Kur Meta flet kundër Berishës

Kur Meta flet kundër Berishës
Ndërsa Berisha zyrtarizonte nismën e referendumit për imunitetet, Meta kërkonte një zgjidhje të shpejtë brenda shtatorit. Një kundërshti që paralajmëron, ashtu
siç pritej, një sezon interesant deri në zgjedhje. Në sfondin e takimit të Tetovës Rama-Meta, qëndrimet kontradiktore të liderëve të maxhorancës krijojnë iluzione të reja tek e majta. Është e vështirë të besohet se kryetari i LSI-së preferon Ramën përpara Berishës, por llogaritë elektorale mund ta çojnë gomonen e kuqe të Metës sa në një breg në tjetrin.

Berisha, me referendumin, kërkon ta shfrytëzojë politikisht deri në fund hezitimin e socialistëve të 20 ditëve më parë. Megjithëse është e qartë për të gjithë që socialistët do ta votojnë në fillim të shtatorit draftin konensual për kufizimin e imunitetit, Berisha insiston tek referendumi, pa menduar për afatet që, sipas tij, mund të rrezikojnë integrimin. Vetë kryeministri kërkoi votimin në gusht të draftit, për shkak të axhendës së integrimit.

Në mes të shtatorit fillon hartimi i progres-raportit në Bruksel dhe imuniteti duhet të përfshihej si objektiv i arritur sa më parë. Tani që ka të sigurtë fillimin e shtatorit, Berisha kërkon shtyrjen e mëtejshme duke inicuar referendumin. Pak gjasa ka që referendumi të mbahet vërtetë, por gjithsesi tregon se kryeministri që duhet të merret me integrimin, preferon më shumë lojën dhe luftën politike.
Ndërsa Meta, kërkoi një marrëveshje sa më të shpejtë në shtator dhe dukej sikur i drejtohej më shumë Berishës se Ramës, kur tha se kjo çështje nuk duhet shfrytëzuar për qëllime politike. Një qëndrim që kujton prillin e këtij viti. Pikërisht 2 muaj përpara zgjedhjes së presidentit, Meta krijoji një distancë me Berishën. Votat e LSI jashtë maxhorancës krijuan një situatë të paqartë për të ardhmen e qeverisë, situatë që u kthye në kërcënim pas takimit të fshehtë të Metës me Ramën në fillim të majit. Sot, pas takimit jozyrtar në Maqedoni mes të dyve, Meta është përsëri përballë Berishës, përsëri për një çështje të rëndësishme.
I njëjti iluzion që vërshoi me shpejtësi nëpër mendjet e mijëra socialistëve apo opozitarëve, mund të rikthehet tani bashkë me të nxehtin afrikan. Meta bashkohet me opozitën dhe llogaritë e zgjedhjeve janë të mbyllura me largimin e Berishës. Por a është i interesuar Meta për këtë, apo është një lëvizje tjetër për të marrë prapë diçka nga Berisha? Llogaritë e sakta janë në bllokun e kreyatrit të LSI-së, por ato që duken nuk lënë vend për iluzione të tilla. E para është që kundërshtari më i madh politik i Metës nuk është Berisha, por Rama. Po nuk mundi Partinë Socialiste, ose po nuk u bë lider i saj ish – kryeministri nuk mund të realizojë ëndrrën për rikthimin në zyrën nga iku në shkurt të vitit 2002. Mund të kthehet në krye të qeverisë, vetëm nëse bie dakort me Ramën që t’i japë LSI-së kryeministrin. Kjo duket e pamundur, ashtu siç duket e pamundur që Rama t’i ofrojë Metës më shumë pushtet se ç’i ka dhënë Berisha sot. LSI ka 20 për qind të pushtetit me lirinë që ta përdorë si pronë private. Në 3 vjet pushtet ka ndërruar më shumë ministra se PD-ja. Ndryshimet e fundit e çuan përfaqësimin politik në nivele të më të ulëta, pasi e shndërruan Ministrinë e Jashtme në zyrën e një partie të vogël. Në pushtet qëndror e lokal, zyrtarët e LSI-së janë më të akuzuarit për korrupsion, shumë prej tyre janë arrestuar dhe më pas janë liruar. LSI merr nga 20 për qindëshi i pushtetit gjithçka që lejon dhe nuk lejon ligji. Një marrëveshje e tillë mund të arrihet dhe me Ramën për hir të fitores së zgjedhjeve, por më shumë se kaq nuk mund t’i japë askush. 20 për qindëshi nuk është arsye për Metën që të ndahet me Berishën.

Nëse Ramës i duhet Meta patjetër për të fituar zgjedhjet e ardhshme, duhet t’i japë përtej asaj që i lejohet. Ndryshe takimet e të dyve do të shërbejnë vetëm si presion për Berishën. Në prill Meta i kërkoi Berishës të mos çonte Topallin në Presidencë. U bë faktor në një çështje të brendshme të PD-së dhe ia arriti. Edhe me ndihmën e Ramës. Nga shtatori deri në nëntor ndahet vendi i anëtarit të KQZ-së, vende në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese dhe Prokurori i përgjithshëm. Për të marrë sa më shumë nga këto, Metës do t’i duhet të bëjë sa më shumë deklarata kundër Berishës dhe sa më shumë takime me Ramën.

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta