Kujtimet e Schröder:Pse Gjermania
ndërhyri në luftën e Kosovës

Kujtimet e Schröder:Pse Gjermania<br />ndërhyri në luftën e Kosovës
Sukseset që po korr prej vitesh ekonomia gjermane dhe rrjedhimisht edhe kancelarja Angela Merkel në aspektin politik janë meritë edhe e paraardhësit të saj, Gerhard Schröder. Mes viteve 1998 dhe 2005 Schröder si kryeministër i Gjermanisë reformoi tregun e punës dhe sistemet sociale dhe kështu krijoi mundësi për zhvillimin e ekonomisë gjermane, e cila pothuaj pa tronditje është përballur me krizën ekonomike, që ka përfshirë jo vetëm Evropën.
 
Ndonëse socialdemokrat, Schröder hoqi dorë nga besimi i pakufishëm majtist se shteti duhet të zgjidhë të gjitha problemet e individit. Disa vendime të tij sa i përket çrregullimit të sistemit social më vonë u kritikuan ashpër dhe në disa pika edhe u përmirësuan, por në përgjithësi Schröder mbetet një udhërrëfyes reformash.
 
Para reformave ishte lufta. Pas fitores në zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën në fund të shtatorit 1998, pushtetin qendror në Gjermani e mori një koalicion i përberë nga socialdemokratët e Gerhard Schröderit dhe të gjelbrit e Joschka Fischerit. Kancelari legjendar, Helmut Kohl, la postin pas 16 vjetësh. Schröder dhe Fischer morën timonin e drejtimit të Gjermanisë në një moment kur kriza dhe lufta në Kosovë po shqetësonin gjithnjë e më shumë botën perëndimore, sidomos duke pasur parasysh mundësinë e ardhjes së mijëra refugjatëve shqiptarë në Gjermani.
 
Në librin e tij “Vendime: Jeta ime në politikë”, Schröder merret edhe me këtë episod të karrierës së tij politike. Ai kritikon qeverinë e Kohlit, e cila duke u arsyetuar se Gjermania për arsye historike nuk duhet të përzihet në asnjë konflikt të jashtëm s’kishte marrë pothuaj asnjë obligim në politikën ndërkombëtare.
 
Në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë Kohli dhe ministri i tij i Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher, të shtyrë nga gazetat konservatore, si “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Die Welt”, njohën pavarësinë e Kroacisë dhe të Sllovenisë dhe kështu ushtruan presion edhe ndaj vendeve të tjera evropiane për të bërë një hap të tillë, por më vonë qeveria në Bonn qëndroi kryesisht indiferente ndaj konflikteve në Ballkan.
 
Derisa në Bosnjë soldateska serbe vriste mijëra civilë, në Parlamentin gjerman zhvilloheshin debate epike mbi atë se a kanë të drejtë oficerët gjermanë të fluturojnë mbi Bosnjë me avionët “Awacs” të NATO-s, të cilët me miratim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara duhej të mbikëqyrnin respektimin e zonës së ndalim-fluturimit. Më pak fajtor Schröder konstaton se atë që s’e kishte bërë Kohli i kishte rënë hise qeverisë socialdemokrate dhe partnerit të saj të vogël dhe pacifist: të gjelbërve të Joschka Fischerit.
 
Sipas Schröderit, lufta e Kosovës e bëri thellësisht të qartë domosdoshmërinë e angazhimit të Gjermanisë në përpjesëtim me rolin e saj të ri në arenën e politikës ndërkombëtare si vend i bashkuar dhe me njërën prej ekonomive më të zhvilluara në botë. Schröder e pranon se lufta e Kosovës i kishte zënë të papërgatitura të gjitha partitë politike gjermane. “Por, nën presionin e rrethanave ne nuk kishim mundësi të vepronim ndryshe”, shkruan ai.
 
“Sidomos ne gjermanët s’duhej të lejonim që në Evropë të shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë më brutale”. Në mars 1999, pak para fillimit të sulmeve të NATO-s, qeveria e Schröderit mori një goditje të rëndë me dorëheqjen e ministrit të Financave, Oskar Lafontaine. Si njërën prej arsyeve të largimit Lafontaine përmendi atëbotë pjesëmarrjen e pritshme të Gjermanisë në luftën e Kosovës. Schröder thotë se një deklaratë e tillë e kolegut të tij ishte e befasishme, sepse këtë shqetësim ai s’e kishte shprehur kurrë në biseda me kancelarin.
 
Schröder i përshkruan veprimet e shtetit serb në Kosovë si “fushatë shfarosjeje kundër popullsisë shqiptare”: “Aksionet e serbëve ishin dëshmi e ashpërsisë, e gatishmërisë cinike për shfarosje. Pamjet të kujtonin krimet e komandove gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Ndoshta ishte ky asocim, i cili ndikoi që Joschka Fischeri të thotë ‘Kurrë më Auschwitz’. Pra, kush hynte në kabinetin tim, ai e dinte se nuk ka alternativë sa i përket pjesëmarrjes në luftën e Kosovës...”.
 
Nga ana tjetër, Schröder ishte i vetëdijshëm se jo pak socialdemokratë ishin kundër angazhimit të Gjermanisë në një “aventurë të re ballkanike”, disa madje tërhiqnin paralele mes sulmeve të Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore dhe bombave që Gjermania i hidhte si vend anëtar i NATO-s. Në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë më 12 prill 1999, Schröder u përpoq të evitonte përshtypjen se duke e futur vendin në luftë ishte i vetmi që kishte të drejtë.
 
Por, siç e pranon edhe vetë, ai që i shtyri delegatët socialdemokratë të mendojnë më thellë mbi rëndësinë e angazhimit gjerman ishte Erhard Eppleri, një politikan veteran socialdemokrat dhe i njohur si ndërgjegjja e partisë. Në librin e tij Schröder citon paragrafin e fundit të fjalimit të Epplerit: “Më lejoni të bëj një vërejtje të fundit, një vërejtje shumë të përgjithshme: lëvizja e 68- s na ka sjellë shumë gjëra të reja dhe të mira.
 
Por, disa gjëra ajo i ka groposur. Diçka që ka groposur është intuita për të kuptuar tragjiken. Ne gjithçka që është pikëlluese tani po e quajmë tragjike. Jo, tragjike është një situatë kur bëhesh fajtor, pa marrë parasysh se ç’ke bërë. Natyrisht bëhesh fajtor kur hedh bomba. Por, pyetja është se si bëhesh edhe më shumë fajtor. Për këtë arsye partia tani duhet ta durojë këtë konflikt, për të cilin nuk ka qenë e përgatitur.
 
Ajo duhet të mësojë se ç’është një vendim tragjik dhe pastaj këtë duhet ta durojë në atë mënyrë që secili t’ia pranojë tjetrit se ka të drejtë. Pastaj qeveria duhet të veprojë. Unë e kam përshtypjen se ajo po vepron në atë mënyrë që ne të jemi më pak fajtorë sesa atëherë kur nuk do të bënim asgjë”.
 
Qëllimi i qartë Përkundër të gjitha kundërshtimeve, protestave, kritikave të ashpra edhe nga një pjesë e shtypit dhe medieve elektronike, Schröder i qëndroi besnik Aleancës Veriatlantike. Ai shkruan: “Joschka Fischeri dhe unë e kishim të qartë prej fillimit se të gjitha përpjekjet tona duhet të orientohen në arritjen mundësisht të shpejtë të qëllimit të vetëm të luftës: tërheqjen e ushtrisë serbe nga Kosova – dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës.
 
Po ashtu Serbia duhej të garantonte se kjo tërheqje ishte përfundimtare. Edhe në këtë pikë ishim të një mendjeje”. Schröder tregon se për Ballkanin më së shumti kishte mësuar nga Michael Steineri, i cili atëbotë ishte këshilltar i tij për politikë të jashtme. Më vonë Steiner do të bëhej shef i Misionit të OKB-së në Kosovë dhe një ditë do ta shpallte “bashkimin e Mitrovicës”, gjë që i siguroi përmendjen e emrit të tij në faqen e parë të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
 
Këtu mbaroi gjithçka, Mitrovica s’u bashkua dot, ndërkohë edhe Steineri është harruar. Duket se në kabinetin e Schröderit, Steiner kishte luajtur një rol më të dobishëm se më vonë në Kosovë. Në vlugun e përgatitjeve për të dërguar presidentin e Finlandës, Martti Ahtisaari, dhe emisarin rus,Viktor Çernomyrdin, në Beograd, ku ata do t’ia prezantonin kushtet Slobodan Milosheviqit për kapitullim, ndodhi diçka e papritur: bombardimi i Ambasadës kineze në Beograd nga avionët e NATO-s.
 
Bash në atë kohë Schröder kishte planifikuar vizitën e parë si kancelar në Kinë. Për shkak të sulmit kundër ambasadës, Schröderi kishte hequr dorë nga vizita me delegacionin e gjerë gjerman në Kinë. Mori me vete dy këshilltarë dhe shkoi në Pekin, ku kërkoi falje për ngjarjen. Duket se gjesti i Schröderit ishte mirëpritur nga pala kineze, e cila më vonë nuk do të bllokonte miratimin e Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
 
“Mjeshtri i momentit” Schröder shkruan se nga lufta e Kosovës, Evropa ka nxjerrë mësimin se pa ndihmën e SHBA-së nuk ishte në gjendje të zgjidhte një konflikt të tillë në kontinent. Ai kritikon Washingtonin për përçarjen e evropianëve sa herë që ata kishin bërë përpjekje për të krijuar kapacitete të veta për mbrojtjen e interesave të tyre.
 
Më vonë, në prag të pushtimit të Irakut nga SHBA-ja në vitin 2003, Schröder e kishte shfrytëzuar disponimin e shumicës së gjermanëve kundër presidentit amerikan George W. Bush për të kundërshtuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në luftën e Irakut. Schröder ishte shprehur qartë kundër “aventurave luftarake”.
 
Duke qenë “mjeshtër i momentit, njëri prej politikanëve më të mirë të instinktit në Gjermani” (siç e quan publicisti gjerman Stefan Kornelius) Schröderi i fitoi atëbotë zgjedhjet me një fushatë kundër politikës së George W. Bushit. Por motivet e kancelarit gjerman nuk ishin të ulëta. Më 26 maj 2004, në të famshmen “New York Times” u botua një editorial me titullin “Times dhe Iraku”, ku editorët kërkonin falje për mënyrën e raportimit me informata të paverifikuara dhe shpesh të fabrikuara nga qeveria, të cilat çuan në intervenimin e SHBA-së në Irak.
 
Para intervenimit u tha se Iraku kishte armë kimike dhe mbante lidhje me rrjetin terrorist “Al-Kaida”, pas intervenimit u pa se kjo kishte qenë gënjeshtër e ideologëve neokonservatorë në administratën e presidentit Bush. Sado që pati të drejtë me mosangazhimin e Gjermanisë në luftë kundër Irakut, Schröder më vonë diskreditoi veten me afërsinë që demonstroi ndaj presidentit autokrat rus, Vladimir Putin, të cilin madje e quajti “demokrat të pastër si loti”.
 
Nuk qe befasi që pasi u largua nga posti i kancelarit Schröder gjeti punë si anëtar në bordin mbikëqyrës të gazsjellësit “Nord Stream Pipeline”, një pjesë e konsiderueshme e të cilit i takon firmës ruse “Gazprom”.

Marrë nga "Koha Ditore"

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024