Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste.
Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Nuk e bëra veten, nuk e prisha darkën, por nuk e lashë as pa përgjigje me vetëkontrollin më të për-ngritur se kurrë. –“Këto që shkruan për naftën, Enver Hoxha i ka thënë përpara se të ndodhin dhe nuk janë shkruar absolutisht pas ngjarjeve. Këtu ndryshojnë njerëzit e mëdhenj nga ne të tjerët, të vegjlit”! Si duket për të mos ngritur dyshime të tjera tek unë, ai vazhdoi bisedën, duke ruajtur për mua një lajm të mire, e fort të rëndësishëm. Më tha se para disa ditësh, kur kishte vajtur në një familje në Lushnje, për të uruar një ditëlindje, patën ardhur aty për urim edhe dy persona, të cilët punonin në Komitetin Qendror të Partisë.
-Kur morën vesh që unë punoja në Institutin e Naftës, ra fjala për ty dhe më thanë: “E dini ju atje se Petraq Xhaçkën, do t’ua transferojmë me punë në Universitet? Petraqi ka dhēnë shumë për industrinë e naftës dhe tani është shumë i lodhur”. Sinqerisht, kështu më thanë! – “Kush ishin ata dy persona”? – pyeta unë pa shumë entuziazëm. – “Emrat nuk ua mbaj mend”, tha ai! Ai nuk ishte nga ata njerëz, që nuk mbante mend emra, sidomos njerëzish që punonin në Komitet Qendror. – “Ndoshta, ndoshta”, – ia bëra unë për ta mbyllur. Në çast m’u kujtua, se një lajm të tillë dhe në këtë mënyrë, ia kishin transmetuar edhe gruas sime, kur ajo kishte vajtur për vizitë në një familje. Dhe aty po një person i pranishëm, kish thënë se e pat dëgjuar këtë nga njerëz me përgjegjësi të aparatit shtetëror, se; “Petraqin do ta transferojnë në Universitet, si të lodhur nga puna”.
Dhe ky person që i tregonte Zhanit, po kështu nuk i mbante mend emrat. Pas pak i thashë kolegut, se ish koha të largoheshim nga restoranti dhe ai më shoqëroi deri në shtëpi. Të gjitha këto ishin provokacione, që ata të mund të gjenin ndonjë shkak, si kleçkë politike, që të përligjnin popullorçe arrestimin tim të menjëhershëm. Tërë jetën në fakt, unë nuk i kisha lejuar vetes shprehje të kësaj natyre, me asnjeri. Vjeshta e vitit 1985, po na linte. Një natë, aty nga ora dhjetë, me erdhi në shtëpi një shofer i Institutit të Naftës dhe më njoftoi se me porosi të drejtorit të Institutit, duhej të paraqitesha të nesërmen në Tiranë, në orën shtatë të mëngjesit, në zyrën e ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait. Drejtori i pat thënë shoferit, se takimi do të ishte lidhur me një letër që unë i paskësha dërguar ministrit.
-“Do të jetë ndonjë gabim”! – ia bëra unë i habitur. – “Unë nuk i kam dërguar asnjë letër ministrit të Brendshëm”. – “Nuk e di”, – ma ktheu shoferi i bezdisur dhe përkohësisht i lumtur, që unë po i qaja hallin, e po e ftoja në hamendjet e mia. –“Është pa tjetër, keqkuptim”! – ngula këmbë unë, edhe pse e shikoja se shoferi, nuk e kishte fare hallin tim. – “Do të jetë me siguri një person tjetër, që ka emrin dhe mbiemrin të ngjashëm me të mijtë. Unë e di, është një zëvendësministër”.- “Më thanë për ju, – tha shoferi. – Unë e njoh dhe zëvendësministrin. Por është fjala për ju”.
Atëherë unë vendosa të shkoj menjëherë tek shtëpia e drejtorit. Ishte bërë vonë, por unë duhej të shkoja. Telefonin ato ditë ma kishin hequr, kështu që më duhej të hidhesha vetë deri atje. Drejtori i Institutit, më priti jashtëzakonisht ftohtë, sikur më shikonte për herë të pare, në jetën e tij. Pasi më dëgjoi, ai ma bëri të qartë, se e kishin marrë në telefon dhe i kishin dhënë porosi pikërisht për mua. I kishin thënë se gjithçka ishte lidhur me letrën. Atëhere pa e zgjatur më, duhej të nisesha për Tiranë. Të nesërmen herët, në orën katër të mëngjesit, u nisa për kryeqytet dhe në orën e caktuar, u paraqita tek oficeri, që rrinte ulur prapa një sporteli, në hyrje, nga ana e pasme e ndërtesës së ministrisë. I zgjata pasaportën dhe i tregova se më kishin njoftuar të jem tek ministri në orën shtatë fiks. Ai më plotësoi fletën e hyrjes, mori dikë në telefon dhe më tha të prisja të vinin të më merrnin.
Kjo ishte ajo ndërtesa famë-ndyrë, aq hijerëndë për popullin, për krimet e shumta që ishin bërë në të, për aq shumë historira njerëzish, që fillonin me frazën; “ai hyri në Ministrinë e Brendshme dhe nuk u pa të dilte më që andej…”! Ndërtesa me dukej sikur rëndonte nga dhjetëra e qindra mijëra dosjet që ishin grumbulluar aty. Një pjesë prej tyre, i përfytyroja të hapura, kurse të shumtat të mbyllura përgjithnjë, me një gisht pluhur përsipër. Isha i shqetësuar për thirrjen që më kish bërë ky ministër, i cili kish kohë që ishte larguar nga problemet e naftës. Sidomos ajo letra misterioze, që ma zunë në gojë drejtori dhe shoferi, më ndillte një shqetësim të fshehtë. Unë nuk i kisha shkruar kurrë as Hekuran Isait, as edhe ndonjë ministri tjetër!
Një oficer i ri, më ftoi ta shoqëroja nëpër korridoret e gjatë, që të shpinin tek paradhoma e ministrit. Përballë derës, ishin ulur në një divan dy persona, të cilët m’u dukën të panjohur në fillim, por që më pas i njoha shumë mirë: njeri ishte Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, kurse tjetri ishte Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame. Nuk i përshëndeta dhe as ata nuk e panë të udhës, të më përshëndetnin. Nga e djathta gjendej një zyrë ku qëndronte sekretari, i cili pasi njoftoi në telefon për ardhjen time, u ngrit dhe më futi brenda në zyrën e ministrit.
Zyra e titullarit ishte e vendosur nga ana e fasadës së hyrjes kryesore, përballë Ministrisë së Mbrojtjes. Ishte mjaft e gjerë dhe e mobiluar bukur: Ministri më përshëndeti shumë ftohtë me kokë dhe më ftoj të ulesha në karrige, tek një tavolinë e gjatë në formë T-je. Që në fillim më tha:- “Unë e di që ti nuk ke bërë asnjë letër. Mendova t’u themi të tjerëve kështu, që njerëzit të mos rrinë e të vrasin mendjen, se përse të thirra. Kështu do të gjykojnë se të kërkova për një farë letre, e pikë!
Po i dëgjoja me shumë vëmendje e respekt fjalët e tij. Gjatë kohës kur ai kryente detyrën e Komisari të Posaçëm për Naftën, pas ngjarjeve të vitit 1975, na pat rënë rasti të takoheshim mjaft herë, sepse ai na thërriste për mbledhje, apo për raporte në problemet e kërkimeve të naftës. Kjo pat përkuar me periudhën kur Instituti shënonte rezultate shumë të larta, në zbulimin e vend-burimeve të rinj dhe si pasojë, ai mbante ndaj Institutit dhe ndaj meje, një qëndrim relativisht të mirë. Në dukje, të paktën, ishte kështu. Unë atëhere, nuk e pata kur të qartë rolin e Komisariatit të Posaçëm, ku bënin pjesë katër veta, e njëri prej tyre, ishte punonjës me përgjegjësi i Sigurimit të Shtetit.
Në fillim na thanë se vinte nga përvoja e Leninit në Rusi, në periudhën e pas-revolucionit, kur pushteti ishte në duar të forta dhe ky Komisariat, qëndronte mbi ministritë dhe bile më lart se aparati i Kryeministrisë. Isai punonte me një stil ushtarak, nuk bënte diskutime, pyeste fare shkurt për punët dhe në fund jepte urdhrat me shkrim, ku duhej të firmosnim ne drejtuesit e ndërmarrjeve të ndryshme, që i merrnim këto urdhra. Aty shkruhej se çfarë duhej të bënim dhe kur. Për çdo shkelje, mbahej qëndrim i rreptë, deri në shkarkime në vend, e natyrisht me pasoja të tjera më vonë. Ky ishte stili tipik i organeve të diktaturës, të cilat kishin kompetencë edhe të arrestonin aty për aty, gjë që ministritë dhe kryeministria nuk e kishin!
Ministri nisi të më pyeste se çfarë mendoja unë në lidhje me kërkimet e naftës, se ku ishin strukturat perspektive, e ku mendoja unë se duhej shpuar më përparësi. Më pyeti edhe për disa çështje të veçanta tepër teknike, që kishin lindur në kërkimet e gazit në zonën e Durrësit dhe të një avarie në një pus në zonën e Elbasanit. Aty u përqendrua e kërkoi sqarime të hollësishme, për disa analiza që ne kishim kryer për gjeo-kiminë dhe nëse ato vlefta të ulëta, tregonin apo jo, që vendi ynë kishte gaz. Unë i dhashë atij shpjegimet teorike, për të cilat nuk e dija a i kuptonte, me atë pak kulturë që kishte. Duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, u mundova t’ia bëj të kuptueshme se gjendet gaz, edhe në këto vlera, megjithëse janë më të ulëta, se sa pranohen në literaturë të disa shteteve, si një kufi minimal për t’u formuar ai.
Megjithatë i thashë se kjo nuk përjashtonte mundësinë e formimit të gazit natyral, në shkëmbinjtë ranorë dhe atë e tregon vetë rasti i vendit tonë, ku ne kishim zbuluar rezerva. Ankthi dhe pagjumësia, po më zhdukeshin si me magji dhe ky lehtësim më bënte pak fjalaman. Unë nuk e kuptoja në thelb se përse i lypsej gjithë kjo kulturë teorike ministrit të Sigurimit. M’u kujtua që kohët e fundit, isha ndodhur në një mbledhje të kolektivit, ku drejtori sulmoi me akuzat më të egra gjeo-kimistin e Institutit, Dhimitër Priftin, mbështetur vetëm në prurje shpifarake, sikur ai paskej dhënë deklarata disfatiste, se me ata tregues të ulët, gazi nuk kish mundësi të formohej.
Dhimitri e mohoi plotësisht këtë, bile tha se po mbi këtë temë, ai kish publikuar studime të tëra, e në asnjë faqe të studimeve ai, nuk arrinte në përfundime të tilla mohuese. Gjeo-kimisti qe shqetësuar shumë nga këto sulme dhe disa herë e kisha parë t’i binte të fikët, mu në mes të rrugës. Gjendja e tij rëndohej edhe më shumë, sepse ende nuk ishin mbyllur avaze të hershme. Përpara pak vitesh, pat qenë në Itali për shkëmbim përvoje, për një periudhë tremujore pranë AGIP, bashkë me dy kolegë të tjerë. Një mbrëmje teksa shëtisnin nëpër rrugët mbushur me reklama, ai pat bërë një vërejtje: – “Ore nuk e kuptoj, përse këta i mbajnë kot hapur gjithë këto drita reklamash? Le ta kursejnë naftën për makinat, se u ka ardhur shpirti në majë të hundës, duke furnizuar një ditë targat me numër tek e të nesërmen ato me numër çift”!
Një pjesëtar i grupit, e kishte raportuar thënien e Dhimitrit në Sigurim, por të transformuar, sikur ky pat thënë që shtypi shqiptar, nuk jepte të vërtetën, kur tregonte se në Itali nuk kish karburant për makinat. Ky denoncim, e pat shpënë Dhimitrin disa herë në Degën e Punëve të Brendshme dhe ishte gati në të arrestuar, po qe se specialisti i tretë, nuk do të kish treguar realisht, se si ishte shprehur i gjori Dhimitër. E ndihmoi dhe fakti se specialisti që kish treguar të vërtetën, kishte një të afërmin e tij me përgjegjësi të madhe, në armën e Sigurimit të Shtetit. Fati, pra, e shpëtoi atëhere nga burgimi. Në bisedën me ministrin, e pashë të arsyeshme t’i bëja të ditur atij, se specialisti në fjalë, nuk mund të ishte aq pesimist për gazin, pasi nuk kish shfaqur kurrë mendime të tilla, në studimet e plota të kryera prej tij, e të miratuara në Këshillin Shkencor të Institutit. Studimet i kishim aty, e ato flisnin në favor të tij. Kam kënaqësi të besoj se ky shpjegim, ia hoqi për herë të dytë litarin nga qafa kolegut tim gjeo-kimist.
Këto biseda më krijuan përshtypjen se ministri Hekuran Isaji më kish thirrur thjesht, si thirret një specialist, për t’i marrë opinionin për problemet e kërkimeve të naftës. E ndoshta këto i duheshin ministrit, për t’u përgatitur për ndonjë mbledhje në qeveri, apo në Byronë Politike. Terrori dhe ankthet e një nate më pare, m’u davaritën fare. Por, dardha e ka bishtin prapa, thotë një fjale e urtë e popullit tonë. Qetësia ime mori fund shumë shpejt, kur pasi mbaruam diskutimet e para, ai i dha papritmas bisedës një kthesë të re. Në atë çast, ministrit të Brendshëm ,sapo i patën sjellë mbi tavolinën e tij një tok të madh dosjesh. Dhe ai më shtroi një pyetje:
-“A ke dëgjuar ti mendime të tilla, sikur në Shqipëri perspektiva për naftë, është shumë e vogël”? Unë iu përgjigja se, nuk kisha dëgjuar kurrë. Të paktën mua, i thashë se nuk m’i kish shprehur njeri. Atëhere ai hapi një nga ato dosjet, mbi të cilën nuk shquaja se çfarë shkruhej përsipër dhe nuk merrja dot me mend, se ç’fshihej brenda saj. – “Mynyr Arapi, – nisi i ngrysur ministri, – është armik. Ai i përhap mendime të tilla, për perspektivën e pakët të vendit tonë, për naftë e gaz, mendime qe bien në kundërshtim me ato të Partisë dhe me mësimet e shokut Enver. Prandaj, në një mbledhje që ne kemi ndërmend të bëjmë, ti duhet ta dënosh këtë armik”.
Unë u bëra kallkan i tëri. –“Shoku ministër, – ia ktheva, – unë e njoh Mynyrin, prej dhjetëra vjetësh dhe e njoh jo vetëm si specialist të mirë, por edhe shumë të lidhur me Partinë. Nga familja e tij ka patur gjithë ata partizanë, ushtarakë të zotë, deri te xhaxhai i tij, i cili ka qenë gjeneral. Kurrë nuk kam dëgjuar prej tij, mendime të tilla të errëta, për çështjen e kërkimeve të naftës e të gazit. Ky ishte realiteti që njoh unë në marrëdhëniet e shpeshta të punës me të. Si pjesëtar i drejtorisë në Ministri, ai vjen shpesh për të kontrolluar e shkëmbyer mendimet për studimet, të cilat ne bëjmë dhe ai jep kontributin e tij, në kërkimet e naftës”.
Me dukej më e kollajtë t’i dilja Mynyrit krah tek ministri, se sa në rrethana të tjera. – “Unë nuk di qe ai është armik, – e përfundova fjalën, – e nuk kam se si ta dënoi atë si të tillë”. Ministri i Brendshëm, i pakënaqur nga kundërshtimi im më tha me nervozizëm: – “E dimë ne që ai është armik! Ne do t’i paraqitim këto të dhëna. Kur t’i dëgjosh, ti do të ngrihesh në diskutime, do ta dënosh atë si armik. Më kupton? E ke të qartë”? Më ra tavani mbi kokë. Me të dhënë këtë urdhër, ai u ngrit për të thënë se e mbylli bisedën. Para se të largohesha, ministri më porositi që të mos bisedoja me asnjeri për ç’ka u tha atje.- “Do të kesh pasoja të rënda”! – më paralajmëroi Hekuran Isai. Oficeri që më shoqëroi brenda erdhi për të më marrë përsëri. Kur po dilja nga zyra, vura re se të dy ata personat, qëndronin ende aty të ulur në kolltuk. Dera e sekretarit të ministrit ishte e hapur dhe unë e pashë atë tek po mblidhte kabllot e një magnetofoni të madh. E kuptova se e tërë biseda jonë prej afro dy orësh, ishte regjistruar.
Dola nga ministria, mjaft i tronditur. Më vinte shumë keq për Mynyrin. Atë me siguri do ta arrestonin. Unë e njihja Mynyr Arapin, qysh kur ai ishte nxënës në Teknikumin e Naftës dhe unë jepja mësim aty. Pastaj gjithë periudhën, qysh nga vitet ’60-të dhe deri atë ditë të zezë të vitit 1985, që u bë kjo bisedë, puna na pat lidhur bashkë. Ai ishte një gjeolog i aftë, përpiqej që studimet të kishin cilësi dhe të mos gjendeshin gabime në to. Ai përpiqej, të analizonte të dhënat faktike, gjeologjike dhe laboratorike me një seriozitet shembullor. Mynyri, duke qenë edhe në ministrinë tonë, ishte kundër planeve të fryra që hartonte udhëheqja shtetërore, e mundohej, me aq sa i lejohej, t’i ulte këto shifra, në mënyrë që ato t’i përgjigjeshin më mirë realitetit tonë.
Ky njeri i ndershëm, bile edhe besnik i atij pushteti, në ditët që vinin, do të shpallej armik i radhës! Ishte një lajm i llahtarshëm. Ishte një rrufe e tmerrshme, si shumë të tjera më pare, në industrinë e naftës. Ashtu siç isha tronditur për fatin e kolegut tim, këmbët po më shpinin drejt Ministrisë së Gjeologjisë dhe Minierave, ku pata lënë takim me shoferin e makinës, që më solli në Tiranë. Befas, rastësia më e prapët, o papritura më e hidhur, solli që në rrugën afër ministrisë, pashë Mynyrin, tek po më vinte përballë. Dhe ai nuk e kishte pamjen e zakonshme, të gëzuar dhe të qeshur. Dukej dhe ai i brengosur. Por ai, nuk kish se si të dinte, ato që dija unë. Më ftoi të shkonim e të pinim një kafe, në ndërtesën e ministrisë. Unë mbeta më dysh.
Dreqi ta hante, unë sapo kisha dalë nga ai takim fatkeq dhe tani sikur i ndjeja sytë e Sigurimit, të mbërthyer mbi ne të dy. Mynyri ishte njeriu i fundit që duhej të takoja e befas, ai tani më doli i pari. Shoqërimi me të, veçimi në ndonjë kafene, do të ishte vdekjeprurës për të dy. Kush kish jetuar në ato kohë në Shqipëri, e nuk e dinte këtë gjë! Iu shmanga propozimit. Sado e trashë të dukej arsyeja, i thashë se isha i lodhur, se kisha disa punë, që më kërkonin të kthehem menjëherë në Fier dhe u ndava me të që aty. Ky ishte takimi i ynë i fundit, deri në arrestimin, bile edhe më vonë, deri në mbarimin e gjyqit tonë, zinxhir ngjarjesh, që deri në atë ditë as që më shkonte në mend se do të ndodhnin edhe me mua. Unë nuk kisha asnjë fuqi të mbinatyrshme, të lexoja fatin tim, në dosjet e mbyllura të kreut të Sigurimit, Hekuran Isait.
Askush nuk më kish vënë në dijeni, se çfarë kishte ndodhur pak kohë më përpara se kjo ditë, që unë u thirra në Ministrinë e Brendshme. Bile, nuk dihej se a do të ma rrëfente vetë Mynyri, po të kishim shkuar së bashku atë ditë për kafe. As kur me Mynyrin e kujtonim këtë episod, më vonë, pas një viti në burg, ai nuk ishte i sigurt, në se do të ma rrëfente aventurën e tij tragjike. Ja se ç’kishte ndodhur:
Ca ditë më parë, Mynyri kishte zbritur në Fier, në një nga shërbimet e tij të zakonshme. Aty e prisnin punonjësit e Degës së Brendshme të naftës, të prirë nga zëvendëskryetari i tyre, Sotiraq Mici. Ata e kishin tërhequr në ndërtesën e aneksit të Hotel Turizmit dhe e paskëshin mbajtur atje për pesë ditë dhe netë me radhë. E kishin futur në një nga apartamentet e këtij hoteli, që përdorej kryesisht për strehimin e specialistëve të huaj, të cilët punonin në Fier, por që në këto ditë, nuk ndodheshin atje. Aneksi i hotelit, ishte fare bosh. Në të hynin e dilnin vetëm oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me në krye zëvendësministrin, që mbulonte Sigurimin e Shtetit. Oficerët e kishin marrë Mynyrin në formë arresti, pa asnjë urdhër ndalimi zyrtar.
Për këto shkelje të ligjeve, ata nuk jepnin llogari përpara askujt, sepse ata bënin ligjin në Shqipëri. Ata të Sigurimit, i kërkonin Mynyrit, të “zbërthehej” për disa mendime që paskej shfaqur, lidhur me mungesën e perspektivës së madhe, për kërkimet e naftës e të gazit në vendin tonë. Siç më tregonte më vonë Mynyri, atë e rrihnin, e torturonin dhe i bënin presion të vazhdueshëm të pranonte, se mendimet e tij, ishin në kundërshtim me tezat e partisë dhe të Enver Hoxhës për naftën. Ai ishte munduar t’i bindte, se thëniet e tij ishin shtrembëruar dhe keq interpretuar me qëllim dhe se ai, pat biseduar me kolegë gjeo-fizikë apo gjeologë, për struktura apo zona të veçanta, të cilat nuk kanë perspektivë, si për shembull Durrësi, nga i cili nuk pritej gaz. Nuk ishte gabim, u thoshte Mynyri, të ziheshin në gojë zona të veçanta, të cilat që të gjithë e dinin se kishin shterpësi.
Por kurrë nuk kishte folur në tërësi për vendin. Këtë e ilustronte fakti, se ai vetë, kishte marrë pjesë në disa projektime pusesh kërkimi. Pastaj ata i luanin bobina me shirita manjetike, ku i kishin regjistruar biseda të Mynyrit me kolegët e punës. Ai ua kundërshtonte, sepse dukej që ato ishin përpunuar, duke bërë kombinime shprehjesh të ndryshme. Kështu për shembull, thënia se; “struktura e Durrësit, nuk ka gaz apo naftë” ishte shartuar me një frazë tjetër; qe gjetur diku tjetër me zërin e gjeologut togë-fjalëshi “në vendin tonë”, ishte zëvendësuar “struktura e Durrësit”, me “në vendin tonë” dhe si përfundim, dilte thënia, se; “në vendin tonë, nuk ka gaz apo naftë”. Magnetofoni e thoshte, por nuk e kish thënë Mynyri!
Me këto përpunime, ata e nxirrnin se gjeologu ishte pesimist, lidhur me perspektivën e kërkimeve për naftë e gaz në vendin tonë dhe për këto e rrahën, e keqtrajtuan dhe kërkonin që ai të pranonte, se ky ishte një akt armiqësor. Të pranojmë se këto, ishin të gjitha ashtu si i kishte montuar Sigurimi i Shtetit, po përse duhet të cilësoheshin armiqësore?! Pse na qenka armiqësor një opinion gjeologjik, që thuhej hapur e lirshëm dhe debatohej me specialistët, që të dilej në një rrugë zgjidhje?! Një vend me terror të tillë, kurrë nuk mund të ecte përpara. Ata ishin armiqtë e këtij vendi dhe jo specialistët, që jepnin mendime për ta bërë me efektive drejtimin e ekonomisë së vendit!/Memorie.al