Kur’ani, ja 20 fakte që nuk i dini për vonesën e ardhjes së tij në shqip! Esencë-Report Tv

Eljan Tanini: Shqiptarët dhe Kur’ani kanë një lidhje sa të ngrohtë dhe të ftohtë, sa mes hallesh po ashtu edhe mes rrëmimesh, mes politikës moniste për të shuar çdo gjë dhe mes përpjekjesh demokratike për të krijuar çdo gjë, mes dëshirës për të patur një libër të vetëm prej Kur’ani dhe hapësirës mbi të cilën ka disa libra prej Kur’ani në gjuhën shqipe nga vullnete të ndryshme, që unë besoj se thelbi i përhapjes së tyre ka nisur për mirë.

Por, çfarë nuk dimë ende ne shqiptarët për Kur’anin, çfarë kemi trazuar ne kaq shumë sa ky libër i shenjtë ka ardhur me vonesë të madhe në gjuhën shqipe?

Çfarë thotë në lidhje me këto fakte të përmendura me sipër Lauren Luli, Myftiu i Tiranës?

Lauren Luli: Kurani është shpallja hyjnore të cilin Allahu i lartësuar nëpërmjet Xhebrailit ia zbriti Profetit A.s. brenda 23 viteve si përkujtues, qortues dhe udhëzues i njeriut drejt të së mirës dhe lumturisë jo vetëm në këtë botë por edhe në botën e amshuar. Ky libër Hyjnor është drita e udhëzimit, dera e mëshires dhe e shpresës për gjithë njerëzimin.

I dërguar i Allahut Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë Mbi Të u drejtohej shokeve të tij në ditët e fundit të jetës duke u thënë:

تَرَكْتُ فِيكُمْ أَمْرَيْنِ لَنْ تَضِلُّوا مَا تَمَسَّكْتُمْ بِهِمَا: كِتَابَ اللهِ وَسُنَّةَ نَبِيِّه

Kam lënë për ju dy gjëra të cilave nëse u përmbaheni kurrë nuk do të devijoni nga rruga e drejtë. Ato janë Libri i Allahut dhe syneti im.

Ishte pikërisht frymëzimi nga kjo fjalë që i bëri sahabet e nderuar të merrnin masat e menjëhershme pas ndarjes nga jeta e Profetit që ta mblidhnin kuranin në një Mushaf të vetëm dhe ta ruanin atë si emanetin më të madh të lënë nga i Dërguari i Allahut. Po, i dolën për zot në mënyrën më të mirë kuranit. Aq sa edhe tani në këtë moment kur flasim për kuranin i falënderojmë ata që na e bënë kaq të kollajtë që ta kemi të gjithë shpalljen hyjnore në dorë dhe lehtesisht të lexuar.

1. Përkthimi i Kuranit (me koment) nga gjuha arabe në gjuhët e tjera ka lindur si nevojë e popujve myslimanë, të cilët nuk e kanë arabishten gjuhën e tyre të nënës. Ky fakt evidentohet që në kohën e Profetit Muhamed (a.s.) ku Selman el-Farisi, me lejen e tij, kishte përkthyer suren Fatiha në gjuhën perse. Edhe më vonë vijojnë përkthimet e Kuranit Famëlartë në gjuhë të ndryshme për të kuptuar mesazhin dhe urdhrat e Allahut. Por ndërkohë që germat, gjuha, tradita dhe pozita gjeografike na bëri të panjohur me këtë kuran, ne si shqiptare a i morëm masat urgjente për ta perqafuar këtë libër apo mbetëm për një kohë të gjatë të ndarë nga ai? Pikërisht këtu lind pyetja a mbetem vonë ne shqiptaret në njohjen e Kuranit në gjuhën tonë apo jo? Ndërkohë kur bota u njoh më herët me kuranin duke u perkthyer në shumë gjuhë si italisht, gjermanisht, frengjisht rusisht etj. që në fillim të viteve 1100 dhe për disa shekuj do te avanconte, shqipja,  fatkeqësisht e njohu shumë vonë atë. 

2. Në gjuhën shqipe përkthimet e para të sureve dhe ajete të Kuranit janë bërë nga intelektuali dhe poeti i madh i letrave shqipe, Naim Frashëri në librin e tij me titull “Thelb’ i Kur’anit”, që është botuar në veprën e tij “Mesime” në vitin 1886.

3. Përkthyes i disa pjesëve të Kuranit në gjuhën shqipe më 1921 është edhe Ilo M. Qafëzezi, i cili merr për bazë përkthimin e Kuranit në gjuhën angleze të autorit Georg Sale. Me sa duket ky përkthim është bërë me qëllime jo të mira prandaj dhe ka marrë një sërë kritikash nga dijetarët më të njohur të kohës.

4. Ajo qe ja vlen për të përmendur është kritika e kryemiftiut të kohës Haxhi Vehbi Dibrës dhe  Z. Haki Sharofi që në atë kohë ishte drejtori i revistës `Zani I Naltë`. Ky I fundit do të bëjë edhe një deklaratë të fortë ndaj këtij përkthimi i cili është botuar në këtë revistë në vitin 1933. Ai e kritikonte Qafzezin duke thënë se …Qafzezi nuk ka pasur seriozitet në përkthimin e Kuranit, pasi s’ka pas respekt për këtë libër qiellor…

5. Më vonë bëhen përkthime dhe komentime të pjesshme të Kuranit nga H. Ali Korça disa prej të cilave janë botuar në revistën `Zani i Naltë` revistë e cila vazhdon të botohet edhe sot nga KMSH pas një ndërprerje disa vjeçare. Në kompletin e botuar nga shtëpia botuese Logos-A janë mbledhur në një libër përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe. Në shënimet dhe studimet për biografinë e H. Aliut thuhet se ka bërë komentimin e gjithë Kuranit, por fatkeqësisht ato nuk i mbijetuan regjimit komunist.

6. Në këtë fushë shquhet dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, si me përkthimin e disa sureve në gjuhën shqipe, po ashtu edhe me komentimin, të cilin e ka titulluar “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”, vepër e botuar në vitin 1929.

7. Disa pjesë të Kuranit në gjuhën shqipe janë përkthyer edhe nga H. Abdulla Zemblaku, Ferit Vokopola etj.

8. Përkthimi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe njihet ai i akademikut kosovar Feti Mehdiu, në vitin 1984. Ky përkthim botohet në vitin 1985 nga Bashkësia Islame e Kosovës me titullin “Kur’an-i”.

9. Tre vite më vonë pason përkthimi i Hasan Nahit në vitin 1988. I titulluar `Kurani i Madhëruar` dhe po në të njëjtin vit përkthimi i Sherif Ahmetit. Ky i fundit mban titullin “Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe”, i botuar në vitin 1988 nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës dhe është përkthimi më i përhapur i Kuranit në gjuhën shqipe. Më pas do të pasonin përkthime të tjera të Kuranit nga autorë të ndryshëm.

10. Duke u nisur nga një kerkim i myftiut të qytetit të Krujes z. Ledian Cikalleshi i cili është botuar në revistën Drita Islame` dhe nga kontaktet e mija me Haxhi Xhevdet Blakçori rezulton se, përkthimi i plotë i parë i Kuranit nga fillimi deri në fund në gjuhën shqipe është bërë nga Muharrem Blakçori, një patriot shqiptar nga Peja që ka banuar në Kavajë. Pra Gjyshi i Xhevdet Blakçorit i cili dispnon sot dorëshkrimet.

11. Përkthimi i tij i Kuranit ka përfunduar në vitin 1968 gjatë periudhës së regjimit komunist, rreth 16 vjet para përkthimit të Feti Mehdiut. Ky përkthim për shumë arsye nuk ka mundur të gjejë dritën e botimit dhe është ende në dorëshkrim, i ruajtur me fanatizëm nga nipi i tij. Dhe i dixhitalizuar nga një shtëpi botuese në Shqipëri e cila ka shprehur deshirën ta botojë.

12. Po kush është Muharrem Blakçori?

Muharrem Blakçori lindi në Pejë në vitin 1894 në një familje zejtare. Mësoi herët të lexojë e shkruajë gjuhën shqipe dhe u shqua për zellin në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në shtëpitë e bashkëqytetarëve. Ndoqi 4 vjet studime në një medrese në Pejë ku mësoi gjuhën arabe, turke dhe perse. Më pas me vullnet të fortë arriti t’i perfeksiononte këto gjuhë.

U përndoq nga pushtuesit serbë dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit të egër kapërcen kufirin dhe vjen në Shqipëri. Emërohet mësues në Shijak e më pas në Kavajë, ku merr pjesë aktive në Shoqërinë “Bashkimi” duke dhënë ndihmesën e vet në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924.

Në vitin 1941 shkon në vendlindjen e vet në Pejë dhe hap të parën shkollë shqipe. Në vitet 1960-1968 ndërmori përkthimin Kuranit e “Historisë islame”, “Akaidi dhe fiku”, Fjalor arabisht-shqip”(me rreth 2000 fjalë), vepra të cilat ua la dorëshkrim trashëgimtarëve të vet. Ndërroi jetë në vitin 1968 i pezmatuar për ndalimin e fesë.

Përkthimi është i përbërë nga katër fletore të mëdha, që të gjitha në dorëshkrim. Fletorja e parë ka 190 faqe, e dyta 730 faqe, e treta 921 faqe dhe e katërta 1168 faqe. Gjithsej 3019 faqe.

Të gjitha suret e Kuranit janë të përkthyera sipas radhës, nga ‘Fatiha’-ja deri tek sureja ‘Nas’ dhe të ndara në xhuze. Çdo sure e fillon me emrin e saj në arabisht dhe shkronja latine. Më pas jep informacione për çdo sure, sa ajete përmban, në ç’vend është zbritur (Mekë-Medinë) dhe shkakun e zbritjes nëse ka. Pastaj ajetin/et e shkruan në arabisht, më pas shqiptimin me shkronja latine dhe në fund përkthimin.

13. Migjithëse kemi shumë studies të cilët kanë marrë iniciativën për përkthimin e kuranit në gjuhën shqipe, sot ndërkohë që ndodhemi në shekullin e 21 ndjejmë sërish nevojën për një botim të kuranit të përkthyer në një formë të përshtatshme me kohën tonë. Vetë fakti që botimi i parë është bërë shumë vonë do të thotë se ne kemi mbetur shume vonë në këtë fushë dhe arsyet të cilat mund të përmenden janë: Arsyeja Gjeo Politike, Arsyeja Ekonomike, Arsyeja e Gjuhës dhe Arsimit.

14. Sipas studiuesit Xhemal Balla njëkohesisht ish nxenesi i H. Ibrahim Dalliut, fillimet e shekullit të 20 ishin periudha më e artë në të cilën mund të përkthehej kur`ani. Për arsyen se kishte një prurje kuadrosh të mirëfilltë që e njihnin mirë gjuhën arabe dhe se kishin pregatitje arsimore të nevojshme për këtë çështje. Por perseri niveli i arsimit dhe njohja e gjuhës nga ana e teologëve të cilët jetonin në këto vite nuk ishte elementi i vetëm që do ti ndihmonte në përfundimin e plotë të kuranit.

15. Duhet evidentuar se në vitet 30-40 të shekullit të kaluar ka patur shumë personalitete që janë marrë me përkthimet e kuranit, por fatkeqësisht puna e tyre nuk pa dritën e botimit, ose në rastet më të mira u botua pjesërisht në shtypin e kohës.

16. Kështu që deri në vitet 44 pati një prodhim të literaturës fetare si dhe u botuan disa punime në përkthimin dhe komentimin e kuranit. Këtu ia vlen të përmenden komentimet e pjesshme të H. Ali Korçës të cilat botoheshin në revisten Zani i Naltë si dhe botimet e Hafiz Ibrahim Dalliut. Studiuesi i njohur Ali Musa Basha thekson se Hafiz Ali Korça sëbashku me Hafiz Ibrahim Dalliun janë teologët që vunë mbi baza të shëndosha gurët e themelit të botimit të librave islame, origjinale dhe të përkthyer në gjuhen shqipe, si në tematikën e zgjedhur dhe për titujt e botuar.

17. Mirë po meqenëse përkthimi i kuranit kërkon një punë sistematike e afatgjatë ka nevojë edhe për mbështetje ekonomike të cilat në këtë periudhe ishin tepër të pakta. Kështu që Këshilli i Ulemave edhe meqenëse mori një sërë iniciativash në fushën e prodhimit të literaturës fetare, nuk mbështeti ekonomikisht mjaftueshëm këta dijetarë që të vazhdonin studimet e tyre dhe së dyti nuk pati një rol studimor që do të lehtësonte rrugën drejt përkthimit të kuranit.  Duke marrë parasysh se gjatë viteve 30-40 orët e mësimit të përcaktuar për mësimin e shkronjave të alfabetit të arabishtes ishte i pamjaftueshëm dhe se po vështirësohej mësimi i leximit të kuranit në arabisht në shkollat shtetërore, ku gjendej pjesa më e madhe e fëmijëve të familjeve myslimane dhe duke dashur të përfitojnë nga masat sistematike që ka marre shteti për zhdukjen e analfabetizmit, Këshilli i Përgjithshëm vendosi botimin e Kuranit me shkronja kombëtare (transkriptim i origjinalit në arabisht dhe përkthimi në shqip), duke siguruar rregullat fonetike, sepse në këtë mënyrë do të mund të lexojnë kuranin lehtësisht të gjithë ata që do të dalin nga shkollat e shtetit, pa patur nevojë për sakrifica të tjera të komunitetit. Për këtë qëllim Këshilli vendosi gjithashtu, formimin e një komisioni të përbërë nga zotërinjtë: Ferit Vokopola, Ahmet Hastopalli, Hafiz Xhaferri, Muharrem Mullaj, Idriz Mingo, Hafiz Ali Korça dhe Salih Vuçiterna, të cilët do të kenë për detyrë të sigurojnë mënyrën e këndimit me shkronjat kombëtare . Sipas arkivave mësohet se është bërë një punim i tillë por nuk dihet se a ka përfunduar apo jo, edhe nëse ka përfunduar nuk e ka parë dritën e botimit.

18. Në vitet 44-67 dhe më pas deri në vitin 90 pati një frenim në fushën e prodhimit të literaturës fetare. Politika dhe regjimi i kohës e ndaloi kategorikisht aktivitetin fetar dhe kështu u ndalua edhe prodhimi i literaturës fetare. Në vitin 1953 u ndërruan mësuesit e medreseve nga të cilat dilnin kuadrot fetarë dhe kështu figura të njohura si Ibrahim Dalliu, Mahmud Dashi do të pengoheshin nga rruga e kultivimit të brezave fetarë. Kur pyetej Mahmud Dashi në lidhje me këtë gjendje ai me gjuhën e tij të vjetër thoshte: `Babe Kumbullën që ka kokrra e gjujnë kalamojt`.

19. Jo vetëm kaq por gjatë kësaj periudhe, një pjesë e mirë e ulemave të cilët kishin aftësinë për të përkthyer kuranin ose u pushkatuan ose u burgosën dhe mundësia më e mirë u internuan. Kështu që u bë tepër e veshtirë angazhimi i tyre në përkthimin e kuranit. Jo vetëm kaq por edhe mbështetja ekonomike linte për të dëshiruar sa, njerëz si H. Ali Korça në dorëshkrimet e tij thekson se nuk mundi dot ti botonte punimet e tij për arsye ekonomike.

20. Gjendja nuk është më e mirë edhe në vitet pas komunizmit. Kemi pothuaj 25 vite në të cilat kemi vetëm korrigjime dhe përmirësime të punimeve të dijetarëve të mëparshëm dhe akoma një punim të mirëfilltë origjinal të përfunduar nga fillimi e deri në fund. Problemet e kuadrit me nivel teologjik të përshtatshëm për përkthimin e kuranit janë shumë të paktë. Jo vetëm kaq por dhe mbështetja ekonomike vihet re se nuk është në nivelet e kërkuara. Dhe për ta përfunduar, edhe pse në liri të plotë për ta përkthyer kuranin, përsëri jemi shumë vonë në arritjen e një përkthimi të qartë, pa devijime kuptimore, dhe me një koment të shkurtër për të mos lënë asnjë mundësi keqinterpretimi.

Duke shpresuar se serioziteti dhe këmbëngulja e dijetarëve tonë do të rrezatojnë tek ne në frymëzimin për ti dalë për zot Kuranit Famëlartë, ju falënderoj për vëmendjen dhe durimin e tuaj.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit