqipërimin e poemës së Nekrasovit “Kush rron mirë në Rusi”.

            Lirika ruse e këngëtarëve më të mirë gjeti shprehje ekuivalente dhe me një bukuri të lavdërueshme në shqipërimin e poetëve shqiptarë, si Dh. Qiriazi, D. Agolli, A. Plasari, I. Kadare, V. Kokona, L. Rexhepi, D. Lazri, B. Londo, Q. Sheme, Ll. Siliqi etj.

            Romani rus në gjuhën shqipe është pasuruar me përkthimet e goditura të romanit të I. Turgenievit nga Dalan Shapllo dhe Myzejen Shapllo, të “Obllomovit” të Gonçarovit nga P. Zheji, të “Muzikantit të verbër” të V. Korolenkos nga D. Lazri, “Njerëz të varfër” të Dostojevskit përkthyer nga E. Biba, të “Margaritës” së Bulgakovit nga L. Bare, të “Pyllit rus” të L Leonovit nga V. Kokona etj. Për herë të parë u botua kohët fundit në përmasa të gjera një autor klasik rus, siç është përkthimi nga Jorgji Doksani i romaneve e novelave të F. Dostojevskit në 12 vëllime.

            Proza e shkurtër ruse në shqip është përfaqësuar nga disa nga autorët e saj më të mirë, ku dallohen tregimet e Anton Çehovit të përkthyera nga S. Caci, J. Doksani, N. Jorgaqi, S. Halilaj, M. Shapllo etj. Lexuesit shqiptarë kanë marrë në gjuhën e tyre tregime të  prozatorëve të talentuar rusë si K. Paustovski, J. Nagibin, O. Bergolc, G. Kazakov etj.

            Po kështu dramaturgjia ruse është njohur përmes dramës “Kufoma e gjallë” e L. Tolstoit, dramat lirike të Çehovit “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” dhe “Pulëbardha” të përkthyera nga A. Malo dhe F. Leka, tragjedia e A. Pushkinit “Borsi Gudunov”, shqipëruar nga V. Ziko, dramat e Majakovskit apo drama “Furtuna” e A. Ostrovskit, përkthyer nga M.S. Gurra etj.

            Pa dashur të shkojmë më tej në panoramën e letërsisë ruse në gjuhën shqipe, e cila, siç e përshkruam më lart, është e gjerë, e pasur dhe e larmishme, ajo rezulton me një bilanc impresionues. Mund të themi se kjo letërsi, në mes letërsive të tjera në gjuhën shqipe, mbetet letërsia më e përkthyer për më se gjysmë shekulli. Janë përmbi njëqind autorë të disa brezave dhe afro dyfishi i numrit të veprave të shqipëruara, nga gjini dhe periudha të ndryshme letrare, me lami individualitetesh të spikatura krijuese.

            Për hir të së vërtetës dhe për arsye të kuptueshme, duhet të themi se përgjatë periudhës së tranzicionit demokratik është kufizuar relativisht numri i autorëve dhe veprave të letërsisë ruse në gjuhën shqipe. Më shumë ka ribotime të saj se sa përkthime të reja. Vendin parësor tani e ka letërsia anglo-saksone, por kjo s’do të thotë kurrsesi se është ulur vlerësimi dhe leximi i letërsisë ruse. Ajo mbetet një nga shtyllat e letërsisë botërore, thesaret e së cilës e kanë pasuruar botën shpirtërore të publikut tonë dhe vetë qytetërimin shqiptar.

            Është e kuptueshme mirënjohja dhe respekti i thellë që ka lexuesi ynë për këtë letërsi të madhe, admirimi për korifenjtë e saj, me veprat e të cilëve arti i fjalës njerëzore ka arritur disa nga majat e larta të letërsisë së përbotshme.

Por respektin dhe mirënjohjen e thellë ndaj letërsisë ruse nuk mund ta ndajmë nga homazhi që na takon t’i bëjmë punës së madhe e fisnike që kanë përballuar me sukses mjeshtrit tanë të përkthimit, duke e bërë letërsinë ruse të flasë e të këndojë denjësisht në gjuhën e bukur shqipe. Ndaj nuk është e rastit që kohët e fundit Lidhja e shkrimtarëve të Frederatës Ruse dekoroi dhe nderoi përkthyesit M. Kuteli, J. Doksani, D. Agolli, N. Jorgaqi, D. Lazri, M. Shapllo, P, Kolevica dhe A. Koçi për kontributin e tyre të çmuar.
lufta dhe paqja







































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf