Nga Nju Jorku, Marko Caka

Pas publikimit të artikullit tim të fundit në gazetën "Tema" mbi ngjarjet e rënda në SHBA dhe vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE, u përballa në faqen time në Facebook me një fenomen që, për çudi, nuk e kisha hasur më parë në këtë formë, as në 30 vite karrierë gazetarie.

Mes komenteve u shfaq një profil me emrin Roz Marku. Përtej një identiteti virtual që shfaqej si “verior” dhe disa lidhjeve të deklaruara me kandidaturën e një shqiptari republikan në SHBA, asgjë tjetër nuk e lidhte realisht me Shqipërinë. Profili ishte pa foto personale, por i stolisur me imazhin e presidentit aktual amerikan,  një adhurim që do t’ia kishte zili edhe Trump Jr. Nuk shkruante kurrë në shqip, gjë që lë të kuptohet se nuk e zotëron mirë gjuhën, por përgjigjet e mia të gjata dhe shpjeguese i kuptonte për mrekulli. Një paradoks tipik i arrogancës digjitale, që nuk flet gjuhën, por pretendon monopolin e së vërtetës.

Që në fillim, gjuha e tij ishte sulmuese, përjashtuese dhe fyese. Me këtë, fatkeqësisht, jemi mësuar në rrjetet sociale dhe nuk ka asnjë arsye të zbresim në batakun e injorancës. Ajo që më befasoi ishte akuza që e dëgjoja për herë të parë në jetën time,  “komunist i vogël”. Si arriti në këtë përfundim Roz Marku i etiketimeve të shpejta, nuk u bë kurrë e qartë, pasi në artikullin tim nuk kishte asnjë tezë ideologjike, por vetëm fakte dhe dëshmi mbi vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE. Gjithmonë në mendjet e sëmura, kur  mungon argumenti, shpiket armiku.

Më vjen keq që komunizmi ka lënë pasoja të rënda te shumë njerëz. Unë pata fatin që ky sistem monstruoz të mos më përfshinte drejtpërdrejt, për shkak të moshës së re. Por im atë nuk i shpëtoi dot kësaj makinerie represive, nga kuadër me shkollë të lartë u degradua në kooperativist bujqësie, për shkak të një dajë të tij të vrarë nga njësitet e krijuara për përndjekjen e antikomunistëve. Pikërisht për këtë arsye jam betuar që kurrë të mos i shërbej jo vetëm asaj mostre, por asnjë pjelle ideologjike që mbart të njëjtën logjikë shtypjeje.

Në vitet e mia të punës si gazetar në Greqi, nëse Roz Marku jetoi, siç pretendon ai, me dhimbjen e pasojave të një sistemi, unë jetova me dhimbjet reale të emigrantëve shqiptarë,  me dhunën, torturat, diskriminimin dhe poshtërimin e tyre, të dokumentuara me fakte dhe dëshmi në faqet e gazetave shqiptare. Kjo është diferenca mes përvojës reale dhe retorikës boshe.

Nga gjithë ajo që shkruante në një anglishte të varfër, një gjë u bë e qartë se  Roz Marku është një trumpist i bindur. Kjo është e drejta e tij dhe nuk vihet në diskutim. Çdokush ka të drejtë të besojë te lideri i vet politik, madje edhe ta shndërrojë atë në figurë shpirtërore. Po të ishte për këtë arsyeja, unë nuk do të kisha shkruar asnjë rresht.

Ajo që binte në sy ishte sjellja kërcënuese, gjuha përjashtuese dhe bindja se kush nuk mendon si ai duhet etiketuar, diskredituar dhe dëbuar simbolikisht. Në thelb, ajo që shfaqej ishte një mendësi autoritare, me tipare fashiste, e maskuar pas termit të rehatshëm “antikomunist”. Të deklarohesh antikomunist është gjëja më e lehtë në botë, sepse është përgjigjja standarde që jep çdo i huaj në një intervistë emigracioni në SHBA. Pyetja e vërtetë është pse kjo kërkesë morale vlen vetëm për komunizmin dhe jo edhe për dy ideologjitë e tjera monstruoze që ka njohur njerëzimi, për  fashizmin dhe nazizmin.

Shkrimi im kishte për qëllim të hapte debat, jo të prodhonte linçim. Reagimi i këtij komentuesi, i vetëshpallur si mbrojtës i së vërtetës absolute, e ktheu diskutimin në një përplasje të dhunshme verbale dhe ideologjike. Ishte një shembull tipik se si diskursi publik rrëshqet nga argumenti te fyerja dhe nga mendimi ndryshe te urrejtja e organizuar.

Në vend të kundërargumenteve, u përdorën etiketime ideologjike, akuza kolektive dhe sulme personale. M’u atribuuan bindje, prejardhje dhe histori familjare që nuk i njeh dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. U përfshi feja, u manipulua historia dhe u hodh baltë mbi familje, krahina dhe komunitete të tëra. Kjo nuk është kritikë, por është përpjekje për delegjitimim. Kur mungojnë faktet, shpiket faji. Kur mungon arsyeja, ngrihet zëri.

Ky model reagimi nuk është i ri. Ai bart tiparet e mendësive totalitare që pretendojnë se zotërojnë të vërtetën absolute dhe e shohin mendimin ndryshe si kërcënim. Në këtë logjikë, fjala e lirë tolerohet vetëm kur përputhet me bindjet e tyre, ose  përndryshe kërkohet heshtja, përjashtimi ose poshtërimi publik.

Madje Roz Marku arriti deri aty sa të tentonte të më intimidonte, duke më kërcënuar me dëbim nga Amerika e lirive dhe duke sharë vendin e origjinës sime, ndërkohë që tek ai nuk vihej re asnjë ndjesi përgjegjësie apo empatie. Se ku e gjen këtë forcë të brutalitetit, duke menduar të njëjtën gjuhë që përdornin diktaturat, ku ushtarët besnikë të partisë kryqëzonin qytetarët dhe i dërgonin në internime, deri në qelitë e ftohta të minierave të Spaçit.

Në mënyrë të papranueshme, në këtë debat ai  përfshiu edhe fenë. Ajo që për miliona njerëz është burim paqeje dhe morali u përdor si mjet përçarjeje. Madje edhe emri im, për shkak të konotacionit fetar, u devijua sipas logjikës së vjetër totalitare. Vetëm me demokracinë ai mori sërish emrin e babait të gjyshes sime të persekutuar, pra emrin e babait të dajës së vrarë. Por historia, sipas Roz-it, u deformua për të ndërtuar narrativa faji kolektiv, një qasje e rrezikshme dhe thellësisht e padrejtë ndaj atyre që kanë vuajtur realisht nga regjimet dhe ekstremizmat e së shkuarës.

Debati publik kërkon përgjegjësi. Kritika është e shëndetshme, por fyerja nuk është. Kundërshtimi është i domosdoshëm, por dehumanizimi jo. Një shoqëri demokratike matet nga aftësia për të përballuar mendime të kundërta pa rrëshqitur në gjuhë urrejtjeje.

Komuniteti që kam ndërtuar ndër vite në rrjetet sociale, për gati dy dekada, është ngritur mbi respektin, dialogun dhe dinjitetin. Ai nuk është hapësirë për linçime, shpifje apo projeksione të frustrimeve personale. Heshtja, kur fjala shndërrohet në helm, është shpesh forma më e lartë e përgjigjes. Jo çdo provokim meriton podium.

Ky shkrim i imi nuk është thirrje për censurë, por për reflektim. Fjala e lirë është themel i shoqërisë sonë, por ajo vjen gjithmonë me përgjegjësi. Pa të, debati shndërrohet në zhurmë dhe liria në kaos./Tema