Kur Konica shkruante se 'dheu i Shqipërisë mund të japë bukë për 20 milionë banorë'! Sot 126 vjet nga numri i parë i 'Albania'-s me botuesin vetëm 22 vjeç

Kur Konica shkruante se 'dheu i Shqipërisë mund të japë bukë për 20 milionë banorë'! Sot 126 vjet nga numri i parë i 'Albania'-s me botuesin vetëm 22 vjeç

Faik Konica

Si sot 126 vjet më pare, në botën shqiptare ndodhi një ngjarje nga më të rëndësishmet në nivelin kulturor dhe intelektual, por veçanërisht atë kombëtar. Më 25 mars të vitit 1897, në Bruksel, doli numëri i parë i gazetës “Albania” për të cilën nuk është e tepërt të themi se është gazeta më e mirë, më me vlerë, më me kulturë, më me ndikim dhe më patriotike në të gjithë historinë e medias shqiptare. Botuesi i saj ishte Faik Konica dhe në 122 numrat që botoi ai, më vonë edhe në Londër, i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm të gjithë kombit shqiptar. Dhe të mendojmë se botuesi Faik Konica ishte vetëm 22 vjeç. 

Po, po. E lexuat saktë. Faik Konica ishte vetëm 22 vjeç kur botoi kryeveprën e tij “Albania”. Me vrullin dhe energjinë e moshës, i sapo diplomuar për Bachelor në Universitetin e Dijonin në Francë për letërsi dhe me një kulturë poliedrike të marrë në shkollën saveriane në Shqipëri, në studimet në liceun e Stambollit dhe më pas në Francë, Faik Konica ka meritën që jo vetëm botoi një gazetë cilësore në dhe të huaj, por që nëpërmjet saj përçoi dhe ndikoi aq shumë në shoqërinë shqiptare të kohës dhe pas saj aq sa sot ta lexosh duket sikur je në të ardhmen dhe jo në të shkurën. 

Ai pati meritën së pari shkroi vetë me një penë të artë dhe që e meritonte cilësimin “kryeshkronjës”. Rreku tema për herë të parë dhe që ishin tabu për kohën që nisnin që nga gjuha shqipe, shkenca, politika, filozofia, arti, letërsia shqipe, letërsia botërore, historia, ekonomia dhe veçanërisht çështja kombëtare. Ai pati meritën që shkroi për Shqipërinë kur nuk kishte Shqipëri. 

Ai pati zotësinë që nëpërmjet kësaj gazete të lëvronte gjuhën shqipe si një usta i vërtetë duke llogaritur edhe vështirësitë e shtypjes dhe gërmave që në shtypshkronjat e Brukselit nuk i gjente dot dhe i zëvendësonte me me ç’të mundte. Ai pati zotësinë të shkruante gjuhën shqipe kur ende kjo gjuhë në Shqipëri shkruhej dhe kultivohej rrallë duke përkthyer sa e sa fjalë si kjo “Mësalha” që do të thotë vitrina. 

Ai pati aftësinë të mblidhte rreth vetes pena të arta të kohës si Mit’hat Frashëri, Ismail Qemal Vlora, Visarion Dodani, Koto Hoxhi, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Spiro Garo, Thoma Abrami, Lulo Frashëri, Syrja Vlora, e shumë e shumë të tjerë, një pjesë e të cilave jetonin në Shqipëri. Vetë shkruante me pseudonimin Trank Spiro Beg. Një i tillë është edhe kjo që po botojmë sot që ka qenë një nga editorialet më të bujshme me titull: Armiqtë e Shqipërisë. Lexoni me vëmendje në hyrje:

“Të gjithë ata që kanë njohur mirë vendin tonë, shkrojnë se dheu i Shqipërisë mund të japë bukë 20 milionë shpirteve (banorëve). E dini që jemi 3 milionë dhe 2 milionë ngordhin urije. Shkruajnë që shqiptarët janë mjaft të mençur, nuk janë vetëm për zbukurimin e tyre por edhe për mirësinë e të gjithëve. Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Ca zgjasin gishtin drejt dhelprës së grekut. Ca dëftojnë gjarpërimin e shqave (serbëve), ca të tjerë emërojnë me zë të ulët trasherin e halldupëve (turqve).”… Vijon.

Kjo ishte Albania dhe ky ishte kryeshkronjësi Faik Konica. Kam fatin ti kem në arkivin dhe bibliotekën time tim të 122 numrat dhe që për mua janë një thesar. Kur lexoj që Faik beun e akuzonin për dembel e besoj pakës sepse nuk la asnjë libër të shkruar dhe Imzot Noli ia përmendte shpesh. Përgjigja e Konicës ishte: Imzot, ja i shkrujta, kush do ti këndojë? Atje në qiell ku është tani ndoshta qesh se pas një shekulli ne shqiptarët e tij kemi filluar t’ia lexojmë me endje ato që nuk ia lexuan të freskëta. 

Megjithatë, ai që ka drejtuar një gazetë e di mirë se çfarë do të thotë ta përgatisësh, ta drejtosh dhe ta botosh atë. Vetëm dembel nuk mund ti thuash “dreqtorit” Faik Konica. “Albania” e kundërshortin këtë. Është një monument dhe gazeta më e mirë e të gjithë historisë së medias. Ta ruajmë duke e lexuar!

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë