Personi i maskuar me kapuç në kokë që del nga vendi i shoferit, qëlloi me armë drejt Mondi Mëhallës sapo 43-vjeçari kishte hipur në makinën Range Rover, pranë karburantit të tij “Xhaxhi Oil”, më 30 nëntor në Elbasan. Video e siguruar nga Report Tv e momentit të vrasjes së 43-vjeçarit, dukshëm tregon se në ekzekutim mund të ketë marrë pjesë një person i vetëm. Vrasësi del nga vendi i shoferit dhe pasi kryen misionin, hipën sërish në timon e largohet me makinën Audi i zi, ndryshe nga skemat e mirëfillta të atentateve me më shumë se 2 bashkëpunëtorë në terren, kur ekzekutori del nga vendi i pasagjerit, e të tjerët e presin në automjet për tu larguar më shpejtësi.
Agresori afrohet te xhami i shoferit me pistoletë në dorë, në një distancë minimale dhe qëllon të paktën 6 herë. Mëhalla, i goditur tashmë nga 2 plumba në kokë, tenton të lëviz me makinën indietro për vetëm 1 metër. Vrasësi gjakftohtë kthehet në makinë, dhe mes për mes karburantit lëviz në drejtim të rrugës së Librazhdit, dhe në fshatin Mirakë shkrumbon makinën bashkë me pistoletën e krimit.
Hetuesit ende nuk e dinë se kush është ekzekutori në këtë video, edhe pse deri më tani 3 persona të dyshuar, janë në pranga. Nuk dihet nëse ekzekutori është mes tyre. Por të paktën njëri, i arrestuari i akuzuar për vrasje me paramendim në bashkëpunim, ish-ortaku i Mëhallës, Xhino Ago, nuk ka pranuar të ketë lidhje me vrasjen. Prej vitit 2022, të dy kanë pasur marrëdhënie biznesi në dhënien me qira dhe makinave, taksive dhe te karburanti.
Roja i karburantit, Kujtim Pisha, akuzohet për moskallëzim krimi, dhe as prej tij nuk është marrë asnjë detaj që mund të ndihmojë hetuesit të zbulojnë ekzekutorin dhe motivin e vrasjes së Mondi Mëhallës.
I treti në pranga, edh Nevzat Spaho, 29-vjeçar nga Prrenjasi nuk po i ndihmon hetuesit, pasi ka refuzuar të dëshmojë.
Dy të arrestuarit e parë, ish-ortaku dhe roja, do të dalin para gjykatës së Elbasanit më 5 dhjetor për t'u njohur me masën e sigurisë. Policia vijon të ketë në kërkim 2 persona, Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç.
Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, mund të jetë vrarë për shkaqe biznesi, por nuk përjashtohet mundësia e eliminimin për prishje të pazareve të drogës..
Komente









