Kujtimet e mia për Sarandën, ngjitur me zyrën ku ‘kollej’ Naimi

Kujtimet e mia për Sarandën, ngjitur me zyrën ku ‘kollej’ Naimi

Foto ilustruese

Të vetmen dekoratë që më është akorduar si gazetar në “Bashkimi” gjatë kohës së monizmit dhe që e ruaj bashkë me ca letra të mëmës sime në arkivin personal, është ajo “Naim Frashëri”.

Duke biseduar me mikun e hershëm Stefan Qirjako, një nga ish drejtuesit e pushtetit lokal të Sarandës, kujtuam edhe ca gjëra të ëmbla e të tharta nga fillimvitet ’80 të shekullit që shkoi. Burrë i zoti në profesion, organizator i palodhur, i drejtë dhe fjalëmbajtës serioz me qytetarët. Ishte njeriu që u angazhua menjëherë për gjetjen e një zyre modeste buzë detit (as 9 metra larg tij ! ). Atëhere u tha “përkohësisht”, në katin e parë të Muzeut të Arsimit atje ku shpesh në dimër përplaseshin erërat, dallgët dhe valët e shkumëzuara. Kishte qenë një tip magazine e vogël me materiale muzeale etj. Disa mangësi i riparoi duararti Kico nga Piluri, usta i vjetër në qendrën ekonomike(nuk e di ku ndodhet, por i kam borxh një shkrim për një histori drithëruese me ish punonjës të Sigurimit të Shtetit, të cilën nuk ia rrëfeva kurrë. Nuk doja ta alarmoja e lëndoja, por besoj e shpëtova…). Para ca kohësh, miqtë e mi Luani, Micua e Bardhi më bënë një surprizë të këndshme : Më dërguan si dhuratë një fotot të madhe bardhë e zi, vendosur në kornizë të posacme. Ishte “selia” e thjeshtë e korrespondentit të “Bashkimit” që sapo kish mbushur 3 dekada jetë. U emocionova jo vetëm unë në familje. Kur zgjohem në mëngjes dhe bie gjumë mbrëmave vonë, shikoj përditë atë vend pune të përgatitur enkas përkohësisht. Ashtu e varur në murin e dhomës në Tiranë, më flet vazhdimisht e më cingëris mbresat, ngjarjet, episode, debatet me kolegë, punëtorë, zyrtarë, fshatarë e intelelktualë. Gjallojnë gëzime, brenga, por edhe hidhërime, ankthe e maraze. Andje janë nisur dhjetra e dhjetra shkrime për Sarandën, por edhe për Gjirokastrën, Tepelenën e Përmetin. Janë nisur nëpërmjet telefonit por edhe me zarfa në autobuzët e linjës për në Ballsh e Tiranë. Mirënjohje centralisteve Aishe, Lushka, Afërdita, Vera e famshme ,  Lili, Bardha, Shaqja etj. që na ndihmonin edhe përtej rregulloreve ! Kolegëve të sotëm e të rinj, sot mbase u duken përralla, kur i mbajnë sytë tërë ditën nëpër lumenjtë e internetit. Dhe fare rrallë lëvizin me këmbë nëpër fshatra e krahina, duke u rrotulluar rreth habereve nga Policia, Polit(h)ika, Gjykatat, Prokuroria etj. Ndërsa në shkrime mungon Njeriu i vërtetë në fusha, kodra e male, mungon jeta reale e familjeve shqiptare në Pluralizëm. Vecse te ajo zyrë pune intensive, kam derdhur edhe lotë e psherëtima që nuk harrohen lehtë. Se jeta e gazetarit ishte gati përditë “fushë e minuar”…

 

 

                        -Kristo vëllai, mos harro : Kollitjen e Naimit tuberkuloz, e dëgjon i pari ti në Sarandë,-më thoshte herë pas here Gurua i mirë nga Fterra, kryeredaktori i gazetës lokale, njeriu që kish provuar herët në kurriz padrejtësitë e kohës pa kohë dhe që unë e gjeta në një kabinë-barakë bashkë me gruan Kanerinë e 4 fëmijët !

 Te ajo ndërtesë e vjetër historike, kishte punuar në Doganë, Naim Frashëri, “Naim Shqipëria"(kështu e pagëzoi Lefter Cipa me grupin famoz të Pilurit). Donte të shëronte të mallkuarin tuberkuloz që po i merrte frymën ! Ndërsa mua më bëhej se dëgjoja shpesh kollitjen e tij të thatë a të zezë. Dëgjoja atë poet e shqiptar të madh “zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur”. Dhe sikur shikoja nga afër mushkëritë e copëtuara por edhe përfytyroja bilbilin e Gjuhës Shqipe, atje te Guri i Kokojkës mbi Frashër, me fletore e pendë në duar. Që vendalinjtë kanë vite që e thërrasin me plot gojën “Guri i Naimit”! Jam i bindur se nuk ka shqiptar e bir shqiptari që nuk di qoftë edhe dy vargje nga ky burim i pashterur shqiptarie të vërtetë, nga frashërlliu që shkriu si qiriri dhe iku 54 vjec për të vetmin ideal : Shqipërinë e lirë ! Dhe Gjuhës  së Nënës “i hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia merrnin frymën”. Ata që nuk e njohin mirë kohën naimiane, mund të ngatërrohen si në një labiririnth. Por ama vetëm një gjë nuk e “ngatërrojnë” dot(dje, sot, nesër): Idealin e tij të Lirisë e të përparimit, patriotizmin e tij të kulluar ! Një mision historik i lartë, i paprekshëm e drejt Diturisë. Edhe vetë Perëndinë “e bëri shërbëtore të patriotizmit”. Dhe nga nxënës “u bë mësues i Perëndisë”:

                                    Ay që ka mirësinë

                                    Ka Perëndinë e të mirat,

                                    Edhe kush ka djallëzinë

                                    Ka djallë e ligësirat …

 Një nga veprimtaritë më të bukura e më atdhetare bio që organizon cdo vit e vetmja Shoqatë Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”(e që mua më ka vlerësuar e nderuar jo pak) është ajo e 25 Majit, Ditëlindjes së Naimit. Vijnë cdo vit e mblidhen nga tërë viset ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Vijnë në Frashër, vijnë si përrenj të gëzuar pranverorë, ku i pret Kryetari i përkushtuar Tomor Kotorri me shokë. Gjëmon e flet historia nga brezi në brez. Kam lexuar një dorëshkrim të Xhevo Spahiut fiks 28 vite më parë, në Stamboll : “Etje/ Etje/ Kam etje/ Po ku, ku është Burimi ?/ Dal jashtë/ verbtazi kërkoj/ Takoj Naimin !”. Te ky burim i përjetshëm kanë pirë e do pijnë të gjithë, sa të ketë shqiptarë mbi dhe. Është burim i patharë Shqipërie. Është burim Lirie e Poezie i vërtetë. Sepse kur “Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe belbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë”. Të ndikosh aq shumë mbi një popull, sic thekson me të drejtë Rilindasi i fundit, Rexhep Qosja: “Platoni thotë se Homeri ka edukuar krejt Greqinë. Po ashtu mund të thuhet edhe për Naim Frashërin”!

 Në Sarandën time që përkundet, ngryset e zgjohet nga valët e detit, jetova e punova po aq vite sa Poeti ynë Kombëtar. Mirëpo edhe kur ika e gjer më sot, dëgjoj ende kollën e tij të thatë, pulëbardhat dhe zogjtë e rrallë këngëtarë në Pyllin e rrallë të Hotovës te dera e Frashërit; dëgjoj fyellin e bariut që e rreh breshëri dhe shiu; dëgjoj gurgullimat e blegërimat e kopeve të vetmuara…Shikoj cukat, kodrat, brigjet, lumenjtë dhe malet e mbytura në gjelbërim. Takova mjaft ish partizanë të Batalionit Partizan “Naim Frashëri”, batalion që në Polican të Pogonit mblodhi si kokrrat në shegë Cetat “Koto Hoxhi” e “Musa Fratari”. Dhe pastaj hynë në Brigadën e 6 Sulmuese e ia morën këngës labce :”Dil Nëno, të shikosh jashtë/ Si lufton Brigada e Gjashtë…”. Atje, te porta e shkrumbuar e qytetit të shkrumbuar 4 herë buzë Vjosës, në Përmetin këngëshumë e plot histori. Dëgjoj vargun lapidar nga “shpirti i Kombit”: Ti  Shqipëri, më ep nder !...

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akuzohet se ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, Belind Këlliçi paraqitet në SPAK

Akuzohet se ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, Belind Këlliçi paraqitet në SPAK