Repolitix në Report Tv u transmetua sondazhi i gjashtë dhe i fundit i Institutit prestigjioz 'Piepoli' për zgjedhjet e 14 majit. Instituti italian ‘Piepoli’ që parashikoi saktë 4 zgjedhjet e fundit në Shqipëri solli 'fotografimin' e situatës së votës në 6 bashkitë më të rëndësishme të vendit, kur duhen edhe pak ditë nga dita e votimit. 

Nëse do të votohej sot Partia Socialiste do të korrte fitoren në 5 nga 6 bashki kryesore në vend, teksa ka ngushtuar ndjeshëm diferencën në kryeqendrën e veriut Shkodrën duke e bërë garën interesante edhe atje mes Benet Becit dhe Bardh Spahiajt. Ky është rezultati i sondazhit të fundit të Instituti prestigjioz Piepoli në bashkëpunim me Report Tv për bashkitë Tiranë, Shkodër, Elbasan, Durrës, Lezhë dhe Korçë.

Kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga zgjedhjet e 14 majit, Erion Veliaj vijon të mbajë avantazhin e thellë me rivalin e tij kryesor për garën për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. 49-53% e qytetarëve në Tiranë do të votonin për Erion Veliajn si kryetar bashkie për t’i besuar një mandat të tretë, ndërkohë që Belind Këlliçi do të merrte 37-41% të votave, me një rritje për 2% krahasuar me 1 javë më parë por larg të qenit ‘kockë’ e fortë. Sa i përket garës për Këshillin Bashkiak Partia Socialiste ruan bindshëm shumicën në Tiranë me 48-52% të votave ndërkohë që vetëm 34 deri në 37% të pyeturve nga Instituti Piepoli janë përgjigjur se do të votonin koalicionin Berisha-Meta në zgjedhjet e 14 Majit.

Gara interesante pritet të jenë në 2 prej bashkive që në sondazhet e kaluara ishin të ‘betonizuara’. Në Shkodër për vetëm 4 javë fushatë elektorale Benet Beci dhe Partia Socialiste kanë rikuperuar 8% të votave, e cila cilësohet si kalaja e fundit për socialistët. Gara është bërë shumë e ngushtë me Benet Becin që mund të arrijë 46-50% të votave por që rivali i rij Bardh Spahia shkon deri në 54%. Shkodra duket nuk do të arrijë ‘të thyhet’ nga socialistët as në zgjedhjet e 14 majit edhe pse tashmë gara është shumë e fortë. Sa i përket Këshillit Bashkiak ‘Bashkë Fitojmë’ marrin shumicën me 48-52% të votës së qytetarëve. Lezha nga ana tjetër është e kundërta. Me kandidatin e koalicionit Berisha-Meta që ka rikuperuar 9 pikë krahasuar me sondazhin e kaluar dhe tashmë gara është bërë shumë e fortë. Pjerin Ndreu vijon të udhëheqë me 49-53% të votave, ndërkohë që rivali i tij tashmë është në kuotat e 45-49% të votave. Edhe  gara për Këshillin Bashkiak është e ngushtë në Lezhë me socialistët që ruajnë vendin e parë.

Gara e rëndësishme më 14 maj është edhe në Bashkinë e Durrësit, ku pritet të ketë një betejë të fortë mes kryebashkiakes aktuale, Emirjana Sakos dhe Igli Carës të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ të Berisha-Meta. Sako ka rritur mbështetjen duke shkuar në 50-54% të votave dhe hedh kështu një hap të rëndësishëm në fitoren përballë Igli Carës së dyshes Berisha-Meta që shkon 46 deri në 50% të votave. Partia Socialiste është rritur edhe si forcë politike në Durrës dhe pritet që më 14 maj të korrë një fitore të rëndësishme edhe për Këshillin Bashkiak me 47-51% të votave.

Pa histori duket gara në bashkitë e Korçës dhe të Elbasanit. Edhe pse 2 bashki shumë të rëndësishme ku opozita kishte vendosur forcat e saj, sidomos në Elbasan, pritet që socialistët t’i fitojnë ato me lehtësi. Në Elbasan Luçiano Boçi nuk do të mundet të bëjë surprizën, edhe pse erdhi në këtë garë si nënkryetar i ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës.  Sipas sondazhit të Piepolit, 53-57% e qytetarëve të anketuar do të votonin socialistin Llatja për një tjetër mandat në krye të bashkisë. Kandidati i Berisha-Meta nuk do t’i kalonte 45% të votave. PS gjithashtu do të merrte lehtësisht edhe Këshillin Bashkiak në Elbasan me 50-54% të votave.

Sa i takon Korçës situata duket edhe më e qartë. Sipas rezultateve të sondazhit të Institutit prestigjioz italian ‘Piepoli’, kandidati i Partisë Socialiste Sotiraq Filo duket sikur e ka çimentuar fitoren me minimalisht 53 deri në 57% të votave e ndërsa ka një diferencë të madhe nga kandidatja i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ledina Alolli, e cila parashikohet të marrë 43 deri në 47% të votave.

Më poshtë rezultatet e 5 sondazheve të kaluara të Institutit italian Piepoli të transmetuara në Report Tv:  

Rezultatet e sondazhit të publikuar më 29 mars në Report Tv: SONDAZHI 1 
Rezultatet e sondazhit  të publikuar më 12 prill në Report Tv: SONDAZHI 2
Rezultatet e sondazhit  të publikuar më 19 prill në Report Tv: SONDAZHI 3
Rezultatet e sondazhit të publikuar më 26 prill në Report Tv: SONDAZHI 4
Rezultatet e sondazhit të publikuar më 3 prill në Report Tv: SONDAZHI 5

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:35
Në Korçë PS merr shumicën e këshillit bashkiak, Berisha-Meta rriten me 4 pikë, por s’i kalojnë 36%! PD bie në më pak se 10%

Nëse do të votohej sot, Partia Socialiste do të merrte shumicën absolute të vota në Bashkinë e Korçës, duke marrë kështu edhe shumicën në Këshillin Bashkiak. 50 deri në 54% e qytetarëve korçarë të pyetur nga Instituti Piepoli në sondazhin në bashkëpunim me Report Tv thonë se do të votojnë PS-në më 14 Maj. Është e njëjta shifër si sondazhi i 2 javëve më parë, ai i 26 prillit për këtë bashki. Ndërkohë që Koalicioni i Berisha-Meta është rritur me 4% në mbështetje të cilën ia ka marrë Partisë Demokratike, por nuk i kalon 39%, ndërkohë që PD e Enkelejd Alibeajt ‘luan në ujërat’ e 6 nderi në 10%/. Nga ana tjetër, jo më shumë se 1% merr PSD e Tom Doshit dhe partitë e tjera të përfshira në garë.

Ora 23:34
Sondazhi i Piepoli/ Filo i PS nuk e diskuton fitoren në Korçë, merr minimalisht 53% të votave, kandidatja e Berisha-Meta jo më shumë se 47%

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo duket sikur e ka çimentuar fitoren më 14 maj. Edhe pse ka rënë me 1% krahasuar me sondazhin e 2 javëve më parë, sipas rezultatit të sondazhit të fundit të Institutit Piepoli në Report Tv ai merr 53 deri në 57% të votave e ndërsa e ndërsa ka një diferencë të madhe nga kandidatja i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ledina Alolli, e cila parashikohet të marrë 43 deri në 47% të votave.

Ora 23:28
Sotiraq Filo i PS fushatë më efektive, 48% e korçarëve thonë se ndryshuan mendje në favor të tij! 42% për Alollin e BF

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga dita e zgjedhjeve, qytetarët e kanë “ndarë mendjen” se për kë do të votojnë dhe e gjitha puna ‘propagandistike’ e palëve politike tashmë i ka dhënë ‘frytet’. Në Korccë fushata më e vlerësuar është ajo e kandidatit socialist Sotiraq Filo pasi të pyetur nga Instituti Piepoli për sondazhin në bashkëpunimin me Report Tv 49% e qytetarëve thonë se kanë ndryshuar mendje në favor të tij. Në favor të rivales së ‘Bashkë Fitojmë’ Ledina Alolli janë shprehur 42% e të pyeturve ndërkohë që 8% kanë thënë se asnjëri nuk ka ndikuar për t’i ndryshuar mendje.

Ora 23:25
Sondazhi i Piepoli/ PS fiton në Elbasan edhe garën për Këshillin, ruan bindshëm epërsinë! PD forcë e tretë, 'Bashkë Fitojmë' s'i kalon 36%

Vetëm 5 ditë para zgjedhjeve të 14 majit, ditë kur qytetarët e Elbasanit do të votojnë për kryebashkiakun dhe këshillat bashkiakë, PS del në sondazhe fituese e ‘vendoreve’ 2023 në bashkinë e Elbasanit. Sipas sondazhit të Piepolit të publikuar këtë të martë në Report Tv, PS renditet forcë e parë duke ruajtur ndjeshëm edhe epërsinë mbi subjektet e tjera në garë, me 50-54% të votave. PS ruan këtë rezultat edhe në raport me matjet e 3 javëve më parë të Institutit Piepoli.  Ndërkohë forcë e dytë në këtë bashki renditet koalicioni “Bashkë Fitojmë” me 34-36%. Koalicioni i Metës e Berishës ka një rritje të lehtë në krahasim me sondazhin e 3 javëve më parë, por gjithsesi shumë larg socialistëve. PD pëson sërish ulje, duke u renditur forcë e tretë në Elbasan me 6-10%, PSD 0-1% ndërsa PDIU 0-2%. Forca të tjera të vogla, si Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Aleanca Progresiste LZHK pritet të mos i kalojnë gjithashtu 1% e votave në këto zgjedhje.  Në këtë bashki, rezultati pritet të mësohet ndër të parët në vend, për shkak se do të implementohet numërimi elektronik i votave.

Ora 23:24
Sondazhi i Piepolit/ Në Elbasan nuk ka dilema, bashkia mbetet në dorën e Gledian Llatjas të PS! Luçiano Boçi i koalicionit opozitar larg fitores

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, pra vetëm 5 ditë nga data e zgjedhjeve, në Elbasan bashkia do të mbetej në dorën e kryebashkiakut aktual dhe kandidatit të PS Gledian Llatjas. Sipas sondazhit të Piepolit, 53-57% e qytetarëve të anketuar do të votonin Llatjan për një tjetër mandat në krye të bashkisë. Larg fitores, me 41-45% të votave renditet Luçiano Boçi, i vetmi rival që Llatja ka përballë i nxjerrë nga koalicioni i Berishës dhe Metës “Bashkë Fitojmë”.  Ndërkohë vetëm 1-3% e të anketuarve thonë se nuk do të votonin asnjërin, shifër që ulet krahasuar me projeksionin e 3 javëve më parë, ku 9-13% e të anketuarve shpreheshin se nuk do të votonin asnjë prej 2 kandidatëve në garë.

Ora 23:23
Sondazhi/ Fushata e Gledian Llatjas ‘më efektive’ në Elbasan! 47% e qytetarëve u bindën në favor të tij, 43% vlerësojnë Boçin! 9% thonë asnjëri

Pjesa më e madhe e qytetarëve të Elbasanit vlerësojnë fushatën e kandidatit socialist Gledian Llatjas si më efektive, që duket se ka ndikuar për t’u bindur edhe për votën në drejtim të kryebashkiakut aktual. Të pyetur nga Instituti Piepoli, se fushata e cilit kandidat iu ka ndryshuar mendim në favor të tyre, 47% e qytetarëve shprehen se ajo e Gledian Llatjas. Ndërkohë 4% më pak, pra 43% e të pyeturve thonë se fushata e Luçiano Boçit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka ndikuar në favor të tij.  9% e të anketuarve, thonë se nuk i ka bindur fushata e asnjërit prej 2 kandidatëve në garën për Elbasanin. 

Ora 23:10
Gara për Këshillin, PS ruan shumicën absolute në Tiranë, Berisha-Meta rriten me 1% por mbeten nën 38%! PD s’i kalon 11%

Partia Socialiste ruan bindshëm shumicën në Tiranë. Ashtu si edhe në të gjitha sondazhet e deritanishme ku është matur opinioni në kryeqytet PS ruan shumicën absolute. Në sondazhin e fundit të institutit Piepoli në bashkëpunim me Report Tv 48 deri në 52% të të pyeturve thonë se do të votojnë për Partinë Socialiste, e njëjta përqindje si në sondazhin e javës së kaluar por edhe e 2 javëve më parë, ai i 19 prillit. Ndërkohë që vetëm 34 deri në 37% të pyeturve nga Instituti Piepoli janë përgjigjur se do të votonin koalicionin Berisha-Meta në zgjedhjet e 14 Majit, me një rritje me 1% krahasuar më matjen e 19 prillit 2023.  Kjo rritje e ‘Bashkë Fitojmë’ janë vota të marra nga Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt e cila ka rënë me 1%, 6-10% e të pyeturve janë përgjigjur se do të votonin PD-në. Partitë e tjerë marrin përqindje të pakonsiderueshme.

Ora 22:58
Sondazhi i Piepoli/ Veliaj merr 49-53% të votave, Këlliçi rritet 2 pikë por larg të qenit ‘kockë e fortë’! Bejko jo më shumë se 9%

Erion Veliaj vijon të mbajë avantazhin e thellë me rivalin e tij kryesor për garën për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. Kandidati socialist, njëherazi kryetar aktual, ka qëndruar në të njëjtat kuota krahasuar me një javë më parë.  Sipas rezultateve të përfituara nga sondazhi i institutit italian Piepoli në bashkëpunim me Report Tv, 49-53% e qytetarëve në Tiranë do të votonin për Erion Veliajn si kryetar bashkie për t’i besuar një mandat të tretë.  I dyti në sondazh renditet kandidatit i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçi për të cilin do të votonin 37-41% e qytetarëve të anketuar në Tiranë, nga 35-39% që ishin 1 javë më parë. Ndërsa për kandidatin e Partisë Demokratike, Roland Bejko do të votonin 5-9% e qytetarëve të anketuar, i njëjti rezultat. Sa i përket kandidatëve të tjerë Arlind Qorri Lajla Përnaska mund të shkojnë deri në 2% ndërkohë që Marko Dajti nuk i kalon 1% të votave.

Ora 22:56
14 Maji në Tiranë, 40% e qytetarëve: Veliaj fushatë më të mirë! 36% thonë se Këlliçi ishte më efektiv! 10% asnjëri

40% e qytetarëve të Tiranës mendojnë se Erion Veliaj ka pasur fushatën më efektive deri më tani dhe u ka ndryshuar më shumë mendjen në favor të tij. Ndërkohë që 36% e të pyeturve nga Instituti Piepoli janë shprehur se ka qenë fushata e Këlliçit të koalicionit Berisha-Meta që u ka ndërruar mendjen në favor. Një përqindje e konsiderueshme, 10% e të pyeturve kanë thënë se fushata e askujt nuk ka ndikuar. Edhe kandidati Arlind Qori ka një përqindje të mirë me 3% të të pyeturve në favor të tij.

Ora 22:46
PS rritet me 8% në 4 javë fushatë për këshillin në Shkodër, por shumicë mbetet ‘Bashkë Fitojmë’! Rritet edhe PSD e Doshit

Shkodra është e vetmja nga bashkitë e mëdha ku koalicioni i Berishës dhe Metës pritet të marrë më shumë vende në Këshillat Bashkiakë. Të pyetur nga Instituti “Piepoli”48-52% e qytetarëve në këtë bashki thonë se do të votojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë” që në fletën e votimit do të përfaqësohet me emrin e Ilir Metës, ndërsa PS merr 36-40% të votave duke u rritur ndjeshëm nga matjet e fundit me rreth 8% të votave (sondazhi  i datës 12 prill nxirrte PS 28-32%). Mbështetja për logon zyrtare të PD tkurret në 3-7% nga 6-10% që ishte 4 javë më parë.  Në Shkodër, PSD e Tom Doshit ka një rritje të ndjeshme krahasuar me matjet e rreth një muaji më parë, duke arritur 3-5% të votave sipas sondazhit të Piepoli. Partitë e tjera si PDIU në këtë bashki nuk I kalojnë 2%.

Ora 22:18
Sondazhi/ Benet Beci rritje me 8% në Shkodër, Bardh Spahia kryeson me vetëm 4% votave! Tani gara bëhet e fortë

1683663578_shkoderpiepoli.png

Në vetëm 4 javë fushatë elektorale Benet Beci dhe Partia Socialiste kanë rikuperuar 8% të votave në Bashkinë e Shkodrës, e cila cilësohet si kalaja e fundit te djathtas. Sipas sondazheve të “Piepolit”, Bardh Spahinë shënon akoma një avantazh por vetëm me 4%, pra me pak se marzha i gabimi qe është 4.4%. Projeksionet e 5 ditëve para zgjedhjeve nxjerrin akoma përpara kandidatin e koalicionit të Berishës e Metës në këtë bashki, por me një rënie te dukshme nga matjet e 3 javëve më parë. Kështu, Bardh Spahia pritet të marrë 50-54% të votave, nga 58-62% që ishte 3 javë më parë. Kandidati I PS, Benet Beci pritet të marrë 46-50% të votave duke shënuar rritje nga sondazhi i 3 javëve më parë (38-42%).  Tani beteja është shumë e hapur. Në këtë bashki, Beci dhe Spahia janë të vetmit kandidatë në garë, pasi PD zyrtare zgjodhi që të kandidojë vetëm me këshillat bashkiakë.

Ora 22:17
Sondazhi i Piepolit/ Shkodranët vlerësojnë fushatën e Benet Becit, 59% e të pyeturve: Më ka ndryshuar mendimin! Vetëm 36% për Spahinë

Fushata që Benet Beci ka zgjedhur të bëjë, me shpalosjen e programit të tij e larg akuzave politike, për shkodranët kanë qenë me efektive dhe me më shumë ndikim sesa ajo e rivalit të tij, Bardh Spahisë, i cili jo rrallë herë, takimet elektorale i ka shoqëruar me akuza drejtpërdrejtë për qeverinë.  Të pyetur nga “Piepoli” në këtë sondazh të fundit, në prag-zgjedhje vendore, 59% e qytetarëve thonë se fushata e Benet Becit u ka ndryshuar mendim në favor të tij. Pyetjes se “fushata e cilit kandidat për kryetar bashkie ju ndryshoi mendim në favor në favor të tyre”, u janë përgjigjur ajo e Bardh Spahisë së koalicionit Berisha-Meta 36% e të anketuarve.  Vetëm 1% thonë se fushata nuk ka pasur ndikim tek ta, ndërsa “nuk e di” 4%.

Ora 22:06
Sondazhi i Piepoli/ PS bie me 5% në Lezhë por ruan avantazhin, merr shumicën e Këshillit Bashkiak! Koalicioni Berisha-Meta merr deri në 44%

Partia Socialiste duket se do të marrë një fitore në Bashkinë e Lezhës edhe pse në këto javë fushate ka rënë me 5% mbështetja për të. Sondazhi i Piepolit nxjerr PS fituese në Lezhë me 47-51% (52-56% të votave ishte në matjen e datës 19 prill), e ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” renditet si forcë e dytë. Berisha-Meta, sipas të dhënave të Piepolit, pritet të marrin nga 40-44% të votave, me një rritje prej 6%. Ndërsa PD-ja merr vetëm 5-9% duke qëndruar në të njëjtat kuota si sondazhi i 3 javëve më parë.

Ora 21:53
Sondazhi i Piepolit/ Pjerin Ndreu ruan avantazhin në Lezhë por rivali i tij Pashk Gjoni rritet me 9%, ngushtohet ndjeshëm diferenca

Nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, Pjerin Ndreu do të merrte një mandat të dytë në Bashkinë e Lezhës, por gara nuk do të jetë aq e lehtë sa mendohej. Mbështetja për rivalin e Pjerin Ndreut, Pashk Gjoni i koalicionit Berisha Meta është rritur me 9%, ndërkohë që mbështetja për socialistin ka rënë në 6%. Nëse do të votohej sot Ndreu i PS do të merre 49-53% të votave (55-59% ishte në sondazhin e 19 prillit), ndërkohë që kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë, Pashk Gjoni do të merrte 45 deri në 49% të votave rritje me 9 pikë krahasuar me 36-40% të votave në projeksionin e 3 javëve më parë. Marzhi i gabimit në Lezhë është 4.9%. Duket se Gjoni i BF ka marrë votën e të gjithë të pavendosurve të cilët nga 3-7% kanë zbritur në 1-3%.

Ora 21:52
Kush ka bërë fushatën më të mirë në Lezhë? Pjerin Ndreun dhe Pashk Gjonin i ndan vetëm 1%

47% e qytetarëve të lezhës mendojnë se Pjerin Ndreu i Partisë Socialiste ka pasur fushatën më efektive deri më tani dhe u ka ndryshuar më shumë mendjen në favor të tij. Ndërkohë që vetëm 1% më pak, 46% e të pyeturve nga Instituti Piepoli janë shprehur se ka qenë fushata e Pashk Gjonit të koalicionit Berisha-Meta që u ka ndërruar mendjen në favor të tij. Një përqindje e konsiderueshme, 5% e të pyeturve kanë thënë se fushata e askujt nuk ka ndikuar.

Ora 21:33
Vota për Këshillin në Durrës, PS rrit ndjeshëm diferencën me koalicionin Meta-Berisha! Socialistët shkojnë deri në 51%, ‘BF’ jo më shumë se 46%

Partia Socialiste më 14 maj pritet të korrë një fitore të rëndësishme edhe në Bashkinë e Durrësit, sa i përket votave për këshillin bashkiak. Ndryshe nga sondazhi i 12 prillit në Report Tv kur gara parashikohet të ishte shumë e ngushtë, në sondazhin e kësaj jave të Institutit Piepoli në bashkëpunim me Report Tv socialistët kanë rritur ndjeshëm mbështetjen e tyre me 47-51% të votave krahasuar me 45-49% të 4 javëve më parë. Ndërsa 42-46% e qytetarëve durrsakë janë shprehur se do të votojnë për koalicionin Meta-Berisha, me një rënie me 2% krahasuar me sondazhin e 12 prillit. Partia Demokratike është në të  njëjtat kuota, me vetëm 3-7% të mbështetjes. Partitë e tjera si PSD, PDIU, Aleanca Liberale e Djathtë, sipas sondazhit të ‘Piepoli’-t nuk pritet të kalojnë pragun e 1% të votave.

Ora 21:22
Sondazhi i Piepolit, në Durrës pritet garë e fortë por Sako e PS rritet krahasuar me rivalin Igli Cara! Kandidatja e PS merr 50-54% të votave

Për bashkinë e Durrësit pritet të ketë një garë të fortë mes kryebashkiakes aktuale, Emirjana Sakos dhe Igli Carës të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ të Berisha-Meta. Në sondazhin e Piepolit ku durrsakët pyeten për cilin prej kandidatëve do të votojnë si kryebashkiak më 14 maj, Sako ka rritur mbështetjen krahasuar edhe me sondazhin e para 4 javëve. Pra fushata deri tani ka funksionuar. Emirjana Sako pritet të votohet me 50-54% të votuesve, 1.5% më shumë se 12 prilli. Ndërkohë që 46-50% pritet të jetë mbështetja për Carën, kandidatin e koalicionit Meta-Berisha qe shenon nje rrenje prej 1%. Durrësi pritet të jetë një prej bashkive të vetme të rëndësishme në vend ku gara është e hapur edhe për shkak se diferenca është brenda marzhit të gabimit që është plus/minus 3.7%. 

Ora 21:12
Igli Cara i koalicionit Berisha-Meta me fushatën më efektive në Durrës, 47% e qytetarëve: Na ndryshoi mendim! 45% vlerësojnë Emirjana Sakon

1683659632_D1.png

Edhe pse kur bëhet fjalë për të marrë votën më 14 maj qytetarët e Durrësit shprehen në shumicë për kandidaten socialiste Emirjana Sako kur vjen puna te fushata elektorale pjesë më e madhe e tyre vlerësojnë kandidatin e koalicionit Berisha-Meta, Igli Cara. Të pyetur nga Instituti Piepoli, se fushata e cilit kandidat iu ka ndryshuar mendim në favor të tyre, 47% e durrsakëve thonë se Igli Cara ka ndikuar më shumë për t’i ndryshuar mendjen. Ndërkohë vetëm 2% më pak, pra 45% e të pyeturve thonë se fushata e kandidates socialiste Emirjana Sako ka qenë më e bindshme. 8% e të anketuarve, thonë se nuk i ka bindur fushata e asnjërit prej 2 kandidatëve në garën për një nga bashkitë më të rëndësishme në vend ku edhe ‘beteja’ pritet të jetë më e fortë.