Kujtimet e antropologes Edit Durham:
Ja si ishte Tirana e 1900-s

Kujtimet e antropologes Edit Durham:<br />Ja si ishte Tirana e 1900-s
Nga kujtimet e antropologes. Ja si e përshkruan udhëtimin e saj nga Durrësi, në Tiranë. Takimi me njerëzit dhe mbresat personale.
 
 Antropologia Edit Durham, e cila në fillim të viteve 1900, vizitoi Shqipërinë, përshkoi thuajse të gjithë qytetet e qendrat e vendit tonë. Në përmbledhjen e saj me titullin “Shqipëria, brenga e Ballkanit”, antropologia e përshkruan kështu udhëtimin e saj nga Durrësi, në Tiranë, duke kaluar mespërmes Shijakut:

“Me rrugën e mirë, që e lidh me portin e Durrësit, Tirana është dukshëm e lulëzuar. Pazari ishte i mirë, ziente nga lëvizjet e fshatarëve me kostume krejt të ndryshme nga ato të Elbasanit. Bejlerët e sotëm të Tiranës, Toptanët që thonë se janë pasardhës të Topiajve të vjetër, gëzojnë popullaritet.

Ata jo vetëm kanë ndërtuar rrugën me paratë e veta, por kanë importuar edhe vegla bujqësore e kanë sjellë specialistë nga Italia për t’i mësuar njerëzit si t’i përdorin. Njërin (bëhet fjalë për Murat Toptanin) e kanë dënuar me mërgim për veprimtari patriotike dhe populli e vajton. Toka është pjellore dhe punohet mirë, edhe rruga s’ishte e keqe, ndaj tregtia dhe eksporti po rriteshin shumë shpejt.

Gjithë shtëpitë kishin kopshte të mëdha plot me qershi, fiq, ftonj, kumbulla dhe arra, dhe shumica kishin edhe vija uji. Qyteti ishte jashtëzakonisht i pastër dhe shumë piktoresk. Xhamitë ishin tej mase të bukura, ngjyra-ngjyra dhe të pikturuara me peisazhe të mrekullueshme. Tirana ishte parajsë për artistin dhe më erdhi shumë keq që s’rrija dot më shumë se tri ditë.

Në Tiranë ka shumë pak të krishterë, por këta janë orthodoksë. Mësuesja e krishterë është e zgjuar dhe shumë punëtore, si të gjitha mësueset shqiptare, që takova këtu. Gratë me shkollë gëzojnë respekt të madh dhe shumë prej tyre janë të pavarura në mendime. Baballarët ngulnin këmbë që edhe vajzat të bëjnë po aq shkollë sa dhe djemtë.

Edhe në fiset më të prapambetura, me gjithë punët shumë të rënda mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë me një farë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë. Më qëlloi një herë të ndodhem në një shoqëri burrash, kur erdhi lajmi se në fshatin aty pranë një burrë kishte vrarë të shoqen, se kujtonte se e tradhtonte. Të gjithë u indinjuan e thanë se me siguri do kishte qenë i marrë. Nderi i gruas shqiptare është i panjollosur.

Secili filloi të lëvdonte gruan dhe flisnin për martesë me një naivitet që do të tmerronte këdo në Perëndim, ndonëse asnjëri s’kishte parasysh ndonjë gjë të pahijshme. Ishin aq të vendosur për të drejtat e grave, saqë kur më pyetën dhe u thashë se në Angli kishte ende universitete që nuk u jepnin grave grada shkencore, u revoltuan duke thënë se kjo ishte e padrejtë, absurde dhe aspak e qytetëruar. Në Tiranë të gjithë më pritën mirë, përveç kajmekamit, që më dha të kuptoja se prania ime ishte e padëshirueshme. Dërgoi policin për të më pyetur se çfarë shkruaja gjithë ditën. Atë ditë kisha ndenjur në dritare duke pikturuar.”
 
Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në suplementin Rilindasi të  gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar