Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër për të liruar vetëm 7 nga 11 protestuesit e Kukësit. Lirimin e 7 protestuesve Basha e quan një arritje që erdhi nga protesta dhe rezistenca, por e cilëson drejtësi gjysmake. Basha e mbyll reagimin duke deklaruar se protestat do të vijojnë.

Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve.

Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament.

Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera.

Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit.

Kryetari i PD, Lulzim Basha

Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shprehet se me çdo kusht e me çdo mjet demokratik do të jemi në mbështetje të kuksianëve, deri në lirimin e çdo protestuesi dhe rishikimin e taksës për Rrugën e Kombit.

Pabesia dhe frika e Edi Ramës vazhdojnë të mbajnë në mënyrë krejtësisht antiligjore në burg protestuesit kuksianë! Asnjë qytetar që ka protestuar për një taksë arbitrare dhe të padrejtë, nuk mund të penalizohet nga një drejtësi, që sot më shumë se kurrë tregoi qartas që është vegël e qeverisë.

Procedurat e ndalimit të protestuesve, mënyra se si u shoqërua dhe gjykimi i politizuar janë tregues i qartë i një pushteti të ri në duart e narkoqeverisë. Asnje raport ndërkombëtar, asnjë shoë në ERTV apo shfaqje “dashurie publike” për të tërhequr vëmendjen nga zullumet, nuk e shpëton dot Edi Ramën dhe qeverinë e narkotrafikut nga revolta e një populli, që sot më shume se kurrë po provon në kurriz hajdutërinë dhe padrejtësinë.

Opozita nuk do të lejojë maskaradën e kryeministrit që po tallet dhe që po luan me jetën e shqiptarëve të pafajshëm, që rëndohen çdo ditë e më shumë nga taksat e oligarkëve dhe burgosen padrejtësisht nga të komanduarit e Edi Ramës. Ne do të jemi në krah të çdo proteste për të liruar kuksianët protestues, që sot janë simboli i qëndresës ndaj arrogancës së pushtetit.

Beteja tyre me padrejtësinë është dhe beteja jonë! Me çdo kusht e me çdo mjet demokratik do të jemi në mbështetje të kuksianëve, deri në lirimin e çdo protestuesi dhe rishikimin e taksës për Rrugën e Kombit.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi