Tre persona janë arrestuar ditën e sotme në Skrapar, të akuzuar për kultivim kanabisi. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se u arrestuan në flagrancë Selami Hadëri, 47 vjeç, dhe Ylber Hadëri, 38 vjeç, banues në fshatin Braçë, pasi në tokat në pronësi të tyre u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara kanabisi.
Po ashtu, në fshatin Tomorr u arrestua Shpëtim Bregu, 40 vjeç pasi në një mini-serë në ambientet e banesës së tij u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara kanabisi. Gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri pushkë.
Policia bën me dije se u procedua penalisht edhe kryeplaku i fshatit Barçë, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.